E diel, 5 Maj, 2024

PSE NA NEVOJITET BE-JA?

Bashkimi Europian gjithnjë mbetet një koncept vlerash, ndryshmërishë kulturore, diversiteti dhe interkulturaliteti, por edhe praktikash politike dhe qeverisëse që nënkuptojnë dinjitet, progres dhe sistem vlerash. Pikërisht, drejt këtij koncepti tash së fundmi në kuadër të procesit të zgjerimit, hapërojnë edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, dy vende që tashmë kanë hapur procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Editorial i KDP-së

Ëndrrat e mëdha të vendosura në pentagramet e personaliteteve me mendje të hapur gjithmonë krijojnë edhe horizonte reale politike dhe kulturore. Pas ndasive shekullore, sidomos pas rrënimit nga Lufta e Dyta Botërore, ideja e një Europe të bashkuar po shfaqej si një entitet ekonomik, politik dhe kulturor.

Para se të ishte një projekt real politik, ideja e një Europe të bashkuar kishte zënë fill në mendjen e filozofëve dhe njerëzve vizionarë. Viktor Hygo, për shembull, imagjinonte “Shtetet e Bashkuara Europiane” si një projekt paqëtues dhe i bazuar në ideale humaniste. Por, kjo ëndërr siç thotë Paskal Fontaine në “Europa në 12 leksione” u copëtua nga luftërat e tmerrshme që shkatërruan kontinentin gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Sidoqoftë, nga këto rrënoja, lindi një shpresë e re. Njerëzit që i kishin rezistuar totalitarzmit, vendosën që t’i japin fund urrejtjes dhe rivalitetit, duke hapur një kohe tjetër që krijoi kushtet për një paqe të qëndrueshme në Europë.

Mes viteve 1945 dhe 1950, një grusht personalitetesh guximtarë, siç ishin Robert Schuman, Konrad Adenauer, Alcide de Gasperi dhe Winston Churchill bënë përpjekjen vendimtare për të hyrë në një epokë të re. Dhe gjithë kjo u rrumbullakua me deklaratën e Shumanit të datës 9 maj të vitit 1950, kur realisht fillon edhe konstituimi dhe dimensionimi i Bashkimit Europian, një ide e konceptuar paraprakisht nga Jean Monnet.

Gradualisht projekti i Bashkimit Europian po merrte formë, pikërisht mbi këtë koncept fillimtar që nënkuptonte kultivimin dhe afirmimin e vlerave të përbashkët, ndërkohë që me kalimin e kohës entiteti BE tashmë po strukturohej në gjithë dimensionin institucional ashtu siç e njohim edhe ne tashmë. Sigurisht, koncepti i BE-së nënkuptonte tërësinë e vendeve që e përbëjnë kontinentin, prandaj u shtrua si imperativ edhe përfshirja e vendeve tjera në këtë përbashkësi, që ndryshe njihet edhe si procesi i zgjerimit.

Bashkimi Europian gjithnjë mbetet një koncept vlerash, ndryshmërishë kulturore, diversiteti dhe interkulturaliteti, por edhe praktikash politike dhe qeverisëse që nënkuptojnë dinjitet, progres dhe sistem vlerash. Pikërisht, drejt këtij koncepti tash së fundmi në kuadër të procesit të zgjerimit, hapërojnë edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dy vende që tashmë kanë hapur procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në ditën e Europës, ky orientim mbetet esencë e padiskutueshme reflektimi ndaj gjithë asaj planimetria praktikash europiane që tashmë duhet të alternohen edhe në funksionimin institucional në Maqedoninë e Veriut. Europa gjithnjë mbetet një ëndërr, një proces që nënkupton politika të mirëqena, qeverisje të mirë, aktivizëm qytetar, demokraci funksionale dhe liri që ngritët mbi konceptin e dinjitetit njerëzor dhe vlerave të përbashkëta.

Ditëlindja e BE-së është një rast i mirë për të reflektuar mbi këto vlera, një moment rikujtese dhe përgjegjësie që duhet ta ketë gjithsecili si përpjekje, pretendim për të përbrendësuar vizionin europian, për të lartësuar vendosjen e standardeve europiane në të gjitha dimensionit e funksionimit të jetës institucionale dhe shoqërore.

Dhe është padiskutim BE, që vite me radhë, por edhe aktualisht investon miliona euro për ringritjen e Ballkanit Perëndimor dhe për integrim edhe të kësaj pjese në tërësinë e vetë, jo vetëm si gjeografi, por edhe si mendësi dhe hapësirë vlerash. Ballkani Perëndimor, bashkë me këtë edhe Maqedonia e Veriut, tashmë po hynë në një paradigëm tjetër integrimi, që realisht mundëson të bëhet e prekshme ëndrra europiane edhe për gjithë qytetarët e këtij rajoni që ka njohur trazime të shumta përgjatë historisë. Paradigma e Procesit të Berlinit dhe një sërë investimesh konkrete nga BE, na bëjnë të kuptojmë që nuk jemi vetëm dhe se e ardhmja e gjithë këtyre vendeve është në hapësirën europiane të vlerave dhe të progresit.

Të fundit