E enjte, 23 Maj, 2024

Një grusht shteti kundër Putinit: Një mendim i dëshiruar apo një mundësi reale?

Nga Oleg Sukhov

“Kyiv Indipendent”

Shërbimet sekrete ukrainase kanë pretenduar se po përgatitet një grusht shteti kundër diktatorit rus Vladimir Putin. Megjithëse pretendime të tilla mund të jenë të dyshimta, analistët mund të vlerësojnë mundësinë e një grushti shteti, duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe politike në Rusi.

Disa prej tyre thonë se një grusht shteti ndaj Putinit ka shumë pak gjasa të ndodhë, ndërsa të tjerë gjykojnë se ky skenar është pothuajse i pashmangshëm, për shkak të vendimit të presidentit rus për të nisur një sulm ushtarak të paprecedentë kundër Ukrainës.

Mbështetja për Putinin në Rusi është është ende e lartë, ashtu si edhe për pushtimin e tij në Ukrainë, ndërsa sanksionet perëndimore nuk e kanë shkatërruar ende ekonominë ruse. Nuk ka shumë njerëz të aftë që ta rrëzojnë Putinin apo që dëshirojnë ta bëjnë këtë në rrethin e tij të ngushtë.

Për më tepër një grusht shteti ndaj Putinit është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Gjithsesi gjasat për një skenar të tillë mund të rriten nëse lufta kundër Ukrainës bëhet jopopullore në Rusi, dhe nëse Kremlini pëson disfata të mëdha në Ukrainë. Në këtë skenar mund të kontribuojë edhe përkeqësimi i mëtejshëm i situatës ekonomike.

“Putini është shndërruar në një simbol, dhe kur njerëzit të zhgënjehen me simbolin, i gjithë sistemi do të shembet. I gjithë sistemi është i fokusuar tek ai”- thotë analisti politik rus Dmitry Oreshkin për “Kyiv Independent”.

Shërbimi sekret ushtarak i Ukrainës, deklaroi më 20 mars se në Rusi po organizohet një grusht shteti. “Në elitën ekonomike dhe politike ruse, po shfaqet një grup njerëzish me ndikim që e kundërshtojnë Vladimir Putinin. Synimi i tyre është ta rrëzojnë sa më shpejt të jetë e mundur Putinin, dhe të rivendosin lidhjet ekonomike me Perëndimin që u shkatërruan si rezultat i luftës kundër Ukrainës”- thuhet në deklaratë.

Më tej theksohej se një pjesë e elitës ruse po konsideron emrin e Alexander Bortnikov, kreut të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), si një pasardhës të mundshëm të Putinit. Gjithnjë sipas raportit, diktatori rus është i pakënaqur me Bortnikov për shkak se FSB i ka dhënë atij informacione të pasakta për Ukrainën, të cilat çuan edhe në dështime të mëdha ushtarake.

Por Genadi Gudkov, një kolonel në pension dhe ish-drejtus i FSB-së, që është shndërruar në një kritik të ashpër të Putinit, është skeptik mbi këto të dhëna. “Ky është vetëm një mendim i dëshiruar. Çdo grusht shteti përgatitet në një mjedis shumë të fshehtë. Nëse është e vërtetë, njerëzit mësojnë për të pasi ka ndodhur”- deklaroi Gudkov më 24 mars për kanalin televiziv “Current Time”.

Një nga parakushtet kryesore për një grusht shteti, është një ndarje e dukshme në elitën politike. Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës dhe izolimin e saj në rritje nga bota e jashtme, kanë shkaktuar tashmë pakënaqësi tek një pjesë e estabilishmentit rus.

Anatoli Chubais, një figurë politike më shumë peshë, që i kishte shërbyer për dekada Putinit dhe paraardhësit të tij, Boris Yeltsin, dha dorëheqjen nga pozicioni i ndihmësit të presidentit rus dhe u largua nga vendit. Arkady Dvorkovich, ish-zëvendëskryeministër dhe kreu i Federatës Ndërkombëtare të Shahut, e ka kritikuar luftën kundër Ukrainës dhe ka dhënë dorëheqjen si kreu i Fondacionit Skolkovo, një qendër e teknologjisë së lartë e financuar nga shteti.

Kundër luftës janë shprehur edhe oligarkët rusë, të cilët kanë ndjekur gjithmonë linjën e Kremlinit ose kanë heshtur mbi çështjet politike. Manjatët Mikhail Fridman, Alexei Mordashov dhe Vladimir Lisin e kanë quajtur luftën një tragjedi, dhe kanë bërë thirrje për paqe.

Manjati i aluminit Oleg Deripaska e ka quajtur luftën një “çmenduri”, që do të turpërojë rusët për disa breza. Analistët politikë rusë Oreshkin dhe Georgy Satarov, thanë se deklaratat e oligarkëve tregojnë një ndarje të qartë në elitën politike.

“Oligarkët e kanë menduar prej kohësh idenë e një grushti shteti. Putin është aq toksik dhe i rrezikshëm saqë ata do të preferonin zëvendësimin e tij. Por ata kanë frikë të flasin për këtë sepse do të vriteshin”- thotë Gudkov.

Por Sergei Sazonov, një filozof politik me origjinë ruse në Universitetin Tartu në Estoni, mendon se oligarkët nuk luajnë asnjë rol në sistemin politik të Putinit, në kontrast me zyrtarët e lartë të shërbimeve sekrete dhe të zbatimit të ligjit.

