E shtunë, 27 Korrik, 2024

PANIKË PËR MUNGESË NAFTE, QEVERIA QETËSON

Asnjë institucion apo kompani nuk ka bërë të ditur se çmimet e derivateve të naftës do të rriten ndjeshëm apo se do të ketë restrikcione. Duket se njerëzit thjesht kanë rënë pre e spekulimeve dhe lajmeve të rrejshme. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski iu ka bërë thirrje tregtarëve të mos spekulojnë me përkufizimin e sasive, ndërsa ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka theksuar se  nuk do të ketë kufizim në furnizim me derivatet e naftës dhe se shteti dhe tregtarët kanë mjaftueshëm rezerva.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Asnjë institucion apo kompani nuk ka bërë të ditur se çmimet e derivateve të naftës do të rriten ndjeshëm apo se do të ketë restrikcione, për shkak të nevojave për rezerva. Mirëpo mbrëmjen e djeshme, lajmi i rrejshëm ishte përhapur përmes rrjeteve sociale, se gjatë ditëve të ardhshme nuk do të ketë sasi të mjaftueshme të naftës.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se nuk do të ketë kufizim në furnizim me derivatet e naftës dhe se shteti dhe tregtarët kanë mjaftueshëm rezerva.

“Nuk ka krizë për furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Ka mjaftueshëm rezerva edhe tek tregtarët edhe në rezervat shtetërore të mallrave. Mos bëhet panik tek qytetarët se do të kenë kufizime për naftën dhe derivatet e naftës” ka deklaruar Bekteshi.

Po ashtu edhe Qeveria ka apeluar te një pjesë e tregtarëve me pakicë të derivateve të naftës të mos kufizojnë sasinë, gjegjësisht shumën deri ku konsumatorët të mos presin në kolona në pompa të benzinës dhe të mos bëjnë rezerva të lëndëve djegëse nga shkaqe të sigurisë.

Nga ana tjetër, reagim ka patur edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai iu ka bërë thirrje tregtarëve të mos spekulojnë me përkufizimin e sasive për shitje të derivateve të naftës në pikat e karburantit.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka krizë të bizneseve, sepse ne me derivatet e naftës kryesisht furnizohemi nga Greqia”, ka theksuar kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Sipas tij, një pjesë e tregtarëve i kufizojnë sasitë me qëllim që t’i ruajnë rezervat e furnizuara për arsye spekulative, që është një fitim klasik ushtarak. Ai ka theksuar se për këtë gjendje janë njoftuar institucionet, ndërsa inspektorët e tregut që dje kanë qenë në terren.

Të fundit