E shtunë, 27 Korrik, 2024

TEJZGJATJA “ DEPRIMUESE” E HAPJES SË NEGOCIATAVA

Në kohën kur premtimi i integrimit evropian të vendit është kthyer në formulë të premtimeve politike, duke theksuar se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut është e vetmja alternativë e së ardhmes, po mbushet viti i shtatëmbëdhjetë prej kur është fituar statusi i kandidatit zyrtar, për të mos përmendur fillimin e procesit prej më tepër se dy dekadash. Tejzgjatja e procesit eurointegrues lë hapësirë për krijimin e një vakumi, i cili ka filluar të shfrytëzohet nga fuqitë e tjera.

Shkruan: Valmisa Novi

Maqedonia e Veriut filloi rrugëtimin e saj për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO në mesin e viteve 1990, duke u bërë kështu republika e parë post-jugosllave që ka nënshkruajtur një plan veprimi anëtarësimi me aleancën (në 1999) dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në (në 2001). Republika e atëhershme e Maqedonisë fitoi statusin zyrtar të kandidatit në BE-së në 2005, por plani për t’u anëtarësuar në NATO stagnoi për shkak të vendosjes së vetos greke në Samitin e Bukureshtit në prill 2008. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian konsideroi se Shkupi zyrtar ishte gati për të nisur bisedimet e anëtarësimit prej vitit 2009, por mosmarrveshja me Athinën zyrtare për çështjen e emrit i frenoi edhe njëherë aspiratat e vendit drejt integrimit euro-atlantik.

Përgjatë një dekade të tërë të karakterizuar me një mungesë vullneti politik për zgjidhjen e kësaj çështjeje, bllokimi për realizimin e ëndrrës evropiane e pa fundin me nënshkrimin e marrëveshjes historike të Prespës, në qershor të vitit 2018. Gati dy vjet më vonë prej nënshkrimit të marrëveshjes, Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet pjesë e NATO-s. Duket sikur rruga drejt anëtarësimit evropian ballafaqohet me bllokim pas bllokimi dhe vendi po marshon kundër rrjedhës. Në vitin 2019 është pikërisht presidenti francez, Emanuel Macron, i cili vendos veton për mos hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, duke cilësuar se konsolidimi i brendshëm i BE-së ka përparësi ndaj zgjerimit dhe se është e nevojshme të bëhen ndryshime në strukturat komplekse vendimmarrëse të BE-se por pa përcaktuar detaje për mënyrën se si.

Në kushtet të këtilla, BE-ja nuk mund të rrezikojë ballafaqimin me sfidat e ditëve të sotme ose të përballojë një krizë financiare, ndaj hapja e bisedimeve me vendet nga rajoni i Ballkanit, rajon i prekur nga luftra gjatë viteve 1990 dhe që akoma po lufton me krimin dhe korrupsionin shikohet me sy skeptik nga Franca zyrtare. Macron bëri apel për një reformin të Bashkimit Evropian, madje dhe një reformim të procesit të zgjerimit të BE-së, pjesë e të cilit janë pikërisht kriteret dhe kushtet për pranim, të njohura ndryshe si Kriteret e Kopenhagës, të cilat ndahen në kritere politike, ekonomike dhe ato të përafrimit legjislativ (acquis communautaire).

Anëtarësimi kërkon që vendi kandidat duhet të ketë arritur stabilitetin e institucioneve garantuese të demokracisë, të të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit, ndërtimin e një ekonomie të lirë dhe funsionale të tregut duke siguruar kapacitetet e nevojshme për të konkurruar në tregun e përbashkët duke i bërë ballë presionit konkurrues dhe fuqive të tregut brenda BE-së.

Krahas këtyre, për t’u anëtarësuar, është e nevojshme pranimi i detyrimeve dhe synimeve të BE-së, qofshin ato politike, ekonomike por edhe monetare. Pjesë e këtyre detyrimeve janë pikërisht krijimi i kushteve të përshtatshme dhe të favorshme për harmonizimin strukturës kombëtare adminstrative me standardet evropiane dhe mekanizmat e administratës publike të BE-së. Ndërsa lëvdatat dhe klishet nga ndërkombëtarët nuk kanë fund duke potencuar se Maqedonia e Veriut i ka bërë “detyrat e shtëpisë”, madje disa shkojnë më tutje duke e  kritikuar BE-në se është duke mbajtur peng të gjithë rajonin e Ballkanit në procesin eurointegrues, ku nuk mungojnë edhe direktivat që përcaktojnë hapin e radhës të BE-së, ai i hapjes së negociatave.

Në kohën kur premtimi i integrimit evropian të vendit është kthyer në formulë të premtimeve politike, duke theksuar se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut është e vetmja alternativë e së ardhmes, po mbushet viti i shtatëmbëdhjetë prej kur është fituar statusi i kandidatit zyrtar, për të mos përmendur fillimin e procesit prej më tepër se dy dekadash. Kjo garë me pengesa drejt hapjes së negociatave dhe arritjes së synimit përfundmtar si vend anëtar i BE-së gjithnjë e më shumë po duket si qëndrim në vend numëro ku veç faktorët e jashtëm ndryshojnë, i fundit kontesti me Bullgarinë, i cili paraqet pengesën e radhës.

Por mesa duket erërat që fryjnë brenda vendit kanë filluar të ndryshojnë drejtimin, ku vihet re një rritje e euroskepticizmit, kjo e fundit edhe si rrjedhojë e zvarritjes për një kohë të gjatë në pragun e BE-së. Në një anketim të kryer nga Ipsos, për llogari të National Democratic Institute, në periudhën mars-prill 2021, sjell përfundimin se: “Qytaterët nuk kanë besim te politikanët, me 53% të të anketuarve që shprehen se nuk i besojnë “askujt” dhe kërkojnë që udhëheqësit të rrisin ekonominë, dhe të përmirësojnë kujdesin shëndetësor, dhe se shqetësimet për mosndëshkueshmërinë politike dhe vonesat për anëtarësim në BE kontribuojnë në perceptimet e dobëta për perspektivën e shtetit dhe kapacitetet demokratike. Mbështetja për Bashkimin Evropian është dobësuar në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse 67% e të anketuarve sinjalizuan se do të votonin për anëtarësimin në BE, perceptimet për BE-në janë tendosur, me 19% që sinjalizonë se kundërshtojnë anëtarësimin në BE – nga 10% që ishte në vitin 2018.”

Tejzgjatja e procesit eurointegrues lë hapësirë për krijimin e një vakumi, i cili ka filluar të shfrytëzohet nga fuqitë e tjera. Po në të njëjtin anketim, përveç të tjerave vihet re se ështe rritur favorizueshmëria për Turqinë, Rusinë dhe Kinën në krahasim me atë të vitit 2018, ku favorizueshmërinë e kryeson Turqia me 52%. Dinamizmi i këtyre favorizimeve mund të ndikojë në devijimin nga parimet bazë të BE-së, si garantimi dhe respektimi i demokracisë, i të drejtave të njeriut, i sundimit të ligjit, duke shkaktuar padashur një rreshkitje të demokracisë dhe rritjen e popullaritetit të totalitarizmit.

Të fundit