Rusia tha se ua ka ndaluar hyrjen në shtet kryeministrit britanik, Boris Johnson, sekretares së Jashtme, Liz Truss, dhe disa ministrave të tjerë britanikë, për shkak të qëndrimit “armiqësor” të Mbretërisë së Bashkuar për luftën në Ukrainë,-transmeton KDP njoftimin e BBC-së. Britania ka vendosur masa sanksionuese që kanë për qëllim të izolojnë Moskën për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.
Ministria e Jashtme ruse tha të shtunën se masat britanike që janë miratuar në koordinim me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë, po “ngufasin” ekonominë e brendshme.
Rusia njoftoi se në listën e ndalesës janë 13 zyrtarë britanikë, përfshirë edhe ish-kryeministren, Theresa May, sekretarin e Mbrojtjes, Ben Wallace dhe 10 politikanë dhe anëtarë të tjerë të qeverisë britanike. Masa u mor ‘duke pasur parasysh veprimin e paprecedentë armiqësor nga qeveria britanike, në veçanti vendosjen e sanksioneve kundër zyrtarëve të lartë rusë’, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.
Moska paralajmëroi se kjo listë do të zgjerohej “në një të ardhme të afërt”.
Kryeministri i Britanisë Boris Johnson, një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës, ditë më pare vizitoi Kievnn dhe premtoi sanksione më të forta ndaj Rusisë, si edhe i ofroi presidentit Volodymyr Zelenskiy më shumë armë mbrojtëse, një lëvizje që udhëheqësi ukrainas tha se duhet ta bëjnë edhe udhëheqësit e tjerë.
Sanksionet perëndimore, të miratuara që prej se Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, janë vendosur ndaj zyrtarëve rusë, përfshirë edhe presidentin, Vladimir Putin dhe familjen e tij, por edhe ndaj kompanive dhe oligarkëve rusë që shihen si të afërt me udhëheqjen e shtetit./KDP/