E premte, 26 Korrik, 2024

KLUBI KULTUROR BULLGAR, MES BASHKËPUNIMIT DHE MOSBESIMIT

Kanë vazhduar reagimet për hapjen e Klubit Kulturor Bullgar në Manastir. Kryeministri Kovaçevnski ka theksuar se fatkeqësisht, me vizitën e fundit të delegacionit bullgar në Manastir, shpirtrat e së kaluarës u zgjuan duke rindezur gjuhën e urrejtjes dhe mosbesimin kundër të cilave luftuam me sukses. Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE ka theksuar se Kiril Petkov humbi rastin për të kërkuar falje për viktimat maqedonase të fashistëve bullgarë në Luftën e Dytë Botërore, siç bëri Willy Brand në Varshavë. Ndëra, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka theksuar se emri i klubit është provokim dhe jo hapja e një qendre të tillë

Shkruan: Puhiza Osmani

Kanë vazhduar reagimet ndaj hapjes së Klubit Kulturor Bullgar në Manastir. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani u shpreh se MPJ e Maqedonisë së Veriut nuk ka krijuar alibi që të reagojnë dhe të bien pre e provokimeve, që e njëjta më pas të përdoret para Bashkimit Evropian, se Maqedonia e Veriut nuk i respekton të drejtat e bullgarëve. Gjithashtu Osmani u shpreh se nuk do të ketë përfshirje të komunitetit bullgar në kushtetutë, pa nisjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

“Ka pasur të pranishëm gjatë hapjes së klubit që të nxisin provokim, kjo vetëm që të gjendet alibi para BE-së që të thuhet më pas, se në Maqedoninë e Veriut vërtetë shkelen të drejtat e bullgarëve. Ky ishte qëllimi ynë, të mos krijojmë alibi se ne nuk i respektojmë të drejtat e pakicave”, tha Osmani.

Në lidhje me këtë situatë kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh se anëtarsimi në BE për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është shumë i rëndësishëm, por sipas tij në këtë rrugë nuk duhet të lejojmë kthimin tek e kaluara dhe të biem pre e provokimeve që lëndojnë ndjenjat tona si qytetarë. Kryeministri e vlerëson hapjen e kësaj qendre që mban emrin e figurës kontroverse historike si nxitje për gjuhën e urrejtjes dhe mosbesimit.

“Që në ditën e parë të mandatit tim si kryeministër kam thënë se nuk devijoj nga fakti se bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë zhvillohen me dinjitet dhe në frymën e vlerave evropiane. Këtij angazhimi i jemi bashkuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Kemi zbatuar projekte konkrete të përbashkëta, kemi përmirësuar marrëdhëniet dhe kemi reduktuar gjuhën e urrejtjes. Fatkeqësisht, me vizitën e fundit të delegacionit bullgar në Manastir, shpirtrat e së kaluarës u zgjuan duke rindezur gjuhën e urrejtjes dhe mosbesimin kundër të cilave luftuam me sukses. Prandaj e kuptoj plotësisht dhe e ndjej zemërimin e qytetarëve në ditët e kaluara”, tha Kovaçevski.

Gjithashtu Kovaçevski tha se momentalish primar është forcimi i dialogut dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve për zgjidhjen e kontestit.

“Ne nuk duhet të lejojmë një kthim të vazhdueshëm në të kaluarën dhe lëvizjet që nënkuptojnë përfitime politike njëditore dhe dëmtim afatgjatë në marrëdhëniet e brishta që po ndërtojmë. Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë me reformat në të gjitha fushat që do ta përgatisin vendin për anëtarësim të plotë në Union”, tha Kovaçevski.

Kritika të shumta erdhën edhe nga kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, i cili konsideron se hapja e klubit dhe vizita e delegacionit ishte vazhdim në serinë e provokimeve kundër popullit maqedonas.

“A e di zoti Petkov se kush është Vanço Mihailov? Shkurt, ai është një nga mohuesit më të mëdhenj të ekzistencës së popullit dhe shtetësisë maqedonase, bashkëpunëtor fashist dhe kundërshtar i luftës antifashiste të popullit maqedonas dhe aleatëve të tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe propagandues i tezës së aneksimit të Bullgarisë së Madhe. Kjo konfirmon se një pjesë e madhe e elitës politike bullgare nuk ka hequr dorë kurrë nga ideologjia fashiste dhe fashizmi i të parëve të tyre”, thotë Dimitrieski.

Gjithashtu Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE tha se Kiril Petkov humbi rastin për të kërkuar falje për viktimat maqedonase të fashistëve bullgarë në Luftën e Dytë Botërore, siç bëri Willy Brand në Varshavë. Sipas tij nëse Petkov vërtet është pro vlerave evropiane dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me Maqedoninë, atëherë të hapen qendra kulturore maqedonase në Blagoevgrad, Sandanski dhe Sofje.

Ish-ambasadori Muhamed Halili theksoi se në Maqedoni duhet të ketë ligj për emrat e ndaluar, siç është “Ivan Mihajlov”. “Nuk kemi ligj për emrat e ndaluar dhe duhet ta kemi”, tha Halili.

Historiani Çavdar Marinov thotë se gjatë regjimit socialist, kur Mihailovi jetonte në mërgim në Itali, personazhi i tij trajtohej në mënyrë negative, si bashkëpunëtor fashist, përgjegjës për vrasjen e shumë të majtëve, pra veprimtarëve komunistë në Bullgari. Por sipas tij marrëdhëniet në shkencën e historisë sot kanë ndryshuar ku edhe në shërbimet sekrete, madje edhe në aparatin qendror të Partisë Komuniste Bullgare e njohin Mihailovin si aleat të mundshëm në polemikat e atëhershme historike për Maqedoninë. Historiani lokalizoi edhe kohën e rehabilitimit të figurës së diskutueshme historike, Ivan Mihajlov në vitin 1989.

Të fundit