E premte, 19 Prill, 2024

NJË LYPËS NË NEW YORK

Shkruan: Muhamet MJEKU/SHBA

 

Në një mëngjes të hershëm, u nisa për Merkaton italiana në Bronx, NY, një zonë ku më së shumti gravitojnë shqiptarët në Amerikë, e quajtur edhe “Albania e Vogël”. Rruga më zgjaste rreth 40 minutash. Duke ecur këmbë, që këtë udhë e bëj përditë më shumë dëshirë, në një qoshe të “Fordham University” një lypës me ngjyrë me një buzëqeshje të ëmbël qëndronte në këmbë që ua drejtonte të gjithë atyre që kalonin pranë tij “Një dollar, ju lutem”!. Kjo gjë s’më bëri përshtypje se të tillë ka gjithandej botës sonë kontraverze. Nuk e ktheva kokën në drejtim të tij, ndërsa bëra disa hapa përpara.

“Faleminderit, zotëri! Paç një ditë të bukur!”, më tha me të njëjtën buzëqeshje si në fillim. Kur e dëgjova këtë shprehje aq njerëzore të tij, u ktheva prapa, i dhashë një dollar. Lypësi, përsëriti të njëjtën frazë. E ndjeva vetën të lehtësuar që, me aq pak send, iu përgjigja sjelljes së tij aq befasuese për mua. Si çdo kush tjetër, edhe unë kam pasur rast, kur lypësi shtrinë dorën, por nëse s’ka marrë gjë, ka shprehur një lloj kundërshtie në heshtje, me mimik ose me një ndonjë gjest tjetër. Vazhdova rrugën dhe po mendoja “Faleminderit, zotëri. Kalofshi një ditë të bukur”. Ndoshta, ai nga përvoja ka gjetur mënyrën t’i afronte në këtë mënyrë njerëzit kalimtarë. Nuk e di!
Për mua kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka fakti se çfarë përshypje njerëzore mund t’u lë një lypës tek kalimtarët e rastit me një zemër të madhe, e me duar të zbrasta.

Në Amerikën e Madhe, shumë regjisorë filmash kanë zbuluar artistë në rrugë, të cilët kanë bërë karierë e famë në Holiwood. Një nga ta, ndoshta ka mundur të jetë edhe përshëndetësi i kalimtarëve “Një dollar, ju lutem”.
Këto radhë dikujt s’i bëjnë përshtypje, por u nisa nga empatia emocionale.

Të fundit