E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ministri gjerman: Duhet të vazhdojmë të presim çmime të larta

Qytetarët dhe kompanitë në Gjermani duhet të përgatiten për çmime të larta të energjisë në terma afatgjatë, paralajmëroi sot ministri i Ekonomisë Robert Habeck.

“Ne do të duhet të vazhdojmë të presim çmime të larta,” tha Habeck në Berlin, duke vënë në dukje se shteti nuk mund të absorbojë plotësisht çmimet në rritje të energjisë, as për kompanitë dhe as për konsumatorët.

“Kjo është një e vërtetë e hidhur dhe e vështirë”, shtoi ministri i ekonomisë.

Qeveria ka bashkuar disa programe ndihme për të siguruar likuiditet dhe për të mbajtur furnizuesit e energjisë në treg.

“Por ata nuk munden – dhe unë nuk mund t’i kursej askujt këto mesazhe të vështira – ata nuk mund të ndalojnë që çmimi të kalojë (për konsumatorët),” tha Habeck pas takimit me shoqatat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha.

Shumica e kompanive kanë lidhur kontrata afatgjata furnizimi me furnitorët, me çmime fikse, tha ai. Kjo do të thotë se shumë kompani nuk do t’i ndjejnë pasojat deri në vitin 2023, kur çmimet e disa produkteve do të rriten edhe më shumë.

Paketa e ndihmës e qeverisë gjermane përfshin një program kredie nga banka shtetërore e zhvillimit KfW dhe subvencione të kostos së energjisë për kompanitë.

Megjithatë, subvencionet e drejtpërdrejta u nënshtrohen kushteve shumë strikte, tha Habeck, duke shtuar se rreth 4.000 kompani duhet të kualifikohen për mbështetje, vetëm një pjesë e numrit të përgjithshëm të kompanive në Gjermani.

Ekonomia aktualisht është nën presion të madh, theksoi ministri gjerman, përveç turbullirave në tregjet e energjisë, është e qartë se ka mungesë të punëtorëve. Zinxhirët e furnizimit janë bërë gjithashtu të brishtë për shkak të luftës në Ukrainë dhe pandemisë së koronavirusit, vuri në dukje ai.

Të fundit