E hënë, 20 Maj, 2024

BE: Siguria e Ballkanit nuk mund të merret si punë e kryer

Siguria e Ballkanit Perëndimor nuk mund të merret si punë e kryer, thuhet në një dokument strategjik të Bashkimit Evropian (BE).

Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes të shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar në takimin e tyre në Bruksel kanë miratuar dokumentin strategjik për vizionin e sigurisë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm të titulluar si “Kompasi strategjik”. Edhe pse puna në përpilimin e këtij dokumenti kishte nisur para dy vjetësh, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zënë vend në këtë dokument dhe ka ndikuar edhe në versionin përfundimtar të tij.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se kur është nisur puna në këtë dokument strategjik, askush nuk ka mundur ta marrë me mend se me çfarë sfidash do të përballemi sot.

Në dokument, BE-ja zotohet që të punojë me parterët në tërë botën për të forcuar sigurinë dhe për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. Në këtë drejtim, blloku evropian ka përmendur Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Japoninë, por edhe Ballkanin Perëndimor dhe vendet e fqinjësisë.

Situata dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sidomos kriza e brendshme në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, janë përmendur po ashtu në këtë dokument strategjik të BE-së.

Në këtë dokument thuhet se “siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të nënkuptohet si punë e kryer”. Si sfida të sigurisë përmenden ndikimet e faktorëve të jashtëm, përfshirë edhe përmes fushatave të dezinformomit, por edhe mundësia që kriza në Ukrainë të bartet edhe në Ballkan dhe në pjesë të tjera të Evropës.

“Në këtë drejtim, me interes të veçantë është që të mbështetet sovraniteti, uniteti dhe integriteti territorial i Bosnjë e Hercegovinës, i bazuar në barazinë dhe mosdiskriminimin e të gjithë qytetarëve dhe popujve konstitutiv, ashtu siç është thënë edhe në Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, sikurse edhe procesi i reformave në rrugëtimin evropian dhe të çojmë përpara dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në këtë dokument.

Poashtu, në dokumentin strategjik të BE-së përsëritet nevoja për përparim në sundim të ligjit./REL

Të fundit