Një faktor tjetër kryesor që do të përcaktojë të ardhmen e Putinit është mbështetja popullore.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe propaganda e dhunshme shtetërore në televizionet e kontrolluara nga Kremlini, duket se e kanë rritur mbështetjen për Putinin në mënyrë të ngjashme me aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Numri i atyre që mendojnë se Rusia po lëviz në drejtimin e duhur u rrit nga 52 për qind në shkurt në 69 për qind në mars, sipas një sondazhi nga agjencia ruse e sondazheve Levada. Edhe vlerësimi për punën e Putinit u rrit nga 71 për qind në shkurt në 83 për qind në mars.

Sipas një sondazhi të veçantë të Levadas më 4 prill, 65 për qind e të anketuarve ndjejnë krenari, lumturi ose eufori për shkak të luftës kundër Ukrainës, dhe 31 për qind kanë ndjenja negative për të.

Oreshkin beson se ky sondazh pasqyron tendenca të vërteta. Por Satarov tha për “Kyiv Independent” se edhe sondazhet në dukje të pavarura në një diktaturë nuk pasqyrojnë realitetin, sepse të anketuarit e mbështesin Putinin nga konformizmi dhe jo nga besimi i tyre i  sinqertë.

Popullariteti i Putinit mund të bjerë, sapo më shumë njerëz të nisin të ndërgjegjësohen për vdekjet e ushtarëve rusë në Ukrainë dhe ndërsa situata ekonomike do të përkeqësohet më tej, thotë Oreshkin. “Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më keq për Putinin”- thekson ai.

Satarov gjykon se ndjekja penale e krimeve të luftës të Rusisë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare mund të inkurajojë elitën ruse të rrëzojë Putinin.

“Ata do ta paraqesin Putinin si fajtorin kryesor, dhe do ta portretizojnë veten si shpëtimtarë të vendit”- thotë ai. Aktualisht përmendet edhe një paralelizim me Luftë e Parë Botërore. Në vitin 1914, mbështetja ndaj luftës në Perandorinë Ruse ishte e pamasë, por në vitin 1917 zhgënjimi me luftën ishte aq i madh saqë çoi në përmbysjen e monarkisë.

Ndërkohë a janë të mundshme protestat? Oreshkin thotë se janë të mundshme protestat në shkallë të gjerë si rezultat i luftës dhe krizës ekonomike. Por ai shton se vetëm protestat nuk kanë gjasa ta rrëzojnë Putinin. Ai përmendi shembullin e protestave të mëdha të vitit 2020 në Bjellorusi dhe Khabarovsk Krai të Rusisë, të cilat dështuan sepse nuk pati një përçarje të elitës.

Por Oreshkin tha se protestat mund të kontribuojnë në përmbysjen e Putinit duke i inkurajuar komplotistët e mundshëm, dhe duke e bërë më të realizueshëm një grusht shteti. Nga ana tjetër: A është e pamundur ndodhja e grushti shteti?

Agresioni i Putinit kundër Ukrainës është krahasuar shpesh me fillimin e Luftës së Dytë Botërore nga Adolf Hitleri. Rreth 40 komplote të pasuksesshme për vrasje u organizuan kundër Hitlerit, me më të famshmin nga koloneli i ushtrisë gjermane Claus von Stauffenberg më 20 korrik 1944.

Por disa analistë dyshojnë se ekziston një “Stauffenberg” në Rusi. Sergei Pugachyov, bankier dhe ish-bashkëpunëtor i Putinit që tashmë është në përplasje me të, deklaroi më 1 prill se rrethi i brendshëm i Putinit e mbështet sulmin ndaj Ukrainës.

Edeh Gudkov thotë se lufta ka shumë mbështetje brenda FSB-së dhe një grusht shteti do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm. “Çdo dyshim për tradhti ose intriga mund të çojë në vdekje”- thotë ai. Edhe Sazonov gjithashtu beson se një grusht shteti nuk ka gjasa të ndodhë. Sistemi politik rus mbetet i qëndrueshëm nga brenda, dhe ekonomia deri më tani ka pësuar më pak dëme se sa pritej.

Ai thekson se në kontrast me Wehrmacht-in e Gjermanisë naziste, ushtria ruse është e paaftë të organizojë një grusht shteti. Si autoritetet sovjetike po ashtu edhe ato ruse kanë shmangur emërimin në krye të ushtrisë të njerëzve të pavarur, ambiciozë dhe kompetentë, për shkak të frikës se ushtria mund të rrëzonte qeverinë.

Nëse do të ndodhë një grusht shteti, ai ka më shumë gjasa të organizohet nga zyrtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), i cili është relativisht më kompetent dhe më i pavarur se agjencitë e tjera, tha ai. Çdo komplot duhet të përfshijë gjithashtu punonjës të Shërbimit Federal të Mbrojtjes (FSO), sepse ata mbrojnë Putinin dhe kjo është mënyra e vetme për t’u afruar me të.

Marrë me shkurtime

Shënim: Oleg Sukhov, gazetar rus i transferuar në Ukrainë në vitin 2014 për shkak të shtypjes së mediave të pavarura në Rusi./bota.al

Të fundit