E enjte, 23 Maj, 2024

Rusia pretendon se ka 40,000 sirianë të gatshëm për luftë në Ukrainë

Rusia ka përpiluar lista me 40,000 luftëtarë të ushtrisë siriane dhe milicitë aleate që duhet të vihen në gatishmëri për t’u shpërndarë në Ukrainë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Më herët në mars, Kremlini tha se vullnetarët, përfshirë ata nga Siria, janë të mirëpritur për të luftuar me ushtrinë ruse në Ukrainë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut në Londër dhe aktivistët thanë se oficerët rusë, në koordinim me ushtrinë siriane dhe milicinë aleate, kanë funksionalizuar zyrat për regjistrim në zonat e kontrolluara nga regjimi.

“Më shumë se 40,000 sirianë janë regjistruar deri më tani për të luftuar me Rusinë në Ukrainë”, tha Rami Abdel Rahman, i cili drejton organizatën britanike.

Moska është duke rekrutuar sirianë që kanë fituar përvojë luftarake gjatë luftës civile 11-vjeçare në Siri, për të mbështetur pushtimin e Ukrainës, të cilin Rusia filloi më 24 shkurt.

Oficerët rusë, të cilët ishin pjesë e trupave që Moska dërgoi në Siri më 2015 për të mbështetur Damaskun, miratuan rekrutimin e 22,000 sirianëve, tha Abdel Rahman.

Këta luftëtarë janë ose luftëtarë nga ushtria ose nga milicia pro regjimit, të cilët kanë përvojë në luftë në rrugë dhe u janë nënshtruar trajnimeve ruse.

Në një vend ku ushtarët fitojnë nga 15 deri në 35 dollarë në muaj, Rusia u ka premtuar atyre një pagë prej 1,100 dollarësh për të luftuar në Ukrainë, raportoi Observatori.

Ata, gjithashtu, kanë të drejtë në 7,700 dollarë kompensim për dëmtimet, dhe familjet e tyre 16,500 dollarë nëse vdesin në luftime.

Edhe 18,000 persona të tjerë janë të regjistruar në partinë në pushtet Baath të Sirisë dhe ata do të kontrollojë grupin Wagner, një grup ushtarak privat rus me lidhje me Kremlinin, tha monitoruesi.

Njoftimi për rekrutimin e sirianëve u bë pasi Qeveria ukrainase tha se rreth 20,000 të huaj nga kombe të ndryshme janë bashkuar të ashtuquajturit Legjion Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës, kryesisht nga vendet perëndimore.

Kush janë “vullnetarët” e mundshëm pro-rusë?

Lufta e gjatë në Siri ka prodhuar një mori fraksionesh të armatosura, milici dhe mercenarë nga të gjitha anët e konfliktit.

Grupet paraushtarake pro-qeveritare në Siri përfshijnë dhjetëra mijëra të ashtuquajtura Forca të Mbrojtjes Kombëtare, luftëtarë të milicisë së krishterë dhe dezertorë ushtarakë të aftë në luftërat urbane dhe guerile. Ato përfshijnë gjithashtu milici të tjera të mbështetura nga Rusia që luftuan përkrah ushtrisë siriane, raportoi AP.

“Nëse është e nevojshme, Rusia mund të rekrutojë shpejt anëtarë të këtyre grupeve për të luftuar në Ukrainë”, tha Danny Makki, një analist sirian.

Me mbështetjen iraniane nga luftëtarët nga Iraku, Libani dhe pjesë të tjera të rajonit, këto forca jo vetëm që luftuan rebelët sirianë, por gjithashtu ndihmuan në luftimin e Shtetit Islamik pasi përmbytën pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014.

Mijëra mercenarë të grupit rus Wagner janë vendosur gjithashtu në Siri.

“Duke pasur parasysh mjerimin e ekonomisë siriane, nuk do të ketë mungesë të njerëzve të aftë për punë, të cilët janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre për përfitime të ulëta materiale”, shkroi Makki në një analizë për Institutin e Lindjes së Mesme.

Nuk do të ishte hera e parë që luftëtarët sirianë rekrutohen për konflikte jashtë vendit. Turqia, një tjetër lojtar i madh në Siri, ka rekrutuar mercenarë sirianë për të forcuar luftëtarët e saj në luftëra të tjera. Këtu përfshihen konfliktet në Azerbajxhan dhe Libi, ku prania e mijëra luftëtarëve të huaj, përfshirë ata nga Siria, Sudani dhe Turqia, mbetet një pengesë kryesore për paqen.

Mercenarët si “mish për top”?

Pushtimi aktual rus i Ukrainës ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj një prej realiteteve të reja trishtuese të Sirisë: çdo luftë që përfshin Rusinë ose Turqinë ka të ngjarë të përfshijë përdorimin e “mercenarëve” sirianë si “mish për top”, thotë Gregory Waters, një bursist në Instituti i Lindjes së Mesme dhe hulumtues në një projekt për luftën kundër ekstremizmit.

Si ata sirianë që ishin pro regjimit, ashtu edhe ata që ishin kundër, kanë luftuar nën flamurin turk dhe rus në Libi që nga fillimi i vitit 2020, ndërsa fraksionet rebele siriane të mbështetura nga Turqia kanë dërguar anëtarët e tyre për të luftuar në Azerbajxhan në fund të vitit 2020.

