Shkruan: Xhelal Neziri
Maqedonia e Veriut dëboi në fund të muajit mars pesë diplomatë rusë për shkak të aktiviteteve të tyre përtej Konventës së Vjenës. Me këtë, që nga maji i vitit të kaluar vendi ka dëbuar gjithsej 7 diplomatë, duke i shpallur të njëjtit “persona non grata”. Neni 9 i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike i jep shtetit pritës të drejtën të njoftojë shtetin dërgues se çdo anëtar i personelit diplomatik konsiderohet persona non grata në çdo kohë, përfshirë edhe para mbërritjes.
Me këto dëbime, stafi i ambasadës së Rusisë në Shkup nga 21 është reduktuar në 14 punonjës. Që nga viti 2015 Rusia kishte rritur stafin e saj në Maqedoninë e Veriut në përpjekje për të rritur ndikimin, nëpërmjet së cilit do të pamundësonte vendin të anëtarësohej në NATO. Por, rotacioni i pushtetit në vitin 2017 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë një vit më pas, e mënjanoi pengesën kryesore – veton greke për emrin – që vendin në mars të vitit 2020 edhe zyrtarisht të bëhet anëtari i 30-të i Aleancës Veri-atlantike.
A do të thotë kjo se fuqia ndikuese e Moskës është reduktuar në minimum? Zvogëlimi i numrit të diplomatëve rus që veprojnë përtej të drejtës së përcaktuar nga Konventa e Vjenës gjithsesi se do të ulë shkallën e ndikimit mbi eshalonët më të ulëta të institucioneve shtetërore. Poashtu, do të zvogëlojë edhe fuqinë ndikuese në opinionin publik, të cilin zakonisht e arrin nëpërmjet mbështetjes me material propagandues të disa portaleve dhe njerëzve me ndikim në sferën publike.
Në këtë grup të propaganduesve gjithsesi se bëjnë pjesë edhe disa parti të vogla por që bëjnë një zhurmë të madhe në drejtim të mbështetjes së Rusisë dhe anatemimit të Perëndimit. Partia e sponsorizuar drejtpërdrejt nga Moska “Maqedonia e Bashkuar” (Obedineta Makedonija) e Janko Bacev rezultoi si një projekt i dështuar. E themeluar në vitin 2018, partia që mbante emrin ngjashëm me atë të Vlladimir Putinit (Obedineta Rusija) nuk arriti as të korrë rezultate zgjedhore, e as të jetë e aftë të organizojë protesta serioze. Aq më tepër kur një vit më pas nga kjo parti u shkëput krahu i Stefan Vllahov Micov, një ultra-nacionalist i cili, me paraqitjet e tij publike, shpesh shkaktonte përçarje dhe armiqësi ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë. Vendin e partisë së Baçev tash duket se e ka zënë “E Majta” (Levica) e Dimitar Apasievit. Retorika ultra-nacionaliste dhe përkeqësuese për marrëdhëniet maqedonaso-shqiptare dhe maqedonaso-bullgare është karakteristikë edhe e këtij subjekti politik, i cili sipas emrit duhej të promovonte vlera ideologjike majtiste, të cilat janë mbietnike dhe anti-nacionaliste. Partia e Apasievit ka vetëm dy deputetë në Parlament, por anketat e fundit tregojnë një tendencë të rritjes së përkrahjes në elektorat. Në zgjedhjet e radhës ky subjekt vlerësohet se mund të fitojë deri më 8 deputetë në një Parlament që numëron gjithsej 120, gjë që mund ta faktorizojë edhe më shumë në skenën politike të vendit. Ndërkohë, portali në gjuhën maqedonase Antropol, një media e afërt me partinë “E Majta”, është vënë hapur në mbrojtjen dhe promovimin e pozicioneve të Rusisë në luftën e saj me Ukrainën. Nëpërmjet analizave nga ekspertë ushtarakë, reportazheve nga rajonet ukrainase të kontrolluara nga ushtria ruse dhe përmbajtjeve tjera, ky portal tenton të ndërtojë një imazh pozitiv për Rusinë.
Paralelisht me Maqedoninë e Veriut, Bullgaria vetëm brenda muajit mars të këtij viti ka dëbuar gjithsej 12 diplomatë rusë. Në këtë shtet vlerësohet se ndikimi i Rusisë është më i lartë se në çdo vend të BE-së, ndërkohë që disa parti parlamentare mbështesin haptazi apo tërthorazi Moskën. Ditë më parë, në një bashkëbisedim me gazetarët, kryeministri i Bullgarisë Kirill Petkov la të kuptohet se një ndër arsyet e dëbimit të diplomatëve rusë është aktiviteti i tyre në drejtim të pengimit të një marrëveshjeje me Shkupin, e cila do të hapte rrugën për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të nisin bisedimet me Brukselin për anëtarësim në BE.
“Ne po hetojmë një diasporë të madhe ruse që jeton në Bullgari. Ne shohim se ata punojnë për shumë interesa të ndryshme. Më është raportuar se ka agjentë që kanë punuar kundër mirëkuptimit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Petkov. I pyetur nëse aksioni i prokurorisë ndaj agjentëve rusë në strukturat e sigurisë Bullgare ka lidhje me këtë, Petkov nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. “Interesi rus ka qenë i përqendruar që të mos ketë të ardhme evropiane për Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Petkov.
Bllokada e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e saj drejt BE-së siguron edhe më tej një hapësirë manovrimi për Rusinë. Ky kontest që ka të bëjë me historinë e para vitit 1945 dhe gjuhën maqedonase, i cili u besua se u mbyll me Traktatin e Miqësisë së nënshkruar nga të dyja qeveritë në vitin 2017, u problematizua sërish në vitin 2019. Para nënshkrimit të Traktatit Shkup-Sofje, presidenti i Rusisë Vlladimir Putin doli me një deklaratë që ngjalli reagime të shumta në Bullgari. “Sot në Rusi është një ditë festive sepse shënohet Dita e Alfabetit Cirilik, i cili na erdhi nga toka maqedonase”, tha Putin gjatë një ceremonie në Moskë dekorimin e ish-presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov. Putin e dha këtë deklaratë në maj të vitit 2017, vetëm një javë para votimit të qeverisë së re pro-perëndimore në Shkup.
Njëjtë si me tentimet për bllokimin e arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila mundësoi anëtarësim në NATO, duket se Moska po minon edhe Traktatin Shkup-Sofje me qëllim të pamundësimit të anëtarësimit në BE. Tani kur Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria si anëtare e BE-së janë rreshtuar kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, edhe integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor paraqet poashtu rrezik për interesat ruse në këtë rajon.
*Teksti fillimisht është botuar në portalin gjeopolitik The Geopost