E premte, 26 Korrik, 2024

BETEJA E VËSHTIRË ME KORRUPSIONIN, AKOMA MBETET SHUMË PUNË PËR T’U BËRË

Lufta kundër korrupsionit mbetet një ndër parakushtet në procesin e integrimeve. Sipas analistëve politikë shteti çdo herë pretendon se e lufton korrupsionin, por gjithnjë mbetet i pranishëm brenda njerëzve që e udhëhqin shtetin. Shumëçka varet nga rezultatet në një proces korrupsioni, thonë ata. Sipas tyre, tashmë ka një qasje më serioze në luftën kundër korrupsionit, por akoma mbetet shumë punë për t’u bërë

 Shkruan: Gentuar Ismaili

Pothuajse vazhdimisht në opinion korrupsioni është temë aktuale. Në njërën anë është pushteti që gjithë kohës thotë se po e lufton korrupsionin dhe në anën tjetër shumë shpesh dalin skandale, ku përfaqësues të pushtetit, dyshohen e përndiqen për korrupsion. Kjo bënë që vazhdimisht pushteti dhe opozita ta akuzojnë njëra-tjetrën, se kush ka më shumë faj për këtë gjendje.

Ndërkaq, Maqedonia e Veriut si kandiate për antarësim në BE, si prioritet kryesor duhet ta ketë luftimin e korupsionit. Se a ka shteti një strategji për luftimin e korrupsioni dhe a është duke e luftuar korrupsionin mbetet një dilemë gjatë tërë kohës.

Analisti politik Sefer Selimi vlerëson se sikur që formalisht kemi strategji për gjithçka e në praktikë asgjë, ashtu është edhe në rastin e luftës ndaj korrupsionit. Sipas tij, shteti çdoherë pretendon që e lufton korrupcionin, por korrupsioni zhvillohet brenda njerëzve që e udhëheqin shtetin.

“Shteti gjithmonë pretendon që lufton korrupsionin, por korrupsioni zhvillohet brenda njerëzve që udhëheqin shtetin – pra pyetja është se a i lufton shteti njerëzit që udhëheqin me të?! Gjithmonë kur ka një proces korrupsioni, më shume se sa rasti është me rëndësi përfundimi. Në qoftë se përfundimi do të jetë në shërbim të së drejtës, kjo mund ta ndihmoj rrugëtimin drejtë BE. Në qoftë se perfundimi do jetë në favor të korrupsionit, gjithsesi se do të vërtetojë ata që janë skeptik se vendi ynë nuk është në BE”, thotë Selimi.

Ndërsa sipas analistit Faton Aliti shteti ka qasje më serioze sa i përket trajtimit të kësaj çështje, ndërkohë që vlerëson se duhet ende edhe shumë punë për të bërë.

“Mendoj se tek ne shihet qartazi një qasje më serioze në këtë drejtim. Kuptohet se kemi shumë punë për të bërë deri sa të arrijmë nivelin e kënaqshëm, por dallimi nga e kaluara është se tani korrupsioni në radhët e qeverisë nuk fshihet, nuk mbrohet, por trajtohet në mënyrë të njëjtë pavarsisht subjektit të hetimit qoftë pozitiv apo negativ”, thekson Aliti.

Përndryshe, sipas raporti të fundit të Transparence International, Maqedonia e Veriut është në pozitën e 111 sa i përket perceptimit të korrupicionit. Ndërkaq, ditëve të fundit në opinion kanë dalë dy skandale, ajo me sekretarin gjeneral të qeverisë Muhamet Zekiri i cili dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka dëmtuar shtetin afro 1 milion euro si dhe skandali me policët në pikën kufitare “Bllacë”, të cilët qartazi i kërkojnë një qytetari nga Shqipëria ryshfet.

 

Të fundit