E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZEMRA E SISTEMIT ARSIMOR NË KUFIJTË E MBIJETESËS

Mësimdhënia nuk është vetëm profesion, por edhe vokacion që kërkon shumë përkushtim, vetëmotivim madje dhe përgatitje të vazhdueshme. Duke u përgatitur vazhdimisht për ta zgjeruar bagazhin e njohurive për të tejkaluar pritshmëritë e mendjeve të uritura për dije, duke e ditur se mbajnë peshën e misionit për të edukuar brezin e së ardhmes me përkushtimin maksimal ndaj përgjegjësive të tyre, mësuesit e sotëm luftojnë për të mbijetuar. Po, po, luftojnë për mbijetesë, pasiqë përveç vlerës shoqërore, edhe vlera monetare e këtij profesioni është në kufinjtë e mbijetesës

Shkruan: Valmisa Novi

“Kushdo që kujton arsimimin e tij, kujton mësuesit e tij, jo metodat ose teknikat. Mësuesi është zemra e sistemit arsimor” ka thënë filozofja amerikane Sidney Hook. Figura e mësuesit gjithmonë është parë më respekt, një figurë që pasqyron autoritet, madje mund të quhet si “prometeu” i kohëve moderne. Mësuesit kanë qënë një emërues i përbashkët i shoqërisë edhe përpara se të ekzistonin shkollat, pasi dijet e trashëguara brez pas brezi janë mësuar prej dikujt, duke i bërë ata pika referimi për shoqërinë e shembuj për t’u ndjekur.

Në mendjen e të vegjëlve fjala e mësuesit cilësohet si ligj dhe çdo lëvdatë e marrë prej tyre përjetohet me entuziazëm të madh. Pas prindërve, janë mësuesit ata që mbajnë peshën kryesore në formësimin dhe edukimin e mendjeve vegjëlore. Nëse familja përkufizohet si gjiri i shoqërisë, mësuesit janë ata që përhapin dijen dhe shtrojnë themelin për ardhmërinë e shoqërisë. Mësimdhënia nuk është vetëm profesion, por edhe vokacion që kërkon shumë përkushtim, vetëmotivim madje dhe përgatitje të vazhdueshme. Është një profesion që rrezaton dinjitet, urtësi, krenari dhe dije, vlera të cilat po veniten në shoqërinë e sotme e cila po ju servir modele të gatshme të rinjve pasiv që mbërthehen pas ekraneve.

Nuk është rastësore që mendjet engjëllore të të vegjëlve e shikojnë figurën e mësuesit si model për t’u ndjekur, ndërsa pas ndotjes së tyre nga “smogu” i këtij kolapsi kulturor që po përjetojmë, modeli i mëparshëm zëvendësohet me modelin e ofruar nga filozofia e fituesit. Një filozofi në mbështetje të fitimit të shpejtë, pa mund, filozofi “tiktokerash”.  Si shikohet figura e mësuesit në ditët e sotme? Duke u përgatitur vazhdimisht për ta zgjeruar bagazhin e njohurive për të tejkaluar pritshmërite e mendjeve të uritura për dije, duke e ditur se mbajnë peshën e misionit për të edukuar brezin e së ardhmes me përkushtimin maksimal ndaj përgjegjësive të tyre, mësuesit e sotëm luftojnë për të mbijetuar. Po, po, luftojnë për mbijetesë, pasiqë përveç vlerës shoqërore, edhe vlera monetare e këtij profesioni është në kufinjtë e mbijetesës. Kur instikti i mbijetesës merr epërsi, përgjigjet e individit janë automatike, duke mos menduar për të ardhmen, por vetëm për momentin. Një njëri i drejtuar vetëm te momenti edhe jo tek e ardhmja, mendon dhe vepron veç për sot.

Kur një shoqëri e tërë e humbet orientimin drejt të ardhmes, ajo shoqëri nuk ka të ardhme. Jo më kot Malkolm X në një prej fjalimeve të tij tha se “arsimi është pasaporta jonë për të ardhmen, sepse e nesërmja u përket njerëzve që përgatiten për të sot”, ndaj t’i rikthejmë mësuesve statusin mëse të merituar të themeluesit të shoqërisë. Si të tillë, duhen kohën ta dedikojnë duke përmbushur misionin e tyre duke qënë shembull, mbështetje dhe mjet i përcjelljes së diturive për të rinjtë, duke qënë largpamës dhe jo të mbështjellë nën kllapinë e varfërisë dhe mbijetesës. Një hap i tillë fillon pikërisht me vlerësimin e punës së tyre dinjitoze, vlerësim i shprehur me vepra, jo vetëm me fjalë.

Të fundit