E premte, 26 Korrik, 2024

VIDEO / AHMETI DHE SELA DAKORDOHEN PËR ZGJIDHJEN E “20 PËRQINDËSHIT” TË KUSHTETUTËS

Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela sot në dy konferenca të ndryshme dhanë të njëjtin mesazh: është koha që të rregullohet çështja e “20 përqindëshit” në Kushtetutë. Ahmeti, madje, i ka dëshiruar Selës ta mbledhë të gjithë opozitën. “Dëshiroj të bëhet i fortë sa malet”, tha Ahmeti.

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Por, Ahmeti ka refuzuar të komentojë zgjedhjen e Selës sërish në krye të ASH-së. “Unë nuk kam ndonjë koment për zgjedhjen e tij si kryetar partie, sepse ai i di hallet e veta, paria e tij i di hallet e veta. Unë kam aq shumë punë në BDI sa që nuk kam kohë të mendoj se çka do të bëj zotëri Sela”, tha Ahmeti.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, ndërkaq, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se partia e tij mbështet ndryshimet kushtetuese me çka do të hiqej 20 përqindëshi si përcaktues për shqiptarët në Kushtetutë. Sela tha se “shqiptarët nuk duhet të trajtohen me definicione ofenduese në kuadër të kushtetuese”. Sela theksoi se partia e tij ndanë të njëjtin shqetësim me një numër të madh të qytetarëve sa i përket regjistrimit, ku element bazë dyshimi janë drejtori dhe zv/drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS).

“Ndryshimet kushtetuese, e para punës, nuk duhet të varen nga regjistrimi i popullsisë. Qëndrimi i ASh-së është konsistent dhe i përhershëm i shprehur shumë herë publikisht edhe kur është hapur Kushtetuta. E dëshmuar edhe me amendamente në cilat segmente mendojmë se duhet ndryshuar Kushtetuta, dhe po, Kushtetuta duhet ndryshuar!”, theksoi Sela.

Nga ana tjetër kreu i BDI-së Ali Ahmeti në lidhje me përqindëshin shqiptar në Kushtetutën e RMV-së komentoi se është çështje kohe, dhe se kur të hapet kushtetuta edhe ky dakordim do të bëhet.

 

“Ky 20 përqindëshi duhet shpjeguar mirë. 20 përqindëshi është instaluar në Kushtetutën e Maqedonisë së një moment për të arritur kompromis, sepse 20 % në Kushtetutën e RMV-së nuk e cenonte substancën e avancimit të çështjes shqiptare në RMV. Kemi bërë kompromis dhe kemi qene te sigurt se me kalimin e kohës kjo çështje do të vije në momentin më të mirë që do të ndryshohet dhe ka vullnet të mirë prej të gjitha palëve që në momentin e parë që të hapet Kushtetuta për ndryshime dhe avancime të tjera, do të rregullohet”, tha mes tjerash Ahmeti.

Ahmeti mes tjerash komentoi zërat rreth rezultateve të regjistrimit duke u shprehur se ky proces nuk duhet të shndërrohet në betejë politike, dhe të shfrytëzohet për pikë politike, dhe se regjistrimi statistikor është monitoruar nga Organizatat e Kombeve të Bashkuara (OKB) me ekspert përkats të fushës së statistikës.

“Regjistrimin, statistikat në vend nuk duhet shndërruar në një betejë të pakuptimtë ndëretnike. Edhe unë jam qytetar i këtij vendi dhe i shoh reagimet, por kjo më ngjan se të gjithë këtë betejë po e shndërrojnë për të fituat poenë politik dhe rejting në fushën politike. Kjo ndërmarrje statistikore është menaxhuar, është monitoruar nga institucione relevante të OKB-së me ekspertë të fushës së statistikë dhe ky është rezultati. Këto rezultate gjithashtu janë mbështet politikisht edhe nga BE-ja edhe nga SHBA-ja. Poqëse hapim konteste shqiptarët do thonë nja 200 deri 300 mijë nuk janë regjistrua, maqedonasit po ashtu, serbet, turqit po ashtu dhe çka bëjnë, ne shtetin tonë e shndërrojmë në një arenë debatesh që nuk shpijnë askund përveç acarimeve të brendshme të etnive. Në çdo vend ka 1-12 për qind të popullatës që nuk regjistrohet. Këtë mund ta kenë bërë edhe shtetasit tanë të cilët nuk i janë përgjigj thirrjes së institucioneve të shtetit për regjistrim”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Të fundit