E shtunë, 27 Korrik, 2024

Një situatë e armiqësisë së përhershme

Në një rend botëror, ku do të mbisundonte qasja realiste, shqiptarët nuk do të ishin qendër për baraspeshim të fuqisë as në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Andaj, rreshtimi pas NATO-s dhe BE-së në një periudhë të armiqësisë së Rusinë do të ishte rruga më e sigurt për shqiptarët etnikë, respektivisht për shtetet ku jetojnë.

 

Shkruan: Xhelal NEZIRI

 

Ngjarjet që po përshkallëzohen rreth Ukrainës mund të interpretohen si pamundësi e institucioneve ndërkombëtare për të siguruar një rend që do të sjellë paqe për të gjithë. Sipas skenarit tashmë të parë në Gjeorgji, ku në vitin 2008 presidenti rus Vlladimir Putin pushtoi dhe njohu si shtete të pavarura Osetinë e Jugut dhe Abhasinë, edhe dy rajone të Ukrainës Lindore fituan njohje nga Moska si shtete të pavarura. Kjo strategji e Rusisë është pushtim nëpërmjet njohjes si shtete të rajoneve në shtetet tjera, të banuara me shumicë etnike ruse. Pasi të formojnë qeveritë, këto “shtete” kërkojnë “paqeruajtës nga Rusia”, të cilët vendosen me shpejtësi.

Përveç rrezikut për një destabilizim serioz të Europës, Putini kështu po sfidon edhe rendin liberal botëror, i bazuar në institucionet ndërkombëtare. Ai, në fakt, po forcon qasjen realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sjell tensione e luftëra në nivel rajonal ose edhe global.

 

Dobësimi i institucioneve ndërkombëtare

 

Realizmi i ka karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare në 150 vitet e fundit. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe Lufta e Ftohtë, nuk arritën të krijonin një mjedis në të cilin institucionet ndërkombëtare do të luanin një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe shtetet do të udhëhiqen nga i ashtuquajturi “moral ndërkombëtar”.

Pjesë e kësaj tabloje është sigurisht ajo që ndodh në dhe rreth Ukrainës, e që mund ta dëmtojë pjesën më të lëndueshme të Europës – Ballkanin, ky rajon, që shpesh është sinonim i nacionalizmit, urrejtjes dhe luftërave mes popujve që jetojnë aty. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990, realizmi u bë qasja e vetme në marrëdhëniet ndërmjet kombeve e, më pas, edhe ndërmjet shteteve të sapokrijuara.

Realizmi dhe liberalizmi mbeten teoritë kryesore politike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mbështetësit e realizmit, si qasje, thonë se bota sundohet nga një anarki e përgjithshme, andaj nevojiten shtetet për t’i mbrojtur qytetarët e tyre. Ato besojnë se shtetet janë në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin për t’i mbrojtur interesat e tyre kombëtare, andaj pikërisht shteti duhet të jenë faktori i vetëm në këto marrëdhënie. Sipas realistëve, vlerat, parimet ose arsyeja nuk duhet të jenë pengesë për arritjen e synimeve të shtetit. Siguria e shtetit është qëllimi kryesor i realistëve dhe për ta arritur këtë, është e nevojshme të sigurohet një baraspeshë e fuqisë ndërmjet shteteve. Shtetet, sipas ithtarëve të kësaj teorie, nuk duhet të jenë të varura nga njëri-tjetri, pasi janë në një situatë të vazhdueshme konflikti dhe armiqësie të mundshme. Institucionet ndërkombëtare ose unionet mbikombëtare, sipas tyre, nuk duhet t’i përcaktojnë ose zëvendësojnë interesat kombëtare të secilit vend individualisht.

Liberalët, nga ana tjetër, thonë se shtetet janë aktorë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk janë të vetmit. Një rol të rëndësishëm në këtë kontekst mund të luajnë edhe aktorë nga shoqëria politike, civile dhe ekonomike, si organizatat joqeveritare, dhomat e tregtisë, shoqatat e qytetarëve etj. Në vend të anarkisë, liberalët janë më optimistë për marrëdhëniet midis shteteve, duke theksuar rendin dhe harmoninë e mundshme, të bazuar në vlerat morale ndërkombëtare. Prandaj i vendosin vlerat, parimet dhe arsyen para interesave të ngushta shtetërore. Ndryshe nga realistët, liberalët shohin një mundësi të madhe për të arritur dhe ruajtur paqen nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, si FMN, OBT, OKB, BE dhe NATO. Në këtë kontekst, Bashkimi Europian (BE) është projekti më i rëndësishëm i liberalëve, i cili për herë të parë në histori, në një periudhë 60-vjeçare, siguroi paqen dhe bashkëpunimin midis kombeve europiane. Kjo paqe dhe ky besim reciprok ka kontribuar në krijimin e një tregu të vetëm me mundësi të panumërta për ekonominë, duke e bërë BE-në një nga ekonomitë më të forta në botë.

