E premte, 26 Korrik, 2024

FATURAT “PAUSHALLE” NËN “THJERRËZËN” E AVOKATIT TË POPLLIT

Avokati i Popullit ka ngritur si çështje shqetësimin e qytetarëve për faturat e larta paushalle të energjisë elektrike, ndërkohë që ka bërë të ditur se do të ngrejë iniciativën që këto operatorë të bëjnë leximin më të shpeshtë të matësve. Nga EVN kanë theksuar se asnjëherë nuk ngarkojnë detyrim monetar më të madh nga ajo që konsumatori ka harxhuar. Nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për fatura të larta të energjisë, ndërkohë që më herët janë organizuar edhe protesta.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Avokati i Popullit, Naser Zyberi në një konferencë për shtyp ka njoftuar se një numër shumë i madh i ankesave janë si rezultat i faturave shumë të larta nga ana e EVN-së kryesisht dhe në këtë drejtim ai potencoi se duhet të intervenohet urgjentisht.

Operatorët që bëjnë furnizimin me energji elektrike janë të obliguar që një herë në vit të bëjnë leximin e matësit të energjisë elektrike, ka theksuar Zyberi.

EVN faturon llogari paushalle pa e lexuar matësin e energjisë elektrike dhe jo çdoherë faturat e muajit pasardhës korrigjohen prandaj Avokati i Popoullit do të ngrejë iniciativën që këto operatorë të bëjnë leximin më të shpeshtë të matësve nëse jo për çdo muaj së paku në dy muaj që të tejkalohet kjo problematikë, ka theksuar Zyberi.

Nga ana tjetër pas pohimeve të Avokatiti të Popullit se qytetarët ankohen tek ai se i marrin faturat e larta të rrymës që nuk e kanë shpenzuar dhe se shpeshherë paguajnë edhe avans, kanë reaguar nga kompania EVN.

Nga EVN thonë se asnjëherë nuk ngarkojnë detyrim monetar më të madh nga ajo që konsumatori ka harxhuar por për shkak të disa arsyeve që numërojnë ato, orëmatësi ndodh që të mos lexohet në kohë por me anë të leximit të ardhshëm bazohet vlera në varësi të asaj nëse konsumatori ka harxhuar më shumë ose më pak se fatura e fundit që i ka ardhur.

“Edhe pse me Ligjin për Energjetikë, Rregullat e Rrjetit dhe Rregullat e Furnizimit është e paraparë që leximi i njehsorëve duhet të bëhet një herë në vit, ekipet e Elektrodistrubimit këtë e bëjnë për çdo muaj. Por, ndodh që orëmatësi të mos lexohet për arsye të ndryshme{ konsumatori nuk është prezent (nuk është në shtëpi ose objekt), për shkak të pengimit të ekipeve nuk kanë qasje deri te pika matëse, kushtet e rënda të motit, pushime mjekësore të lexuesve, izolim për shkak të korona virusit etj. Në qoftë se orëmatësi nuk është lexuar, në këtë  rast faturohet vlerë e supozuar si mesatare e konsumit gjatë 12 muajve të fundit, konsumatori mund të paraqesë gjendjen e konsumit përmes ueb-faqes evnonline.mk, përmes e-mailit, telefonit dhe në zyrat e pranimit të Qendrave Energjetike të Konsumatorëve dh e kështu shërbimet tona të punës do t’i kryejnë korrigjimet përkatëse”, thuhet në reagimin e EVN-së

Sipas EVN-së, Fatura e supozuar nuk nënkupton automatikisht faturë më të lartë të energjisë elektrike. “E njëjta mund të përmbajë edhe vlera më të ulëta në krahasim me konsumin real gjatë muajit përkatës. Gjithashtu, fatura më e lartë e energjisë elektrike mund të jetë edhe pasojë e barazimit pas leximit të kryer të gjendjes së konsumit, për të cilën gjendje gjatë muajit të kaluar është dërguar faturë e supozuar me vlera më të ulëta nga konsumi real”, thonë nga EVN.

Me vite të tëra në vazhdimësi ka pasur ankesa nga qytetarët për fatura të larta të energjisë elektrike. Janë regjistruar edhe raste të skajshme të pagesave të larta edhe për shtëpi të pabanuara, në fakt për shtëpi që gjithë anëtarët i ka në mërgim. Një kohë pikërisht për faturat e larta janë organizuar edhe protesta nga ana e grupeve joformale.

Gjithnjë ka mbetur dilema nëse faturat paraqesin vlerën reale të harxhimit të energjisë elektrike. Kjo është hera e parë që një institucion siç është Avokati i Popullit ta ngre si çështje këtë shqetësim të qytetarëve

 

 

Të fundit