E shtunë, 27 Korrik, 2024

NUK KA ZGJIDHJE, GREVA VAZHDON

Pas shqyrtimit të konkluzioneve të qeverisë Këshilli i SASHK-ut ka sjellë vendim që greva në shkolla dhe çerdhe të vazhdojë. Sipas drejtuesve të sindikatës këto konkluzione nuk çojnë drejt zgjidhjes së dallimeve, por shtojnë më tepër presionin ndaj mësimdhënësve. “Greva do të vazhdojë derisa të biem dakord për çështjet e diskutueshme dhe të nënshkruajmë një marrëveshje për to”, ka deklaruar kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov

Shkruan: Eljesa Dervishi

Greva në shkolla dhe çerdhe do të vazhdojë. Ky është vendimi i Këshillit të SASHK-ut pas shqyrtimit të konkluzioneve të Qeverisë, në të cilat parashihet rritje të pagave për 10 përqind. Sipas drejtuesit të sindikatës, këto konkluzione nuk çojnë drejt zgjidhjes së dallimeve, por shtojnë edhe më tepër presionin ndaj mësimdhënësve.

“Greva do të vazhdojë derisa të biem dakord për çështjet e diskutueshme dhe të nënshkruajmë një marrëveshje për to”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetari i SASHK-ut.

Nga ana tjetër, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri  më herët kishte theksuar se pret që në mbledhjen e anëtarësisë dhe kryesisë së Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) të pranohet konkluzioni i djeshëm i Qeverisë, me ribalancin e Buxhetit të sigurohen para për rritjen e pagave të punonjësve në arsim dhe kopshte me 10 përqind dhe greva të ndërpritet ndërsa të vazhdojë dialogu social për kërkesat tjera të Sindikatës.

Shaqiri ka vlerësuar se nëse arsyeja e refuzimi të rritjes prej 10 përqind është se ka qenë premtim gojor, tani oferta është me shkrim në përfundimin e parë të seancës së djeshme të Qeverisë.

“Shpresoj dhe duhet të ketë një vendim në favor të fëmijëve. Përkundër mosmarrëveshjes së tyre me situatën, pres që do të ketë mësime dhe do të vazhdojmë me negociatat. Nëse SASHK  vendos sërish për grevë, ne si ministri do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore për realizimin e mësimit. Të dhënat për gjendjen reale do të mblidhen nesër, do të shohim pas të martës. E them përsëri, shpresoj se do të kemi një vendim pozitiv për mësimin e fëmijëve në shkollaat fillore dhe të mesme. Do të mund të negociojmë edhe më tutje për çështje të tjera”, ka theksuar Shaqiri.

Ndërkohë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska tha se grevistëve në çerdhe do t’u paguhen vetëm kontributet dhe jo paga e plotë.

“Marrëveshja kolektive përcakton qartë se çfarë ka në rast greve dhe çfarë detyrohet punëdhënësi. E njëjta është definuar edhe në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ku thuhet se në kushtet e grevës punëdhënësi është i obliguar të paguajë kontribute për të gjithë ata punëtorë që janë në grevë me bazën më të ulët pët pagesën e kontributeve. Neni tjetër i ligjit, 241 i jep mundësi SASHK-ut që të gjithë punëtorëve që janë në grevë t’u paguajë neto pagë”, u shpreh Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndryshe nga dy ministrat Shaqiri e Trançevska, kreu i SASHK-ut Jakim Nedellkov tha se ministritë në fjalë janë të obliguar të bëjnë pagesën e plotë të pagës.

“Këshilli i SASHK-ut konstaton se ministra të caktuar po tentojnë me këmbëngulje t[i frikësojnë grevistët se do t’u shkurtohen mëditjet në ditët e grevës, gjë që ne e konsiderojmë si përpjekje për të parandaluar grevën. Krahas të drejtës ligjore për të paguar pagat gjatë grevës, ekzistojnë nene të marrëveshjeve kolektive që specifikojnë pagesën e mëditjeve gjatë grevës dhe ku thuhet: Punëdhënësi është i detyruar të paguajë kompensimin e pagës për punëtorët e gjatë grevës, për punëtorët pjesëmarrës në grevë në lartësinë e pagës bazë të punëmarrësit nëse sindikata organizon grevë për shkelje të të drejtave të punëtorëve të përcaktuara me ligj, kontratë kolektive ose akt të punëdhënësit. Prandaj, ata nuk duhet të kenë frikë se do t[u shkurtohen mëditjet”, theksoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

 

Të fundit