E shtunë, 27 Korrik, 2024

REAGON GRUEVSKI: KJO ËSHTË VEPËR E LSDM DHE SOROSIT

Ka reaguar ish-kryrministri Nikolla Gruevski pasi emri i tij u gjet në “listën e zezë” amerikane. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Gruevski fajëson qeverinë aktuale të drejtuar nga LSDM dhe filantropin që përkrah partitë social-demokrate George Soros, përcjell KDP.

“Ajo që u publikua sot është folur prej kohësh. Zyrtarët e lartë në Maqedoni nuk fshihnin në qarqe joformale se kishin vite që lobonin që të ndodhte e njëjta gjë.”, shkruan Gruevski.

“Përpjekjet e mia shumëvjeçare për ta zgjidhur çështjen e emrit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që u zgjidh përfundimisht, vendimet që lidhen me krizën e emigrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanik në vitin 2016 dhe disa vendime të tjera për të mbrojtur shtetin dhe interesat kombëtare të Maqedonisë ka acaruar disa vende dhe ka tërhequr shumë kundërshtarë, si George Soros, i cili bëri shumë përpjekje dhe ndau fonde për të rrëzuar qeverinë që unë drejtova.”, vlerëson Gruevski.

“Më vjen keq për vendimin e Departamentit të Shtetit që u shpall sot dhe ndër të tjera më referohet mua. Akuzat për të cilat unë jam në listë janë informacione të pasakta ndaj të cilave ata janë dorëzuar dhe kryesisht rrjedhin nga përndjekja e gjatë politike kundër meje në Maqedoni.”, thotë Gruevski.

Nga ky aspekt, ai thotë se “edhe pse nuk kam asnjë pronë në SHBA, ndjej një padrejtësi të madhe, sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatët e Maqedonisë.”

“Unë kurrë nuk kam punuar për përfitime personale financiare apo materiale. Unë do të vazhdoj të luftoj për të vërtetuar të vërtetën. Unë do të vazhdoj të luftoj për Maqedoninë.”, përfundon Gruevski.

Të fundit