E premte, 26 Korrik, 2024

DYGJUHËSIA NË SHKUP PËRPLASË PARTITË SHQIPTARE

Largimi i gjuhës shqipe nga Qendra Informative Kulturore në Shkup ka ngjallur reagimin e partive politike shqiptare. Nga BDI kanë theksuar se ky akt është një tendencë nga ana e opizitës për të nxitur tensione ndëretnike dhe gjuhë të urrejtjes, ndërsa partite opozitare  kanë theksuar se akuzat janë të pabaza dhe kanë për qëllim defokusimin e opinionit.

Shkruan: Enis Shaqiri

Arbër Ademi, shef i grupit parlamentar të BDI-së, ka folur mbi aktet e fundit të drejtorit të QIK për anashkalimin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Ademi ka theksuar se Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, VMRO, dhe Levica me skenarët dhe tendencat e tyre tentojnë të krijojnë nxitje tensionesh ndëretnike dhe gjuhë urrejtjeje. Sipas tij, dy partitë shqiptare qartazi dëshmojnë papjekuri politike, dhe shkelin ligjin për përdorimin e gjuhëve me qëllim që të nxisin dhe krijojnë tensione.

Ky akt, nga ana e drejtorit të Qendrës Informative Kulturore te koalicionit VMRO, Levica, Aleanca dhe Besa ka ngjallur reagime të shumta sepse me këtë veprim partnerët e koalicionit të Aleancës për shqiptarët dhe Lëvizjes Besa dëshmojnë papjekuri politike në njërën anë dhe në anën tjetër thyejnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve që tashmë është në fuqi, me qëllim që të nxisin tensione ndëretnike në kohë kur i gjithë kontinenti po vuan luftën ne Ukraine. Kjo mund të jetë vetëm skenar që shkon në favor Rusisë sikur qe ishte skenari i shumicës se re 61”, ka theksuar Ademi nga BDI.

Nga ana tjetër Ilire Dauti, koordinatorja e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, është sqaruar ndaj deklaratës së lideri të partisë, Ziadin Sela për postin e nënkryetarit të Qytetit të Shkupit.
Ajo potencoi se deklarata e Selës ka qenë në atë drejtim se nuk është koha që të mbajnë poste ceremoniale dhe se si parti do të ndërmarrin të gjitha masat për të rikthyer gjuhën shqipe në Qendrën Kulturore Informative.
“Ne do t’i marrim masat në këtë drejtim sepse nuk mendojmë se duhet të qëndrojmë formalisht”, tha Dauti.

Mes tjerash, Ilire Dauti ka kritikuar shefin e grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademin,si një ish minister, i cili dështoi në arsim dhe që la mësimdhënësit në gjendje të mjerueshme, objektet shkollore si në mesjetë si dhe shumë fëmijë shqiptarë pa paralele në gjuhën e tyre amtare.

“Sot paska fol ish ministri i dështuar për arsim i cili la mësimdhënësit në gjendje të mjerueshme, objektet shkollore si në mesjetë dhe shumë fëmijë shqiptarë pa paralele në gjuhën amtare. Flet ish ministri që lejonte ofendime të shqiptarëve në tekstet shkollore, ndërsa vetë nënshkruante kontrata miliona euroshe për ditarë e libra në katër sy dhe çuditërisht këto raste ende nuk procesohen nga drejtësia e kapur prej tyre,” ka theksuar Dauti

Ndërkohë ka reaguar edhe Lëvizja Besa. Kjo parti deklaratën e Arbër Ademit e sheh si të pa bazë dhe nxitëse, që si qëllim ka të defokusoj opinionin.
“Deklarata e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi është e pa bazë, nxitëse dhe ka për qëllim të defokusojë opinionin nga aferat korruptive dhe pa aftësinë e qeverisë ku BDI bën pjesë. Lëvizja BESA nuk është në koalicion me asnjë parti politike në Qytetin e Shkupit dhe nuk mban përgjegjësi për mos respektimin e gjuhës shqipe që sot po e vëren në shumë institucione që udhëhiqen nga BDI dhe LSDM. Arbër Ademi ka ngatruar adresen, në vend ti drejtohet Lëvizjes BESA le t’i adresojë shqetsimin e tij deri te drejtori i inspektoratit për përdorimin e gjuhëve të cilin e ka nga radhët e partisë së tij,” thonë nga Lëvizja Besa
Nga kjo parti gjithashtu theksojnë se “Arbër Ademi para se të akuzoj të tjerët, ai duhet të jap llogari për tekstet fyese shkollore nga koha e tij, të cilat krijojnë ndasi etnike, duke i nënçmuar nxënësit shqiptar”.

Të fundit