Realistët preferojnë konkurrencën, ndërsa liberalët e preferojnë bashkëpunimin. Derisa të parët mendojnë se ndikimi mund të arrihet vetëm përmes përdorimit të “forcës së fortë”, siç është ndërhyrja ushtarake, të dytët bëjnë thirrje për përdorimin e “fuqisë së butë” ose ndikim përmes kanaleve diplomatike, fondeve, tregjeve, përvojave, investimeve dhe përmes përfitimeve të tjera për vendet.

Liberalët e kushtëzojnë bashkëpunimin me vendet e tjera me vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe lirive. Ata besojnë se nëse shtetet ndajnë të njëjtat vlera demokratike, ka shumë pak gjasa që të hyjnë në një konflikt të drejtpërdrejtë. Dhe, anasjelltas, demokracitë janë të prira për luftëra me regjime autoritare, diktatoriale dhe forma të tjera jodemokratike.

Për realistët nuk ka rëndësi nëse shteti me të cilin bashkëpunojnë i kultivon këto vlera. Mjafton që ai bashkëpunim të jetë në interes të shtetit dhe sigurisë së tij. Eksportimi i demokracisë, vlerave ose moralit ndërkombëtar në vendet e treta është, sipas tyre, humbje kohe dhe burimesh.

 

Qasja e Putinit

 

Që nga fillimi i krizës së Ukrainës, e sidomos pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, presidenti rus Putin tentoi të dobësojë BE-në, si një nga projektet më të përsosura të demokracisë liberale. Anëtarësimi në këtë Bashkim sindikatë nuk arrihet me forcë, presion ose kushtëzim, por me aplikim. Secili prej vendeve aplikon për anëtarësim, duke u angazhuar për të pranuar dhe kultivuar vlerat themelore të BE-së, si dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia dhe shteti i së drejtës. Vendimmarrja brenda Bashkimit bëhet me konsensus, që nënkupton peshë të barabartë të votës së çdo shteti anëtar.

Putini, si një ithtar i realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, duket se nuk merr parasysh asnjë vlerë, konventë, ligj ose parim ndërkombëtar kur bëhet fjalë për interesat e Rusisë. Në Greqinë e lashtë, historiani dhe gjenerali Tukididi besonte se marrëdhëniet mes shteteve dominohen nga më të fortit. Të fortët, sipas tij, bëjnë atë që duhet bërë, ndërsa të dobëtit e pranojnë atë që duhet pranuar.

Niccolo Machiavelli në veprën e tij “Princi” thotë se vlerat morale nuk duhet të respektohen kur bëhet fjalë për interesin e shtetit. Vepra e tij u shkrua pas një periudhe lufte dhe trazirash mes republikave italiane. Në veprën e tij Makiaveli thotë se për ta ruajtur sigurinë dhe shtetin, një lider duhet të sundojë me “dorë të fortë”, qoftë kjo në kundërshtim me vlerat morale, fenë ose njerëzimin.

 

Real-politika dhe realizmi

 

Real-politika (politika reale) i referohet politikave që nënkuptojnë pragmatizëm, që do të thotë se vlerëson qasjet dhe teoritë politike përmes prizmit të rezultateve që mund të japin. Realizmi, si teori politike, nga ana tjetër, është një filozofi që trajton marrëdhëniet në politikën ndërkombëtare.

Të djathtët, në përgjithësi, i bazojnë qasjet e tyre ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare në realizmin si një teori politike dhe veprimet e tyre në arenën politike ndërkombëtare janë kryesisht reale-politike. Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është rregull. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shihej si një politikan botëror që mbajti gjallë multilateralizmin dhe vlerat e demokracisë liberale. Merkeli ishte presidentja e CDU-së, një parti e djathtë sipas ideologjisë së saj. Nga ana tjetër, vendimin për tërheqjen e forcave nga Afganistani në fund të gushtit 2021, presidenti i ri amerikan, demokrati Joe Biden, e shpjegoi me fjalët se ky mision ia arriti qëllimit duke eliminuar Osama bin Ladenin, si përgjegjës për sulmet terroriste në SHBA në vitin 2001. Fakti që vlerat demokratike janë në rrezik të madh nga talebanët nuk u mor parasysh. Për më tepër, kjo tërheqje është rezultat i një marrëveshjeje të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve në vitin 2020, sipas së cilës Uashingtoni do të tërheqë trupat e tij nga Afganistani me kusht që talebanët t’i ndërpresin lidhjet me organizatat terroriste.

