E shtunë, 27 Korrik, 2024

BARDHYL DAUTI PËR KDP: BALLKANI I HAPUR FORCON SERBINË, E SHNDËRRON BEOGRADIN NË QENDËR TË RAJONIT

Profesori universitar i makroekonomisë, Bardhyl Dauti, thotë se nisma Ballkani i Hapur promovon integrimin politik rajonal të shteteve të Ballkanit Perendimor, të paintegruara deri më tani në BE, brenda një tërësie politike dhe teritoriale që për epiqendër politike do të kishte Beogradin.

Në një deklaratë për KDP, Dauti thekson se kjo iniciativë ka për qëllim forcimin e ndikimit politik dhe ekonomik të shtetit sërb në rajon.

 

Shkruan: ELJESA DERVISHI

 

Ky proces mund të marrë jehonë, për sa kohë që idetë politike të integrimit të shteteve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Evropian, zbehen dukshëm. Ne këtë kontekst, Ballkanin e Hapur e shoh më shumë në një trajtë paralele ndaj procesit te Berlinit dhe jo si mbindërtim apo derivat te kësaj të fundit. Pra, më shume si zëvendesuese sesa plotësuese të procesit të Berlinit”, thotë Dauti.

Sipas tij, proceset politike paralele të cilët mund të jenë në garë për zëvendësim të njëra-tjetrës, nuk pritet të prodhojnë stabilitet institucional në një të ardhme afatmesme për popujt dhe shtetet që janë pjesë të tyre, pavarësisht konjukturës politike e teritoriale brenda së cilës operojnë.

Në këtë drejtim, Jugosllavia dhe BRSS-ja përbëjnë shembuj miniature të Ballkanit të Hapur. Besoj se vetëm proceset politike që mund të jenë në kohezion të plotë të njera tjetrës, siç është procesi i Berlinit në relacion me politikat eurointegruese në Bashkimin Evropian, mund të jenë frytdhënëse për promovim të stabilitetit institucional, demokracisë konsensuale, sundimit të ligjit dhe zhvillimit normal të jetës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaron Dauti.

Ballkani i hapur, sipas tij, nuk është i vetëmjaftueshëm për krijim të kapaciteteve institucionale në funksion të mirëqenies kolektive, për arsye të mungesës së resurseve financiare dhe politike.

Në këndin ekonomik, nisur nga hipotzat ekonomike të Michael Porter, profesor universitar nga Universiteti i Harwardit, të zbërthyera në veprën e tij kapitale,’’Competitive advantage of nations’’, ku sipas autorit, avantazhet nacionale krijohen më shumë nga presionet politike që udhëhiqen dhe drejtohen, në kushte sfidash politike dhe më pak nga faktorët autonom të prodhimit, Ballkani i hapur do të mundësonte dominim të ekonomisë nacionale të vendit që udheheq mbi bazë të premisës së avantazhit konkurues në raport me ekonomitë tjera dhe në këtë vijë qëndron Sërbia, e cila ka masë dhe rritje ekonomike trefish më të lartë sesa mesatarja rajonale dhe pesëfish më të fuqishme sesa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, thotë profesori universitar i makroekonomisë.

Në këtë kontekst, ai thekson se “Sërbia do të përfitonte dukshëm nga çmimi i ulët i faktorëve të prodhimit (punë, tokë dhe kapital) të ekonomive tjera nacionale dhe mbi bazë të koncepteve të ekonomisë së shkallës dhe hapësirës ekonomia sërbe do të ishte blerëse e faktorëve ballkanas të prodhimit dhe dominuese në aspekt të ekspansionit të ofertës agregate”.

Kjo do ti mundësonte Sërbisë rritje ekonomike shtesë dhe të shpejtë, të shoqëruar me inflacion të ulët. Në anën tjetër ekonomitë pësuese Ballkanike, në rastin konkret, ekonomitë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në mënyrë që të largohen nga pozicioni shitës i faktorëve të prodhimit, potencialisht mund të detyrohen të aplikojnë politika restriktive të importeve sërbe, thjesht, për të stimuluar prodhimin vendas dhe kjo do të shoqërohej me uljet të outputit potencial dhe rritje të inflacionit të prejardhur nga kërkesa, sepse resurset e shteteve pësuese do të ishin dukshëm të margjinalizuara, për gjenerim të rritjes ekonomike. Në këtë rast, varshmëria e ekonomive pësuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nga Sërbia, në një cikël të dytë të aktivitetit ekonomik do të rritej dukshëm”, thotë Dauti.

Ai vlerëson se “po ta përkthejmë këtë analizë në relacion të aktualitetit ekonomik të diktuar nga trendi gjeopolitik që rrjedh nga Ukraina, mund të mësojmë se integrimet ekonomike mini-rajonale Ballkanike, nuk janë alternativë për integrimin e rajonit të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht integrimet e vogla rajonale nuk pritet te prodhojnë mirëqenie të qëndrueshme në plan afatgjatë”.

Në kushte të ndonje brishtësie potenciale të sigurisë rajonale secili shtet fokusohet në interesin e vet afatshkurtër dhe afatmesëm. Në këtë drejtim, të gjithë jemi dëshmitarë se qeveritë e vendeve të Ballkanit të Hapur sjellin vendime për ngrirje të çmimeve të të mirave bazë dhe të të mirave që i gjenerojnë nga sektorët me përparësi krahasuese të shoqëruara me vendime shtesë për ndalesë të eksporteve të këtyre të mirave, përkundër faktit që Ballkani i hapur promovon lëvizje të lirë të mallrave dhe kapitalit. Në këto kushte, pasuria e kombeve matet me kapacitetet vetëprodhuese të ekonomive të tyre dhe jo me kapacitetet për gjenerim të vlerës së re, në emër të tregtimit të të mirave të vetëprodhuara, andaj duhet patur kujdes me Ballkanin e Hapur që të mos i mundësohet ekonomisë dominuese eksploatimi i faktorëve të prodhimit të ekonomive tjera pjesmarëse në këtë strukturë politike-ekonomike”, thekson profesori i makroekonomisë,  Bardhyl Dauti.

Ai shprehet i bindur se ‘”Ballkani i Hapur, i pa projektuar mirë mbi bazë të mekanizmave të konsensualitetit politik dhe ekonomik, përmes kontrollit reciprok të shteteve pjesmarëse në të, do të ishte i njëanshëm në favorizime zhvillimore dhe jo i njëtrajtshëm në promovim të zhvillimit gjithpërfshirës”.

Ndryshe, iniciativa Ballkani i Hapur ka nisur në vitin 2019 nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me emrin “Mini-shengeni ballkanik”. Në 2020 mori emrin Open Balkan dhe deri më tash u duk atraktive vetëm për Maqedoninë e Veriut. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, ndërkaq, kanë hezituar t’i bashkëngjiten nismës.

Kjo iniciativë promovon zbatimin e katër lirive themelore të BE-së, si: liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Ditë më parë Maqedonia e Veriut promovoi korsinë e gjelbër për kalim të kamionëve pa ndalesa në pikën kufitare me Serbinë, ndërkohë që paralajmëroi të njëjtën edhe për Shqipërinë.

 

Të fundit