E shtunë, 27 Korrik, 2024

MË PAK TË INFEKTUAR, AKOMA HERËT PËR LEHTËSIM MASASH

Shifrat aktuale akoma nuk lejojnë lehtësimin e masave. Autoritetet shëndetësore kanë theksuar se akoma është herët për të menduar për heqjen e maskave, ndërkohë që po e ndjekin situatën epidemiologjike për çdo ditë. Ekspertë të fushës së mjekësisë disa herë kanë bërë vërejtje për qasjen ndaj pandemisë, ndërkohë që kanë theksuar se sistemi i shëndetësisë mbetet i brishtë.  Java e fundit ka shënuar rënie të numrit të rasteve të të infektuarve prej 27.4 për qind në krahasim me javën paraprake

Shkruan: Eljesa Dervishi

Rënia e infektimeve të reja me Covid-19 vazhdon. Momentalisht janë 2,091 raste të regjistruara prej të cilëve gjysma janë në Shkup.

Përkundër rënies së shifrave, autoritetet e shëndetësisë në vend theksojnë se për momentin nuk do të ketë lehtësime të masave anti-covid.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali ka deklaruar se shifrat aktuale nuk lejojnë lehtësimin e masave, përfshirë edhe heqjen e maskave.

“Unë jam i pari që do të kisha dashtë që të mund të them se prej nesër mundemi edhe pa maska, do të mbahesha mend për këtë deklaratë, po në njërën anë janë dëshirat e në anën tjetër janë shifrat të cilat i marrim çdo ditë. Po e ndjekim situatën çdo ditë, kemi katër shtete të cilat të parët liruan masat, por shohim se atje tani situatën e kemi si në fillim”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer gjithsejtë 2605 teste, prej të cilave 312 persona kanë rezultuar pozitiv me Kovid-19, numri më i lartë i të cilëve është nga Shkupi – 181, Kumanovë-12, Manastir-13, Prilep-17, Tetovë-3, Kavadar-13, Veles-8. Gostivar-8, Ohër 11…Ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë për 290 pacientë të shëruar dhe 5 të tjerë të cilët e kanë humbur betejën me Kovid-19.

Ekspertë të shëndetësisë kanë theksuar ndërkohë se masat kundër virusit në Maqedoninë e Veriut janë vetëm në letër. Epidemiologu, Dragan Danillovski, ka theksuar se pandemia na ka bërë të kuptojmë se kemi sistem shëndetësor në “këmbë të qelqta” dhe se Maqedonia e Veriut nuk ka kuadër mjekësor dhe resurse materiale për përgjigje adekuate gjatë presioneve të zmadhuara ndaj sistemit shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka publikuar edhe raportin javor, për gjendjen me COVID-19 në vend, sipas të cilit në periudhën 7 mars deri 13 mars 2022, janë bërë gjithsej 15.264 testime, me çrrastë janë regjistruar 1.818 raste pozitive, që paraqet ulje prej 27.4 për qind në krahasim me javën paraprake.

“Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (n = 983; 54,1%), ndërsa incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kavadar – 167,6. Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e zakonshme është mbi 60 vjeç (n = 505, 27.8%). Numri më i ulët është regjistruar në grupmoshën 0-9 vjeç (n = 60; 3.3%)”, thuhet në njoftimin javor.

“Sipas algoritmit të ri të shërimit, gjatë javës së fundit 2400 persona kanë fituar statusin e “të shëruarit” në kushte spitalore apo në mjekim në shtëpi. Janë raportuar gjithsej 267 riinfeksione, që paraqet rënie prej 28,2% krahasuar me javën e kaluar”, thuhet në raport. Më tej në raport theksohet se janë regjistruar edhe 34 vdekje në 13 qytete të ndryshme, që gjithashtu paraqet ulje prej 33.3% në krahasim me javën e kaluar.

Ndryshe, në RMV gjithsej janë vaksinuar 871.669, prej të cilëve 851.655 me dy doza, ndërsa 147.223 kanë marrë dhe dozën e tretë.

Sipas metodologjisë së re që praktikohet në të gjitha vendet, që ka të bëjë me rrezikun ndaj sistemit shëndetësor, një nga indikatorët është numri i infektimeve të reja, por edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit publik nga 869,763 të vaksinuarit, pas testeve serologjike del se 80% e tyre kanë akoma imunitet dhe rreth 70% e të pa vaksinuarave të testuar kanë antitrupa që e kanë kaluar kovidin, por numri i përgjithshëm i të imunizuarave është rreth 40% e popullsisë.

Që nga fillimi i pandemisë mbi 301 mijë qytetarë të RMV-së janë infektuar me COVID-19, janë shëruar mbi 290 mijë, kurse janë shënuar edhe 9.146 viktima.

Në botë, deri tani, janë infektuar afër 456 milionë njerëz, kurse kanë ndërruar jetë 6 milionë njerëz.

 

Të fundit