E enjte, 25 Prill, 2024

Analogjitë e rrezikshme të luftës ruso-ukrainase në Ballkan

Përkeqësimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd mund të hyjë në një fazë edhe më delikate në periudhën që vjen, sidomos me problematizimin e çështjes së targave të automjeteve. Kriza që po përjeton spektri politik serb në Mal të Zi, me formimin e qeverisë së Dritan Abazoviqit, mund të nxisë tensione të papara midis Beogradit dhe Podgoricës. Ndërkohë, presidenti i Republika Srpska-s ka kohë që punon për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina. Kontesti Shkup-Sofje, gjithashtu, përmban një analogji të rrezikshme të mosnjohjes së popullit ukrainas nga ana e Moskës. Andaj, fitorja eventuale e Rusisë në Ukrainë do të ishte një hyrje në një periudhë të rrezikshme konfliktesh, në të cilat do ta pësojnë shtetet ekonomikisht dhe ushtarakisht më të dobëta.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Fillimin e sulmit ndaj Ukrainës në shkurt të këtij viti Rusia e arsyetoi duke bërë analogji me fillimin e sulmit të NATO-s kundër Serbisë në shkurt të vitit 1999. Para se të nisë ofensiva ushtarake, Moska kishte evakuuar pjesën më të madhe të popullsisë civile në lindje të Ukrainës, kryesisht rusë etnikë, duke e paraqitur këtë në media si pastrim etnik nga ana e Kievit. Gjithçka duhej t’i ngjante një katastrofe humanitare, si ajo e vitit 1999, e cila do të legjitimonte ndërhyrjen ushtarake ruse.

Keqpërdorimi i rastit të Kosovës

Megjithatë, me këtë analogji presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, kishte arritur ta bindë vetëm opinionin e brendshëm. Opinioni ndërkombëtar e kishte të qartë se tragjedia e Kosovës po përdoret për ta përligjur një tragjedi tjetër që po paralajmërohej – atë të Ukrainës. Kjo nuk ishte hera e parë që Kosova të përdorej si hyrje në aksionet e Rusisë. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 u arsyetua nga Putini me “aneksimin e Kosovës nga Serbia”. Njohjen dhe krijimin e 5 shteteve satelite të saj (Abhazia, Osetia e Jugut, Donetsku, Luhansku dhe Transnistria), Rusia e arsyeton me krijimin dhe njohjet e Kosovës si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, analogjia më e rrezikshme është modeli i operimit të Moskës që tentohet të imponohet si një praktikë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rusia ka kohë që e zbaton doktrinën e “Botës Ruse”, e cila nënkupton se ky shtet duhet të shtrihet kudo ku jetojnë rusët etnikë. Është pikërisht këtu baza e intervenimeve ushtarake dhe aneksimeve të territoreve në vendet fqinje, që më pastaj ato t’i njohë si shtete të pavarura, e në fund t’i bëjë pjesë të Federatës Ruse. Në Ballkan ekziston edhe doktrina e “Botës Serbe”, e cila është pothuajse e njëjtë me atë ruse. Serbë etnikë ka në Bosnjë dhe Hercegovinë (Republika Serpska), Mal të Zi dhe Kosovë. Të tria shtetet ballafaqohen me probleme të përhershme, që burojnë pikërisht nga ajo doktrinë. Rreziku në këtë analogji është një tjetër analogji: superioriteti ushtarak i Serbisë ndaj tre shteteve fqinje, njëjtë si ai i Rusisë.

Përkeqësimi i raporteve Prishtinë-Beograd mund të hyjë në një fazë edhe më delikate në periudhën që vjen, sidomos me problematizimin e çështjes së targave të automjeteve. Kriza që po përjeton spektri politik serb në Mal të Zi, me formimin e qeverisë së Dritan Abazoviqit, mund të nxisë tensione të papara midis Beogradit dhe Podgoricës. Ndërkohë, presidenti i Republika Srpska-s ka kohë që punon për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina.

