E premte, 26 Korrik, 2024

PËRMBARIMI, NJË “ALEANCË” PËR ZHVATJE INSTITUCIONALE

Shoqata të qytetarëve si “Stop grabitjes” dhe “No Pasaran”, kanë kërkuar ndryshim të ligjit për përmbarim. Këta shoqata kanë paraqitur propozime që rregullojnë procesin e përmbarimit, ndërsa kanë theksuar se ka një “aleancë mafioze” në rastet e përmabrimit . Profesori i Fakultetit të Drejtësisë, Bashkim Selmani, u shpreh se për nga aspekti ligjor i rolit dhe funksioneve të përmbarimit ka shumë zbrazëtira juridike. Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut nuk kemi përmbarim, por zhvatje institucionale, bazuar në argumentin se procedurat e përmbarimit nuk mund të kalojnë marrjen e përqindjes nga borxhi masiv

 Shkruan: Puhiza Osmani

 Kompanitë, këshillat dhe gjykatat përdorin përmbaruesit për të mbledhur paratë që u detyrohen. Megjithatë, ka pasur shumë ankesa dhe shqetësime nga njerëzit se nuk kanë mjaftueshëm mbrojtje nga praktikat mashtruese të përmbaruesve agresivë.

“Në kontekstin e përmbarimit, kjo nuk ka të bëjë me arkëtimin, korrupsionin dhe të gjithë sistemin gjyqësor, ekzekutivin dhe ligjin që është në lidhje me një sistem. Pra, të tre pushtetet në shtet janë në një aleancë mafioze. Prandaj ndodh një arkëtim kriminal në Maqedoni”, thotë Ana Gligorova nga shoqata “Stop grabitjes”.

Profesori universitar, Bashkim Selmani u shpreh se kohëve të fundit, këto diskutime janë kufizuar kryesisht tek zyrtarët e gjykatave, avokatët e ndihmës juridikë dhe palët e tjera të interesuara të shqetësuara për të ardhmen e profesionit ligjor.

Sipas Selmanit në rolin dhe në funksionin e përmbaruesve në aspektin e përmbarimit të lëndëve pasi marrin epilog përfundimtar në aspektin ligjor, ka shumë zbrazëtira juridike që në shtetet normale, i vënë në interes të qytetarëve. Ai ka thekuar disa aspekte që duhet ndryshuar në lidhje me ligjin e përmbarimit.

“E para, procedurat përmbarimore duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese, që të respektohen të drejtat e qytetarëve dhe gjendja e tyre ekonomike dhe ajo sociale. E dyta, në Maqedoninë e Veriut nuk kemi përmbarim, por zhvatje institucionale, bazuar në argumentin se procedurat e përmbarimit nuk mund të kalojnë marrjen e përqindjes nga borxhi masiv. E treta, shpesh ndodh edhe në raste kur vendimet mund të jenë jo korrekte nga institucionet paraprake që sillen në përmbarim edhe pse argumentohet nga ana e palëve, ajo përmbarohet padrejtësisht. E katërta, afatet kohore përmbaruese nuk janë të njëjta për të gjithë qytetarët ashtu edhe ato ndërnacionale, sidomos te paluajtshmeritë-hipotekat dhe të drejtën e garancës. E pesta, në procedurat përmbaruese nuk përfillet gjendja faktike e palëve me paga të ulëta ose aspak që nuk kanë të hyra financiare”, thotë Selmani.

Gjithashtu  Selmani theksoi se çështja e dobët e komunikimit dhe të drejtave procedurale të subjekteve institucionale mes vete, shpesh shkon në dëm te qytetareve.

“Kemi mungesë të një Kodi civil bashkëkohor që i rregullon këto raporte me afate strikte dhe për vetë institucionet, në aspektin e kompetencave, të drejtave dhe detyrimet mes subjekteve shtetërore dhe qytetarëve. Është më se urgjente dhe e nevojshme një ndërhyrje ligjore korrekte dhe duke respektuar të drejtat e palëve. Jo vetëm ky ligj po ka dhe ligje të tjera civile që të plotësohen sepse deri tani ka qenë vullneti i keq i ligjvënësit”, thotë Selmani.

Selmani gjithashtu u shpreh se në Republikën e Maqedonisë së Veriut sillen ligje për të mbrojtur institucionet dhe shtetin dhe jo qytetarin edhe pse të gjitha ligjet pozitive sillen në emër të qytetarëve.

 

Të fundit