Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj vajzave të presidentit rus Vladimir Putin, si përgjigje ndaj vrasjeve të civilëve ukrainas që dyshohet se janë kryer nga ushtarët rusë.
Sikurse transmeton KDP njoftimin e të përditshmes londineze ‘The Times’, në listën e propozuar që duhet të miratohet nga qeveritë evropiane, ndodhen edhe dhjetëra individë të tjerë, midis të cilëve ka personalitete politike, oligarkë dhe anëtarë të familjeve të tyre, si dhe disa propagandistë.
Sanksionimi i vajzave të Putinit, Katerinës dhe Marisë, është një veprim kryesisht simbolik, pasi nuk dihet se ato kanë pasuri të konsiderueshme jashtë Rusisë, por synon të tërheqë vëmendjen e tij.
Jeta e vajzave të Putinit është e mbuluar me një vello fshehtësie, ato kanë mbiemra të ndryshëm të vajzërisë dhe Kremlini nuk i ka konfirmuar kurrë emrat e tyre e as që ka publikuar foto të tyre si të rritura.
Në vitin 2015, Putini zbuloi disa detaje për vajzat e tij, ndër të tjera se të dyja kanë mbaruar universitetet ruse dhe flasin disa gjuhë.
Maria Vorontsova, vajza e tij e madhe, është bashkëpronare e kompanisë Nomenko, e cila është e lidhur me projekte investimesh kryesisht private ruse në shëndetësi.
Katerina Tikonova drejton Institutin për Inteligjencën Artificiale në Universitetin Shtetëror të Moskës.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk ishte i njohur me propozimin e BE-së për të sanksionuar vajzat e Putinit dhe se pret publikimin e tij zyrtar.
BE planifikon të targetojë edhe mbi dhjetë personalitete të tjera nga sektori i mbrojtjes dhe katër banka që janë shkëputur nga sistemi global i pagesave Swift, por nuk janë nën sanksione të plota. Gjithashtu është propozuar ndalimi i importit të qymyrit rus.
Paketa e sanksioneve duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare të BE-së.