E premte, 26 Korrik, 2024

PJEKURIA EMOCIONALE NË NJË BOTË ME SFIDA TË VËSHTIRA

Kur një person piqet, kupton se bota nuk është e përqendruar rreth tij. Kur njerëzit piqen kuptojnë se janë ata që janë, i kuptojnë pikat e forta dhe të dobëta, kufizimet dhe të metat e tyre. Ata nuk do të qëndrojnë me dikë që nuk u pëlqen, pranojnë gabimet e tyre dhe ecin drejt pozitivitetit me çfarëdo që kanë. Për ta nuk ka rëndësi se kush u beson dhe kush jo, kush i do dhe kush jo. Ata nuk kërkojnë miratim nga askush përveç vetes, dhe kështu piqen.

Shkruan: Fatjona Abdullahi

Bota është një vend i vështirë për të jetuar. Ne jemi kaq të preokupuar me punët tona, saqë mezi gjejmë kohë për vetëzhvillimin tonë.

Pagimi i faturave, të pasurit një karrierë të qëndrueshme, marrja e përgjegjësive të familjeve tona, etj. janë veti të njerëzve të pjekur dhe të rritur sipas standardeve që na i paraqet shoqëria.

Por a e pyesim ndonjëherë veten: a jemi vërtet të lumtur? Pse atëherë vuajmë nga depresioni, ankthi? Pse ka kaq shumë ndarje dhe divorce? Arsyeja është se ne nuk jemi të pjekur emocionalisht. E vërteta nuk ka të bëjë me mënyrën se si ne ndjekim rregullat, por si e kuptojmë veten tonë të brendshme dhe si sillemi në përputhje me rrethanat. Vetëm kështu piqemi!

Disa nga vetitë që tregojnë se kemi arritur një nivel pjekurie janë karakteristika për të cilat edhe mund të mos jemi të vetëdijshëm se i kemi, por që kur mungojnë, janë më të dukshme.

Aftësia për të dëgjuar të tjerët

Të dëgjosh dikë është një art që ne e zotërojmë ose jo. Për të qenë një dëgjues i mirë, duhet të heshtësh dhe ta lësh tjetrin të flasë. Je me personin dhe përqendrohu në atë që ai thotë, në vend që të mendosh për rrobat që ka veshur ose ta lësh mendjen të bredhë  diku tjetër. Ti nuk e gjykon personin dhe pavarësisht moshës, i jep kohën tënde, duke folur vetëm pasi të ketë mbaruar ai. Kjo është një shenjë pjekurie sepse do të jeni në gjendje të përgjigjeni, vetëm atëherë kur e dëgjoni me vëmendje folësin.

Durimi

Me rritjen e zhvillimeve teknologjike, ne po jetojmë një jetë shumë të shpejtë. Duam gjithçka ta kemi në duart tona. Nëse ndodh ndryshe, shqetësohemi. Pritja është diçka që mësohet ndërsa  maturohemi. Sa më shumë të rriteni, aq më shumë bëheni më të pranueshëm për gjërat dhe situatat që nuk i kontrolloni. Ju e kuptoni se shqetësimi nuk do të bëjë asgjë më mirë. Kështu që mësoni të prisni me durim, pa krijuar ndonjë situatë kaotike shtesë.

Pranimi se gjërat ndryshojnë dhe heqja dorë nga stabiliteti

Jeta jonë po ndryshon vazhdimisht dhe shumica prej nesh e kanë të vështirë të përballen me ndryshimet. Me kalimin e moshës, kupton se të gjitha gjërat nuk mund të ecin në rrugën tënde. Jeta është e paparashikueshme dhe nëse nuk përshtateni me ndryshimet, humbni më të mirën në jetë. Ju bëni plane dhe ëndërroni për to, por gjithashtu e dini se mund të mos funksionojnë. Ngadalë filloni të hiqni dorë nga comfort zona juaj dhe të jeni në paqe me ndryshimet, me këtë pasiguri të jetës. Po, kjo është një shenjë se jeni duke u pjekur!

Heqja dorë nga pritshmëritë

Në momentin që e lëshoni komfort zonën tuaj dhe pranoni faktin që jeta ndryshon krejt papritur, ju ndaloni së pasuri pritshmëri nga njerëzit dhe nga rrethanat. Nuk lëndohesh më nëse nuk të përgjigjen, nuk ndihesh më keq nëse të lëndon dikush që dashuron, nuk ankohesh pse dikush po bën diçka që është kundër moralit. Nuk emocionohesh nga reagimet e njerëzve dhe nga ndryshimi i situatave. Po, kështu piqesh me kalimin e kohës…

Ta kuptosh më thellësisht “dashurinë”

Njerëzit kalojnë shumë zemërthyerje në moshën e tyre të re, për të kuptuar se çfarë është në të vërtetë dashuria. Kur piqeni, dashuria bëhet një ‘zgjedhje’ për ju, jo një nevojë. Shkoni përtej tërheqjeve fizike dhe bisedat e vogla ju zmbrapsin. E respektoni partnerin tuaj si individ. Të gjitha dhimbjet e zemrës dhe keqkuptimet ju kanë mësuar të përshtateni me marrëdhënien pa i shkaktuar dëm vetes. Tashmë e dini se dashuria nuk është një gjendje, por një gjë që kërkon angazhim, kohë, mirëkuptim dhe respekt.

Largimi i dëshirës për të qenë “të rëndësishëm”

Ndërsa një person piqet, kupton se bota nuk është e përqendruar rreth tij. Kur njerëzit piqen kuptojnë se janë ata që janë, i kuptojnë pikat e forta dhe të dobëta, kufizimet dhe të metat e tyre. Ata nuk do të qëndrojnë me dikë që nuk u pëlqen, pranojnë gabimet e tyre dhe ecin drejt pozitivitetit me çfarëdo që kanë. Për ta nuk ka rëndësi se kush u beson dhe kush jo, kush i do dhe kush jo. Ata nuk kërkojnë miratim nga askush përveç vetes, dhe kështu piqen.

 

Të fundit