Ish-këshilltari kryesor i sigurisë i administratës Trump, John Bolton, ka qenë një mbështetës kryesor i zgjidhjes së çështjes Serbi-Kosovë përmes shkëmbimit të territoreve. Me këtë propozim joformal, Kosova do të duhej t’ia lëshonte Serbisë tri komuna nga pjesa veriore e saj (Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica Veriore), ndërsa në këmbim do të merrte një pjesë të komunave të Preshevës dhe Bujanocit, si dhe anëtarësimin në OKB pas njohjes së pavarësisë nga anën e Serbisë. Kjo qasje reale-politike e Trump-it u konsiderua e rrezikshme për BE-në, veçanërisht për Gjermaninë, e cila e kundërshtoi fuqishëm një plan të tillë. Në këtë plan nuk u morën parasysh parimet e mosradhitjes së kufijve, si dhe vlerat që qëndrojnë në themel të BE-së dhe qytetërimit perëndimor në përgjithësi dhe që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Por, realizmi si qasje në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen Beograd-Prishtinë mbeti dominues. Në procesin e negociatave vazhdojnë të marrin pjesë vetëm qeveritë e dy vendeve, të cilat udhëhiqen ekskluzivisht nga interesat shtetërore. Shtetet, në këtë mosmarrëveshje, janë aktorët e vetëm, pa përfshirë aktorë të tjerë në jetën socio-politike të dy vendeve, si aktorë nga shoqëria civile ose ekonomike. Dialogu mes dy vendeve, i cili filloi në vitin 2012, ka prodhuar deri më tani 36 marrëveshje që parashikojnë lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe kapitalit, si dhe tema të tjera me interes për njerëzit e zakonshëm, por vetëm disa prej tyre janë zbatuar, edhe atë pjesërisht. Në të gjithë procesin, shkolla realiste është paradigma kryesore për të dyja vendet, të cilat në radhë të parë i kanë interesat shtetërore dhe jo vlerat që janë thelbi i shkollës liberale.

Në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në vitet e fundit ka mbizotëruar liberalizmi si teori. Të dyja vendet, së bashku me Maqedoninë e Veriut, janë pjesë e nismës “Open Ballkan”, që synon të krijojë një mini-shengen, i cili është përplotësues i Procesit të Berlinit të nisur nga Merkeli më 2013, si dhe i Procesit të Stabilizim-Asociimit të BE-së.

Problemi i Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë mbi gjuhën dhe historinë, me Greqinë për emrin e shtetit dhe me Serbinë për autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) rrjedh nga qasja klasike realiste e vendeve fqinje, të cilat përdorin pozicionin e tyre më të fortë për të imponuar zgjidhje që janë brenda interesit të tyre të përcaktuar kombëtar. Maqedonia e Veriut po përballet me një marrëdhënie asimetrike me të gjitha këto vende, ku Greqia dhe Bullgaria përdorin pozicionin e anëtarësimit në NATO dhe BE për të imponuar zgjidhje ku më së shumti respektohen interesat e tyre shtetërore. Çështja e kishës me Serbinë në pamje të parë është e karakterit fetar, por në fakt përfshin edhe shtetet prapa skenave.

 

Shqiptarët në rendin e ri

 

Qasja realiste është e mirëseardhur për shtetet e fuqishme. Ato, si në rastin e Rusisë, përdorin argumentin e forcës për t’i arritur synimet. Shqiptarët etnikë në Ballkan, të shpërndarë në pesë shtete, nga të cilat dy i drejtojnë, dy i bashkë-drejtojnë dhe në një janë të papërfillshëm, nuk janë në gjendje të përqafojnë realizmin. NATO-ja është garancia e tyre për sigurinë, kurse Bashkimi Europian (BE) për mirëqenien sociale dhe ekonominë. Të dyja së bashku – një garanci për demokracinë, shtetin ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut, dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin.

Në një rend botëror, ku do të mbisundonte qasja realiste, shqiptarët nuk do të ishin qendër për baraspeshim të fuqisë as në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Andaj, rreshtimi pas NATO-s dhe BE-së në një periudhë të armiqësisë së Rusinë do të ishte rruga më e sigurt për shqiptarët etnikë, respektivisht për shtetet ku jetojnë.

 

Teksti fillimisht është botuar në Revistën SHENJA

Të fundit