E mërkurë, 1 Maj, 2024

MES “LIGËS SË DYTË” DHE PROCESIT TË VËSHTIRË TË ANËTARËSIMIT

Ndërkohë që tashmë në nivel evropian po bisedohet mbi idenë e një Komuniteti politik evropian, gjithnjë e më tepër po shtohen zërat se kjo ide nuk mund të jetë alternativë për procesin e anëtarësimit në BE. Edhe vetë presidenti Makron ka sqaruar ndërkohë që kjo ide është plotësim dhe jo alternativë e procesit të anëtarësimit në BE. Analisti nga Sofja, Anton Pançev thotë se në të gjitha rastet Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të reformohet në mënyrë të thellë jo për shkak të kërkesave të blloqeve të jashtme, por për hir të jetës më të mirë të qytetarëve të saj. Për qeverinë i rëndësishëm mbetet procesi i anëtarësimit në BE, ndërsa opozita ka theksuar se Maqedonia e Veriut “nuk ka vend në ligën e dytë”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Ideja e një aleance të re, e paraqitur nga presidenti francez Emanuel Macron, ”Komunitetin politik vvropian” në vend të Bashkimit Evropian, tashmë është miratuar edhe nga kreu i Këshillit Evropian. Sipas njoftimit, përveç vendeve të BE-së, në komunitetin e ri do të përfshihen edhe vendet kandidate, si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria si dhe Britania e Madhe, e cila e braktisi  BE-në në vitin 2020.

Sipas presidenti francez, ky format i ri ka për qëllim “të krijojë kornizë të re për strukturimin e bashkëpunimit, duke i bashkuar kombet demokratike evropiane të cilat i përmbahen bazës sonë  të vlerave dhe të cilat synojnë drejt ose të mos inkuadrohen në BE”.

Projekti, ”Komunitetin politik evropian” i cili duhet të diskutohet në një samit evropian në fund të qershorit, tashmë është  kritikuar nga disa liderë. Presidenti lituanez Gitanas Naudesa, e sheh këtë ide si reflektim i mungesës së vullnetit për integrimin e shpejtë të Ukrainës në BE.

Ndërkohë lind pyetja se a do të jetë e kënaqur Maqedonia e Veriut me anëtarësimin në të ashtuquajturën Komuniteti Politik Evropian, në vend të Bashkimit Evropian, dhe se mungesa e një zgjidhje adekuate mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë deri në fund të qershorit mund ta dërgojë Maqedoninë e Veriut në “ligën e dytë” pra në Komunitetin Politik Evropian?
Profesori dhe analisti nga Sofja, Anton Pançev, thekson për KDP se as në BE, e as në ndonjë strukturë apo në ndonjë organizatë tjetër evropiane, nuk mund të hyjë një vend që nuk i plotëson kriteret politike. Sipas tij, Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të reformohet në mënyrë të thellë në drejtim të respektimit të të drejtave të barabarta për të gjithë komunitet dhe të identitetit të tyre, ndërsa pastaj të vijojë me ndryshimet e teksteve, librave mësimorë, të cilat duhet të shkruhen në kuadër të arritjeve të shkencës botërore dhe jo sipas suazave ideologjike nga periudha jugosllave.

Mes tjerash, Pançev thekson se Komunitetin Politik Evropian është vetëm një projekt dhe nuk ka gjasa që të realizohet në një periudhë të shkurtër kohore, por duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë shtetet që aplikojnë për anëtarësim në BE, që të mos i lënë pa zgjidhur problemet esenciale me të drejtat e njeriut.

Është fakt se në disa vende të Evropës Perëndimore nuk ka shumë mbështetje politike dhe shoqërore për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, institucionet e BE-së nuk reagojnë siç duhet kur bëhet fjalë për parandalimin e rreziqeve kryesore për Ballkanin – veprimet destruktive të Serbisë, që rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, të Bosnjës dhe të Malit të Zi. Në Bashkimin Evropian nuk ekziston një vullnet i mirëfilltë që të marrë përsipër përballjen me sfidat e shumta dhe krijimi eventual i një strukture të re do të ketë si rezultat zbehjen e përgjegjësisë për zhvillimin strategjik të projektit mbarëvropian. Kjo organizatë është vetëm një projekt dhe nuk ka gjasa që të realizohet në një periudhë të shkurtër kohore, por duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë se nuk duhet t’i lëmë anash problemet esenciale me të drejtat e njeriut në disa vende që aplikojnë për anëtarësim në BE”, thekson për KDP, Anton Pançev.

Nga ana tjetër ish-kryeministri maqedonas Ljubço Georgievski, të cilit së fundmi iu ndalua ligjërata në Sofje të Bullgarisë, shprehu revoltë ndaj diplomacisë bullgare duke thënë se ish-kryeministri Zoran Zaev kishte hequr dorë nga gjashtë figurat kryesore historike maqedonase dhe ishte i gatshëm t’i shpallte heronj të përbashkët të maqedonasve dhe bullgarëve, por kjo nuk mjaftoi për Sofjen dhe ajo përsëri vuri veto ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Para vetos doja të ndaja mendimin tim me historianët bullgarë, por fatkeqësisht nuk më kuptuan. Maqedonia pranon të thotë se pesë personazhet historik janë pjesë e historisë së përgjithshme, dhe kjo i referohet Shën Kirilit dhe Metodit, Shën Klementit, Shën Naumit dhe Car Samuolit, dhe ka pasur një moment tjetër, kur është dakorduar edhe për personazhin e  gjashtë nga maqedonasit, që ka qenë Goce Dellçevi, që presidenti, kryeministri dhe kryetari i Komisionit Historik ishin të gatshëm të thonë se po, këta figura do të jenë pjesë e përgjithshme në historinë maqedonase dhe bullgare. Këta janë gjashtë personazhe historike për të cilët pala maqedonase para vetos ka qenë e gatshme të thotë se janë heronj të përbashkët në të dyja historitë”, tha Georgievski.

Ndërkaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski beson se ky komunitet nuk do ta prekë procesin aktual të zgjerimit.

Sigurisht që në Bashkimin Evropian ka proces të zgjerimit, në të cilin proces jemi pjesë dhe ne. Ai proces i zgjerimit, që bëhet sipas metodologjisë së re, të klastereve dhe hapjes së kapitujve, nuk është i nevojshëm dhe besoj se nuk do të ndikohet nga përafrimi i BE-së me mjedisin e ri gjeopolitik”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski, thotë se anëtarësimi në BE nuk duhet të ketë alternativë dhe u befasua që një pjesë e ekspertëve vendor e mirëpritën idenë e një bashkësie të re politike.

Maqedonia nuk ka vend në ligën e dytë. Mendoj se është koha që Evropa të mbetet parimore në premtimet e saja dhe të paktën për Maqedoninë të mos zbatojë standarde të tilla të dyfishta”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Të fundit