E shtunë, 27 Korrik, 2024

GËRVALLA: KOSOVA NUK BESON NË NJË PROCES TË UDHËHEQUR NGA SERBIA

“Unë jua them në një mënyrë shumë të sinqertë, Kosova nuk beson në një proces i cili është udhëhequr nga Serbia për të përjashtuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, Nuk është rastësi që as Kosova, as Mali i Zi dhe as Bosnja dhe Hercegovina nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur. Sepse të tre këto shtete Serbia çdo ditë punon për t’i destabilizuar, në Bosnje punon intezivisht dhe shumë hapur për ta copëtuar në disa pjesë”, ka theksuar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në tryezën e rrumbullakët të organizuar në UEJL në temën “Sfidat e shteteve të reja në politikën e jashtme”. Rektori Abdylmenaf Bexheti ka theksuar se përderisa nuk arrijmë të rregullojmë marrëdhëniet politike si parakusht për marrëdhënie të mira ekonomike, këta të dytat do të mbeten vetëm dëshirë dhe paralajmërim për një mbulesë të caktuar të dështimeve përkatëse

Shkruan: Enis Shaqiri

Në Universitetin e Evropës Juglindore është organizuar një tryezë e rrumbullakët në temën “Sfidat e shteteve të reja në politikën e jashtme”, ku e ftuar ishte ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Ngjarja është organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkohore pranë UEJL-ës, ndërsa të pranishëm ishin ish politikanë, ambasadorë, profesorë, ndërsa panelist ishin  prof.Ylber Sela dhe Bekim Nuhija.

Në hapjen e këtij panel diskutimi, rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti ka folur mbi iniciativën “ Ballkani i Hapur”. Sipas tij, për një bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik ka disa parakushte tjera të natyrës politike.

“Ka një kohë të gjatë që po flasim për Ballkanin e Hapur si iniciativë e bashkëpunimit regjional në kuptimin e lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, ideve, kapitalit e kështu me radhë. Harrojmë se kjo për t’u zhvilluar ka disa parakushte tjera të natyrës politike për bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik. Harrojmë se shteti i ri ka edhe ekonomi të re. Ne në teoritë ekonomike themi ekonomi foshnjore që nuk kanë kapacitetin që t’i konkurrojnë e aq më pak të maten me ekonomitë tjera në regjion të cilat edhe për nga vëllimi, struktura dhe hilet në një periudhë të gjatë kanë akumuluar më shumë potencial ekonomik, më shumë energji ekonomike dhe ne nuk mund ta përballojmë dot”, tha Bexheti.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e pyetur nga KDP se cili është opinion i saj në lidhje me Ballkanin e Hapur, ajo mes tjerash ka theksuar se ndaj kujt është ky Ballkan i Hapur dhe ndaj kujt është i mbyllur, dhe se ku dëshiron ta dërgoj rajonin ky Ballkan i hapur në dyert e Rusisë apo në drejtim të BE-së.  Sipas saj, nuk ekziston as edhe një dokument i vetëm i cili shpjegon se çka synon Ballkani i Hapur dhe se cilat janë synimet afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata.


“Unë jua them në një mënyrë shumë të sinqertë, Kosova nuk beson në një proces i cili është udhëhequr nga Serbia për të përjashtuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, Nuk është rastësi që as Kosova, as Mali i Zi dhe as Bosnja dhe Hercegovina nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur. Sepse të tre këto shtete Serbia çdo ditë punon për t’i destabilizuar, në Bosnje punon intezivisht dhe shumë hapur për ta copëtuar në disa pjesë”, tha Gërvalla.

Gërvalla tha se ajo çfarë ka ndodhur më 24 shkurt të këtij viti e ndanë botën qartë në dy grupe, pro apo kundër Putinit, dhe se Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria janë përcaktuar qartë në lidhje me agresionin rus. Sipas saj, nuk mjaftojnë shprehjet gojore në OKB nga ana e Serbisë që e dënojnë agresionin rus pasi e krahasojnë me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Vlladimir Putin Kosovën më përpara e përmendte një herë në muaj, sot e përmend disa herë në javë për të arsyetuar veprimet e tij. Rajoni duhet të jetë shumë i vëmendshëm ndaj kësaj. Për mua personalisht ideja e Ballkanit të Hapur ka vdekur, nuk ka Ballkan të Hapur me një shtet, i cili shumë qartë është në anën e Putinit. Unë nuk jam ajo që duhet t’i jap as mendime as këshilla një shteti fqinj të cilin e respektoj në maksimum. Me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme në të gjitha sferat përtej politikës. Ballkani i Hapur edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut është një gjest ku ne mendojmë se është një qosh sokak, aq më tepër mbas 24 shkurtit. Ky është qëndrimi ynë”, tha Gërvalla.

Rektori Bexheti tha se nuk mund të ketë marrëdhënie reciproke meritore ekonomike nëse një shtet i përdor vetëm kur t’i vijë mirë.
“Zakonisht po themi, ja në rregull por këta shtete që e pranuan Ballkanin e Hapur sot po i shohin benefitet nga ajo, në kuptimin për të importuar grurin. Jam i sigurt se po të ishte tani Kosova pjesë e Ballkanit të Hapur, po ta kërkonte grurin atje ku e marrin këta tjerët nuk do ta merrnim dot fare. Te çështjet ekonomike duhet të shihet ekuilibri ekonomik. Plotësisht ndaj mendimin se përderisa nuk arrijmë të rregullojmë marrëdhëniet politike si parakusht për marrëdhënie të mira ekonomike, këta të dytat do të mbeten vetëm dëshirë dhe paralajmërim për një mbulesë të caktuar të dështimeve përkatëse. Shtetet e reja duhet të ndërtohen dhe zhvillohen në baza të fuqizimeve ekonomike”, tha Bexheti.

Të fundit