E shtunë, 27 Korrik, 2024

EKSKLUZIVE: BDI ÇON VENDIN NË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME NËSE NË QERSHOR NUK NISIN BISEDIMET ME BE

Do të ketë zgjedhje të parakohshme nëse Maqedonia e Veriut nuk do të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Këtë, në një bisedë me KDPolitik.com, e paralajmërojnë burime të afërta me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

“Bllokada e Parlamentit nga opozita dhe mungesa e mundshme e perspektivës evropiane me moscaktimin e datës, nuk lënë shteg tjetër përveç zgjedhjeve të reja,” thonë këto burime.

Nga viti 2019 Bullgaria mban të bllokuar nisjen e bisedimeve anëtarësuese të BE-së me Maqedoninë e Veriut për shkak të moszbatimit të Traktatit të Miqësisë, i nënshkruar në vitin 2017. Me këtë marrëveshje Shkupi u obligua të rishikojë historinë e para vitit 1945, për të cilën Sofja pretendon se ka qenë bullgare apo e përbashkët.

Sipas burimeve të KDP-së, BDI në zgjedhjet e parakohshme nuk do të shkojë në koalicion parazgjedhor me asnjërën nga partitë etnike maqedonase – qoftë LSDM apo VMRO-DPMNE.

Zyrtarisht nga partia e Ali Ahmetit thonë se nuk ka ndonjë qëndrim konkret për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, por nuk i demantuan këto informacione të kdpolitik.com.

Votat e deputetëve të BDI-së janë përcaktuese për shumicën parlamentare mbi të cilën qëndron qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Nga 64 deputetë sa numëron shumica në Parlament, BDI numëron 15 dhe kjo e bën faktor vendosës edhe për sa i përket jetëgjatësisë së kësaj qeverie. LSDM me partnerët e koalicionit numërojnë 40 deputetë, Alternativa e Afrim Gashit ka 4, PLD 2 kurse nga një deputet kanë PDSH e Menduh Thaçit, DOM dhe DS (Lidhja Demokratike). Brenda koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja ka dy deputetë të pavarur, midis të cilëve edhe Kastriot Rexhepi i cili në nëntor të vitit të kaluar kaloi në radhët e koalicionit aktual qeverisës, duke pamundësuar një shumicë të re të drejtuar nga VMRO-DPMNE e Hristijan Mickovskit.

Kjo parti, që drejton opozitën, aktualisht në Parlament numëron 44 deputetë. Nga fillimi i muajit maj VMRO-DPMNE ka parashtruar kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që për realizimin e këtij objektivi nga 10 maji po zbaton strategjinë e bllokimit aktiv të parlamentit për të pamundësuar qeverinë.

“… Kovaçevski merr kurajo dhe verifikoje legjitimitetin përmes qytetarëve dhe dilni në zgjedhje. VMRO – DPMNE zgjati dorën dhe ndihmë të hapur me ekspertë në atë periudhë deri në zgjedhje të tejkalohen krizat në të cilat fatkeqësisht kjo qeveri e LSDM-së i ka krijuar dhe ka futur Republikën e Maqedonisë në to edhe atë vetëm për shkak të arsyes së vetme për shkak të injorancës, dyfytyrësisë dhe paaftësisë së tyre. Sepse nuk dinë të udhëheqin shtet. Për këtë edhe njëherë urdhëroni në zgjedhje të shihni se sa ju duan qytetarët”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski në një konferencë shtypi.

Në mbështetje të kërkesës së VMRO-DPMNE-së kanë dalë edhe partitë opozitare të shqiptarëve etnik në vend, ASH e Ziadin Selës dhe BESA e Bilall kasamit.

Në LSDM, ndërkaq, mbajnë qëndrim kundër zgjedhjeve të parakohshme. Ndaj kërkesës së Mickovskit për takim liderësh ku do të vendosej data e mbajtjes së zgjedhjeve, nga partia e Kovaçevskit janë përgjigjur se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024.

“VMRO – DPMNE vazhdon me destruktivitet, me bllokada, Mickoski nuk e di çfarë bën, është humbur tërësisht, tregon pafuqi dhe destruktivitet. Zgjedhje do të ketë në vitin 2024 dhe ajo është çështje e mbyllur”, kanë thënë në një deklaratë me shkrim nga LSDM.

Edhe Alternativa e Afrim Gashit është në të njëjtën vijë – kundër zgjedhjeve të parakohshme. Lideri i kësaj partie Gashi, pas rizgjedhjes në krye të partisë në Kongresin e së dielës, ka thënë se  tani nuk është koha për tu mbajtur ato.

”Ne mendojmë që nuk duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe jemi kundër asaj. Ne kur jemi bërë pjesë e qeverisë nuk kemi thënë që për 100 ditë do të realizohen gjitha projektet. Na duhen 4 vite për realizimin e plotë”, ka thënë Gashi.

Megjithatë, mësohet se edhe Alternativa mund të përkrahë zgjedhjet në rast se arrin një ujdi me “integristët” e Ahmetit.

Në rast se shpallen zgjedhjet e parakohshme, ato do të ishin të gjashtat me radhë. Maqedonia e Veriut nga viti 2006 nuk ka organizuar zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet e fundit parlamentare, njëjtë të parakohshme, u organizuan në vitin 2020 dhe u shkaktuan nga bllokada franceze për nisjen e negociatave. Franca atëkohë kërkoi dhe mori metodologji të re të procesit të bisedimeve me vendet aspirantë, e cila parashikonte mundësinë e kthimit prapa në proces ose hapërimit më të shpejtë nëpër 35 kapitujt e grumbulluara në 6 klastere tematike.

 

Të fundit