E shtunë, 9 Nëntor, 2024

ESCOBAR: UKRAINA NA BËN TË DYFYSHOJMË PËRPJEKJET PËR KOSOVËN DHE BOSNJE DHE HERCEGOVINËN

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, tha se për shkak të situatës në Ukrainë duhet të dyfishohen përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes në Kosovë dhe stabilizimin e Bosnje dhe Hercegovinës, përcjell KDP.

Ai tha se pasi të shkruhet historia e kësaj kohe, do të shihet se zgjedhja e presidentit rus Vladimir Putin për të kryer një sulm të paramenduar të paprovokuar dhe të padrejtë vetëm sa e bashkoi edhe më shumë Perëndimin dhe e dobësoi Rusinë në mënyrë eksponenciale.

“Njerëzit e këtij rajoni e dinë shumë mirë se sa shkatërrues është konflikti i armatosur. Ne nuk duhet të lejojmë Rusinë të përdorë luftën, të cilën e ka zgjedhur vetë, për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rusia nuk udhëhiqet nga interesat më të mira të këtyre vendeve. Ekonomitë tuaja janë të lidhura me Evropën. Partnerët dhe investitorët tuaj më të mëdhenj tregtarë janë në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja juaj është në Evropë, si një anëtar i plotë i BE-së”, tha ai, sipas një deklarate të postuar në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Serbi.

Diplomati amerikan theksoi se ka ende shumë për të bërë në Ballkanin Perëndimor – për integrimin ekonomik të rajonit, për kompromise të qëndrueshme dhe zgjidhje të përhershme për mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare.

“Le të shërbejë kjo krizë që të sigurojë që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende që janë plotësisht të integruara në BE, në një Evropë të tërë, të lirë dhe paqësore. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalojmë aktivitetet që janë kërcënim për stabilitetin dhe përparimin në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Escobar.

Sipas Escobar, lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar botën dhe mbështetja dërrmuese për Ukrainën në ditët e fundit është mbresëlënëse.

“Ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për të gjitha vendet, veçanërisht ato në Evropë, që të mbështesin ligjin ndërkombëtar dhe të refuzojnë pa mëdyshje pushtimin e paligjshëm që Rusia kreu në Ukrainë, fqinjin e saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëgjuar këtë thirrje. Unë i falënderoj ata që qëndruan fort me BE-në dhe botën e lirë”, tha Escobar.

Ai theksoise “Rusia do të paguajë një çmim të lartë”.

 

Të fundit