E shtunë, 27 Korrik, 2024

AMBASADORJA UKRAINASE NË SHKUP: NE DO TË FITOJMË!

 ‘Ne besojmë se Ukraina do të fitojë dhe do t’i nevojitet një shtytje e madhe ekonomike, e ngjashme me atë që iu ofrua Evropës Perëndimore në Luftën e Dytë Botërore. Nevojitet një plan i ri Marshall për Ukrainën, për shkak se ne po luftojmë jo vetëm për lirinë tonë, ne po luftojmë për vlerat e përbashkëta evropiane’. Kështu ka deklaruar ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalija Zadoruzhnjik. Sikurse transmeton KDP, diplomatja nga Kievi ka bërë të ditur se sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, në Maqedoni aktualisht ka diçka më shumë se 200 refugjatë ukrainas. Ajo ka shprehur mirënjohje përmbështetjen që Maqedonia e Veriut po i jep vendit të saj në këto momente tepër të vështira dhe është deklaruar optimiste se nga kjo luftë Ukraina do të dalë – fitimtare.

Duke folur për tv Klan Macedonia për zhvillimet aktuale në vendin e saj, Zadoruzhnjik rikujtoi se ushtria ukrainase ia ka dalur të çlirojë Kievin dhe zonën përreth nga pushtuesit rusë: Pas çlirimit të Buçës dhe Irpinit në zonën e Kievit nga trupat ruse, e gjithë bota pa pasojat e tmerrshme të pushtimit. Qytete tërësisht të shkatërruara, vrasje masive të civilëve, tortura, përdhunime të grave, vajzave dhe madje edhe të fëmijëve. Kjo është e tmerrshme dhe të gjithë këtë do ta hetojnë institucionet përkatëse ndërkombëtare. Këto veprime kërkojnë një gjykatë për okupatorët rusë. Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale vizitoi  më 13 prill qytetin e Buçës, ku nga dora e pushtuesve rusë humbën jetën disa qindra civilë. Ai deklaroi se kishte arsye serioze për të besuar se në Buçë ishin kryer krime që bien  nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. 42 vende kanë ngritur padi për luftën në Ukrainë kundër Rusisë në GjNP,’-transmeton KDP deklaratën e diplomates Zadoruzhnjik për emisionin Klan Debat të gazetares Biljana Georgievska. Duke e përshkruar gjendjen e popullatës në zonat nën kontroillin rus si tepër të vështirë, ambasadorja ukrainase tha: Në Mariupol nuk jetohet, por ata që mbetën gjallë vetëm se po mbijetojnë, për aq sa munden. Në qytet kanë mbetur rreth 100 mijë njerëz, nuk ka as ushqim e as ujë. Rusët nuk lejojnë as ndihmat humanitare, granatojnë korridoret humanitare, prandaj është e tmerrshme edhe të imagjinohet se çfarë ka mbetur nga Mariupoli dhe sa njerëz kanë mbetur. Kryebashkiaku i Maripoupolit deklaroi se që nga fillimi i pushtimit rus janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë dhe numri i tyre mund të rritet deri në 20 mijë, për shkak se pushtuesit rusë po sulmojnë vazhdimisht qytetin. Në Mariupol janë evidentuar 13 krematoriume të lëvizshme ruse për pastrimin e rrugëve nga civilët e vdekur. Të gjithë dëshmitarët potencial të krimeve të pushtuesve rusë po përpiqen t’i identifikojnë përmes kampeve të filtrimit dhe t’i shkatërrojnë. Pushtuesit, po ashtu, ua kanë marrë pasaportat ukrainase banorëve të Mariupolit dhe forcërisht po i çojnë në Rusi’.

Kryediplomatja ukrainase në Shkup ka komentuar e kthimin bashkëkombësve të saj në kryeqytetin e vendit dhe zonën përreth Kievit. Mesazhi i saj është se ata duhet të jenë të kujdesshëm: ‘Ushtarët tanë lusin që të mos nxitojnë për t’u kthyer, sepse rusët kanë vendosur shumë mina. Ata madje kanë minuar edhe  kufoma të njerëzve. Ka raste kur kanë hedhur në erë makina private, njerëzit i kanë hapur dhe ato kanë shpërthyer duke vrarë njerëz’.

Ambasdorja Natalija Zadoruzhnjik ka dalë në mbështetje të idesë së Uashingtonit për një plan Marshall për Ukrainën: ‘Ne besojmë se Ukraina do të fitojë dhe do t’i nevojitet një shtytje e madhe ekonomike, e ngjashme me atë që iu ofrua Evropës Perëndimore në Luftën e Dytë Botërore. Nevojitet një plan i ri Marshall për Ukrainën, për shkak se ne po luftojmë jo vetëm për lirinë tonë, ne po luftojmë për vlerat e përbashkëta evropiane. Ne nuk mund të humbim sepse atëherë gjithçka për botën do të ndryshonte për të keq. Përveç luftës me Ukrainën, detyra kryesore e Putinit tani është të zgjerojë kufijtë e asaj që është e lejueshme, të ndryshojë arkitekturën e sigurisë, të përdorë të drejtën e forcës e jo fuqinë e së drejtës. Prandaj është e domosdoshme, madje edhe jetike e domosdoshme disfata morale dhe materiale e “Rusisë së Putinit”. Në të kundërtën, kjo nuk ka për të qenë paqe, por një armëpushim i përkohshëm,’– transmeton KDP deklaratën e ambasadores ukrainase për TV Klan Macedonia.

Sipas saj, Kievi ka qenë i interesuar për një zgjidhje diplomatike që para fillimit të luftës:’Edhe tash jemi të përgatitur për negociata, por jo të dorëzohemi’- ka thënë Natalija Zadoruzhnjik, ambasadore Ukrainës në Maqedoninë e Veriut./KDP/

 

Të fundit