Megjithatë, shumica e raportimeve të rekrutimit rus në Siri përfshijnë gjysmë të vërteta, nëse jo edhe gënjeshtra të plota.

Edhe pse disa sirianë duket se kanë nënshkruar kontratat për të luftuar në Ukrainë, nuk ka asnjë garanci që këta luftëtarë do të dërgohen atje.

Mbi të gjitha, kishte mungesë të të kuptuarit se përse sirianët do të nënshkruanin kontrata për të luftuar në një luftë, në të cilën ata me siguri do të vdisnin, shkruan Waters.

Por, pavarësisht keqkuptimeve për rekrutimin e sirianëve, shumë prej tyre janë vërtet të gatshëm të luftojnë në Ukrainë.

Mediat siriane e portretizojnë Rusinë se është duke mposhtur forcat ukrainase.

Prandaj, shumë “vullnetarë” të mundshëm i shohin këto kontrata si një burim të qëndrueshëm dhe shumë të nevojshëm të ardhurash në një kohë kur të vetmet punë brenda Sirisë janë në ushtri ose milici, me një rrogë të pamjaftueshme për jetesë.

Për më tepër, në mesin e disa bashkësive, ka një ndjenjë të fortë besnikërie ndaj Rusisë.

Një dislokim i mundshëm sirian në Ukrainë duket më i mundshëm se dy javë më parë, sipas Institutit të Lindjes së Mesme.

“Por, është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm për shkak të thashethemeve nga opozita siriane – dhe tani nga pala ukrainase – për këtë temë. Nëse sirianët dërgohen, do të jetë një numër relativisht i vogël individësh, jo njësi të tëra ushtarake; ata do të kenë pak ose aspak ndikim në fushën e betejës dhe do të joshen drejt vdekjes së tyre me gënjeshtrat”, shkroi Waters.

Sirianët mund të përfundojnë në të dyja anët e luftës në Ukrainë

Foreign Policy shkruan se disa sirianë janë tashmë në radhët ruse dhe po përgatiten të shkojnë në Ukrainë.

“Rusia ka ‘rezerva të mëdha në Siri’ të gatshme për t’i përdorur ato”, i tha Foreign Policy Suhail al-Gazi, një studiues sirian në Qendrën për Studime të Lindjes së Mesme.

Ndër pak aleatët e mbetur të Rusisë është presidenti sirian Bashar al-Assad. Në fund të shkurtit, Siria mbështeti njohjen nga Rusia për pavarësi të të ashtuquajturave republika në Ukrainën lindore, Donjeckut dhe Luhanskut, që i parapriu pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërhyrja e Rusisë në luftën në Siri ka shumë të ngjarë që e shpëtoi Asadin nga humbja e pushtetit, prandaj Al-Assad i “ka borxh” Putinit, vlerëson Foreign Policy.

Megjithatë, sirianët mund të shfaqen në të dyja anët e luftës, shkruan FP. Edhe individët që i mbijetuan revolucionit sirian kanë shprehur tashmë dëshirën për të luftuar për Ukrainën kundër pushtuesve rusë.

Më i rëndësishmi dhe ndoshta më i famshmi, është Suheil Hamudi. Hamudi e mori një pseudonim “Abu Tow” për shkak të shtytjes së tij me armën raketore kundërtank BGM-71 TOW. Sipas analizës së materialit në dispozicion, ai është ndoshta shkatërruesi më efektiv i automjeteve ushtarake në histori – ose të paktën më i dokumentuari, shkruan FP.

“Si mund të shkoj në Ukrainë dhe të luftoj me ushtrinë ukrainase? A ka ndonjë mënyrë?”, shkroi Hamoud në Twitter.

Pasi iu tha se, ku ka vullnet, ka rrugë, ai u përgjigj:

“Ka një vullnet të fortë. Tani jam në Idlib dhe jam gati të mbështes ushtrinë ukrainase. Dua të ndihmoj dikë.”

Kjo nuk është një ndjenjë e izoluar. Në Siri, ku shumë qytetarë fajësojnë Rusinë për shkatërrimin e vendit të tyre, luftëtarët e dikurshëm dhe aktualë po flasin për një fushëbetejë tjetër për t’i luftuar rusët.

Në Sirinë veriore, artistët kanë krijuar mbishkrime dhe murale që përshkruajnë Ukrainën dhe Sirinë si kombe të ndërlidhura, secila prej tyre ka vuajtur pasojat e imperializmit rus.

Intelektuali sirian, Yassin al-Haj Saleh, shkroi për grupin studimor DAWN se “ndonëse humbja e armikut tonë të përbashkët, Putinit, nuk do të jetë domosdo një fitore për ne sirianët, fitorja e putinizmit do të jetë një humbje edhe më e madhe për ne, sepse do të zvogëloni shanset tona tashmë të dobëta për rikthimin e shtetit tonë”.

Edhe pse nuk është aq e thjeshtë, ekziston mundësia që njerëz si Hamudi, rebelët sirianë, të mund t’i luftojnë sirianët besnikë të Al-Assadit për kontrollin e Kievit ose Odesës.

Të fundit