E shtunë, 27 Prill, 2024

BLLOKADA E PARLAMENTIT: ASH TË HËNËN MERR QËNDRIM

Shkruan: Enis Shaqiri

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës ende nuk ka ndërtuar një qëndrim të qartë lidhur me bllokadën aktive të Parlamentit nga ana e VMRO-DPMNE-së.

Ilire Dauti, deputete e ASH-së në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, deklaroi për kdpolitik.com, se të hënën kryesia partiake gjatë mbledhjes do të vendos për qëndrimet e mëtejshme të partisë.

VMRO-DPMNE mori vendim që nga 10 maji të bllokojë çdo ligj në Parlament, që do të propozohej nga LSDM apo BDI. Bllokada, thanë nga kjo parti, do të zgjasë derisa të thirret takim liderësh, ku do të vendosej për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Dy partnerët e koalicionit qeverisës, Dimitar Kovaçevski dhe Ali Ahmeti, kanë thënë se janë për takim liderësh, por nuk pranojnë shantazhe dhe kushtëzimi.

“Shantazhe se o do të flitet për këtë, ose nuk do të ketë takim, unë nuk pranoj! Kërcënime, edhe atë kërcënime fëmijërore, të tipit keni edhe 5, 4, 3 ditë, numërime, kjo është e kaluar! Jemi shtet demokratik, nëse mendon kreu i VMRO-DPMNE-së se ende jeton në kohën e paraardhësit dhe mentorit të tanishëm, kur organizoheshin zgjedhje çdo 2 vjet, kur atij i përshtateshin, atëherë gënjehen,” deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

I pari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se asgjë të keqe nuk ka në mbledhjen e liderëve në një takim, por jo me kushtëzime dhe imponime.  Ahmeti është shprehur se bojkoti dhe bllokada nuk shërbejnë për të ecur përpara.

“Tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me përparimin e politikave të vendit, mund edhe të bëhen. Në këtë situatë do të doja ta theksoja që është me shumë rëndësi që të ketë takime, konsulta, me rëndësi është të mbyllet çështja, kontesti me Bullgarinë, që është kontest që ne na pengon drejt avancimit dhe çeljes së negociatave me BE-në dhe sigurisht që na duhet një konsensus etnik dhe politik, sepse kapërcimi dhe zgjidhja e këtij problemi forcon paqen, stabilitetin, sigurinë dhe relaksimin e raporteve mes fqinjëve”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kujtojmë se edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se dy deputetët e partisë së tij do t`i bashkëngjiten nismës së VMRO-DPMNE-së për bllokim të Kuvendit.

“Vlerësojmë se që kjo Qeveri e ka humbur kredibilitetin e saj pas dështimit për të marrë date për negociata. Duke pasur parasysh edhe krizën ekonomike, energjetike edhe të gjithë krizat tjera, ne vlerësojmë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje parlamentare që vullneti i qytetarëve të jetë I përfaqësuar në institucione qendrore. Pra ne jemi për bllokadë aktive të Kuvendit me dy deputetët tone që i kemi në Kuvend”, tha Bilall Kasami

 

 

Të fundit