Analisti kosovar dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe sulmet disaditore ndaj Policisë, përcjell KDP.
Maliqi thotë se këto sulme me shumë gjasë janë të dirigjuara nga Rusia dhe agjenturat ruse në rajon, megjithatë për momentin përjashton mundësinë e ndezjes së një konflikti me Serbinë.
Ai potencon se ajo që po ndodh në veri, mund të jetë më shumë një dëshirë e Moskës për t’ia vënë flakën veriut të Kosovës, derisa thekson se Beogradi është më i kujdesshëm, meqë në rast të një konflikti me Kosovën, në rrethanat aktuale s’pret ndihmë nga Rusia që është e zënë me luftën në Ukrainë.
I pyetur nëse sulmet e fundit ndaj Policisë ndërlidhen me ndonjë lloj hakmarrje të Serbisë pasi Kosova s’lejoi referendumin dhe zgjedhjet serbe, Maliqi thotë se qëllimi i këtyre sulmeve mund të jetë dëshira për të shkëputur veriun e Kosovës, por shton se s’mund të thuhet se një gjë e tillë bëhet nga instancat më të lartë të pushtetit në Beograd meqë i druhen konfrontimit me KFOR-in si strukturë e NATO-s.
Maliqi këshillon Kosovën që të veprojë qetësisht ndaj provokimeve dhe që të koncentrohet në përmirësimin e raporteve me aleatët perëndimorë.