E shtunë, 27 Korrik, 2024

GRUBI TAKON TYCIŃSKIN: POLONIA MBËSHTET INTEGRIMIN EVROPIAN TË RMV

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka realizuar sot një takim me ambasadorin e Republikës së Polonisë, Wojciech Tyciński.

Në këtë takim, siç njoftohet zyrtarisht, “është biseduar për situatën në vend, në rajon si dhe gjendjen e luftës në Ukrainë përfshirë këtu edhe krizën me refugjatë derisa është theksuar se vendi jonë është i gatshëm që të bëhet pjesë e vendeve që do të pranojnë shtetas të Ukrainës që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës”. Zëvendës kryetari i parë Grubi, ndërkaq, ka theksuar pozicionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që është në linjë të pozitës së partnerëve tanë strategjikë në NATO dhe BE.

Ambasadori Tyciński i ka konfirmuar Grubit se Polonia mbështet perspektivat europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa është disktutuar edhe mbi kontestin me Republikën e Bullgarisë si dhe zgjidhjen me një marrëveshje përfundimtare me qëllim që vendi të merr datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian. “Vendi dhe rajoni nuk duhet të lihet nën ndikim të rrymave tjera sepse orientimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është pikërisht familja e madhe europiane.”, është konstatuar në takim

Grubi dhe Tyciński kanë disktuar edhe mbi rëndësinë dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, liritë dhe të drejtat e njeriut. Si dikaster që mbulon këtë fushë, zëvendëskryetari i parë i Qeverisë ka thënë se ministria për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive është e hapur për bashkëpunim me të gjithë komunitetet në vend.

Të dy bashkëbiseduesit Grubi dhe Tyciński gjatë bisedës për gjendjen politike në vend kanë theksuar se fokusi duhet të vendoset në Kuvend, reflektim më i lartë i partive parlamentare në implementimin e shpejtë të ligjeve që janë në interes të qytetarëve derisa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në vitin 2024.

Të fundit