Të gjitha këto zhvillime do të jenë të lidhura dhe të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë. Në rast të ngadhënjimit rus, i njëjti skenar do të zbatohej edhe nga Serbia, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, si vende që nuk janë anëtarë të NATO-s. Nëse Rusia do ta humbasë luftën, atëherë Serbia do të ulet përfundimisht në një karrige, atë të Perëndimit, duke i shkëputur kështu lidhjet e ngushta me Moskën.

Rasti Shkup-Sofje

Ka edhe një analogji tjetër në këtë kontekst – mosnjohja e identitetit të shtetit fqinj, mosnjohja e veçorive të tjetrit. Një ndër arsyetimet e invazionit në Ukrainë nga Rusia ishte se “nuk ka as popull e as komb ukrainas”. Me këtë, Rusia pretendonte se popullsia që jeton në Ukrainë, në thelb, është e matricës etno-kulturore ruse. Të njëjtën qasje e ka Serbia ndaj Malit të Zi, duke refuzuar ekzistimin e popullit malazias, si një etni me veçoritë e tij kulturore dhe historike. Edhe Bullgaria e mohon ekzistimin e popullit maqedonas, për të cilin pretendon se janë bullgarë etnikë të asimiluar nga Jugosllavia e Titos.

Bullgaria është një shtet shumë më i fuqishëm sesa Maqedonia e Veriut. Është anëtar i BE-së, aty ku Maqedonia e Veriut aspiron të integrohet. Kjo e bën edhe më të fuqishëm pozicionin e saj në kontestin për historinë dhe gjuhën, i cili e mban të bllokuar procesin e integrimit europian të Shkupit, njëkohësisht edhe të Tiranës.

Shqipëria për gati dy vite është viktimë e kësaj mosmarrëveshjeje historike, bilaterale midis Shkupit dhe Sofjes. Është jashtë logjikës së shëndoshë që një problem dypalësh ta bllokojë integrimin në një strukturë shumëkombëshe, siç është integrimi europian, por realiteti është ky që është. Ende më e palogjikshme është që për një problem dypalësh të mbahet peng një shtet që nuk është palë në atë mosmarrëveshje. Bullgaria, në vitin 2020, e ka vënë veton për nisje të negociatave me BE-në ndaj Maqedonisë së Veriut, njësoj si Greqia në vitin 2008, kur e kushtëzoi integrimin në NATO. Edhe atëherë Shqipëria ishte bashkë me Maqedoninë e Veriut në grup, ku bënte pjesë edhe Kroacia, por nuk priti deri në vitin 2018, kur problemi u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës.

Integrimi në BE nuk është një proces thjesht politik, por edhe i sigurisë. Ecja para e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe ngecja e Maqedonisë së Veriut mund të krijojë një ambient të tillë politik, i cili do të prodhonte iniciativa politike në kundërshtim me vlerat europiane. Ukraina është një moment tjetër që i rrit shqetësimet e sigurisë. Lënia e Maqedonisë së Veriut jashtë proceseve euro-integruese, në një kohë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë po imponon një normalitet të ri të sigurisë në Europë, do të thotë se Rusisë i lihet një katalizator i përhershëm i krizave në rajon.

A mund të ndërhyjë Bullgaria ushtarakisht në Maqedoninë e Veriut nëse kontesti përkeqësohet? Përderisa rendi aktual botëror është në fuqi – jo. Por, praktikën që po e vendos Rusia – qasjen realiste pa asnjë vlerë ose parim, gjithsesi se mund ta sjellë një ndërhyrje të tillë. Sidomos në rast se Serbia do ta aneksonte veriun e Kosovës dhe Republika Srpska-n. Andaj, fitorja eventuale e Rusisë në Ukrainë do të ishte një hyrje në një periudhë të rrezikshme konfliktesh, në të cilat do ta pësojnë shtetet ekonomikisht dhe ushtarakisht më të dobëta.

 

Teksti fillimisht është botuar në Revistën Shenja

Të fundit