Shkruan: Gentuar Ismaili
Të gjithë ne, nëse sot kemi arritur diçka në jetë, kemi një profesion, kemi dituri, kemi shumë njohuri, pas prindëve, sigurisht që meritën më të madhe e kanë mësuesit tanë. 7 Marsi, është dita e arsimit shqip, ku kujtojmë sakrificën, mundin dhe përpjekjet e të parëve tanë, që kanë bërë të mundur që ne sot të shkruajmë e të flasim lirshëm shqip.
Sfidat e të qenit mësues janë të shumta edhe sot. Kushtet janë përmirësuar, por niveli i arsimit është i ulët.
Mësuesja e grupit klasor në shkollën fillore “Andon Zakon Çajupi” Sabrije Shaqiri thotë se nga viti në vit arsimi po pëson ndryshime, ndërsa sfida më e madhe për ta ka qenë qasja e detyrueshme në teknologjinë, gjatë kohës së pandemisë.
“Në të kaluarën programet mësimore nuk kanë pasur ndryshime thuajse me vite. Mësuesit e kishin më të lehtë t’i realizonin qëllimet e tyre. Mësuesi ka qenë model për mesimedhenie. Tani në këtë kohë, gati çdo katër vjet ndryshohet programi mësimor, kurse nxënësit nuk mësojnë vetëm nga librat, por edhe hulumtojnë në internet. Sfida jonë si mesimdhënës, ishte ballafaqimi me mungesën e pajisjeve teknologjike të informacionit”, thotë mësuesja Shaqiri.
Naser Ajdini, mësues i edukates fizike në shkollën fillore “Faik Konica” në fshatin Sllupçan, tha se gjatë punës së tij 37 vjeçare, sfida më e madhe ka qenë si ta ndryshoj bindjen e gabuar mbi lendën që e jap, se arsimi fizik dhe shendetesorë nuk është lëndë e dorës së dytë, siç e quanin kolegët, prindërit dhe nxënësit e tij. Ndërsa flet edhe për nivelin e arsimit ditën e sotme.
“Nga viti 1976 si gjimnazist e deri më tani si i punësuar, atë kohë ligjerohej, mësohej dhe punohej në kushte të vështira. Tani kushtet janë solide, por puna ngec në të gjitha nivelet e arsimit. Këtu mund ta jap një shembull. Më herët, në fakultet regjistroheshin 120 student ndërkohë që e kryenin 5 ose 6 studentë, ndërsa sot regjistrohen 120 studentë dhe e kryejnë 125. Çka na sjell kjo? Padituri, kaos, pakënaqësi, dembelizëm”, tha mësuesi Ajdini.
Me disa gabime drejtëshkrimore, 7 Marsin e uroi edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.
“Sot, i urova mësimdhënësit e mi 7 Marsin, duke i’u faleminderuar për punën e palodhur në përgatitjen e gjeneratave të reja. Urime 7 Marsi të gjithë mësimdhënësve, ju jeni shtylla e shoqërisë tonë”, ka shkruar Shaqiri në facebook.
Përndryshe, 7 marsi festohet e kremtohet në të gjitha trevat shqipfolëse. Kjo ditë ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.