E premte, 26 Korrik, 2024

FYTYRA E FRIKSHME E DOGMËS TOTALITARE

A do të mund të rizgjohet bota nga ky ankth i përsëritjes së historisë dhe nga ëndrra e keqe e totalitarzmave kërcënues? Është koha për ta rimenduar paqen dhe ekzistencën njerëzore në një debat mendjesh, në dimensionet më të thella të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Asgjë nuk është e humbur perderisa ka kohë. Dhe koha është e vetmja përmasë dhe aleate e mendjeve racionale!

Shkruan: Bardhyl Zaimi 

Mbase me mendjelehtësi besojmë se disa demonë thjesht i kemi varrosur diku në histori, por faktkeqësisht ata shfaqen gjithnjë në periudha tmerri me fytyrën e tyre të frikshme.

Bota besoi se fundi i dy epokave iu dha fund fashizmit dhe bolsheviznit. Dukej se gjithçka kishte përfunduar me Luftën e Dytë Botërore dhe me rënien e murit të Berlinit në dekadën e fundit të shekullit njëzet. Por, nuk po ndodhi kështu. Ne kemi shkelur në dekadën e dytë të shekullit njëzet e një dhe fytyra e totalitarizmit ideologjik po shfaqet përsëri e frikshme dhe kanosëse për ekzistencën njerëzore, për gjithë atë që përfaqëson liri, dinjitet, vlerë demokratike.
Agresioni rus mbi Ukrainën, mbi një shtet sovran, pa asnjë shkak, por vetëm me kasus beli irracionale edhe njëherë na bën tê kuptojmë sa e brishtë është paqa në këtë planet qê po kërcënohet edhe nga çmenduria mendjelehtë e dogmës bërthamore.
Ne tash edhe njëherë po përballemi me shqetësimet e intelektualëve kalibër të lirisë njerëzore, me gjithë ato klithje humane që kërkonin deideologjizimin dhe pacifikimin e shoqërisë njerëzore nëpërmjet kultivimit të shpirtit njerëzor me mendimin ilimunist dhe progresist. Një ndër keto intelektuale është edhe Hana Arend, e cila më mirë se kushdo tjetër i ka bërë autopsinë fytyrës së frikshme të totalitarizmit.

Dhe ai po shfaqet edhe në ketë kohë me forcë dhe me shkelje flagrante të të gjitha rregullave dhe principeve ndërkombëtare, duke na bërë të kuptojmë se totalitarizmi dogmatik nuk njeh rregulla loje dhe institucione ndërkombëtare.
E thotë filozofi Emik Cioran se historia është një ironi në lëvizje. Dhe kjo ironi duket se tashmë po shfaqet me gjithë mosteriozitetin e vetê, me gjithë dogmën e vetë në agresionin e pakuptimtë të Putinit mbi pupullin ukrainas për të cilin ai thotë se është një me popullin rus.
Sigurisht, në çfarëdo rasti ne duhet të bëjmë dallimin mes udhëheqësve irracional dogmatik dhe popullit që përfaqësojnë për shkak se dogma e tyre në asnjë rast nuk është vullnet i një populli. Zakonisht kthjelltësia e popullatës për një situatë shtypet keq nga fuqia e dogmës dhe irracionalitetit.

Padyshim që ky agresion ka hapur një dilemë kaq të madhe mbi fatin e botës demokratike, siç ka ngjallur edhe frikën e arsyes pēr qenien njerëzore. Kërcënimet nuklera nuk janë tashmë vetëm në rrafshin ushtarak, por edhe në dimensionin e ontologjisë njerëzore, në dimenesionin se deri ku mund të shkojë çmenduria e udhëheqësve irracional.

Në fakt në këtë pikë takohen historia dhe filozofia. Historia si rikthim i demonëve të moçëm të irracionakitetit njerëzor dhe filozofia si dilemë ekzistenciale. Pērballë ndodhet fytyra e totalitarizmit dogmatik që kērcënon ekzistencën njerëzore me maska të ndryshme, të fashizmit, nazizmit, bolshevizmit dhe izmave tjerë të fatalitetit njerëzor.

A do të mund të rizgjohet bota nga ky ankth i përsëritjes së historisë dhe nga ëndrra e keqe e totalitarzmave kërcënues.
Është koha për ta rimenduar paqen dhe ekzistencën njerëzore në një debat mendjesh, në dimensionet më të thella të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Asgjë nuk është e humbur perderisa ka kohë. Dhe koha është e vetmja përmasë dhe aleate e mendjeve racionale!

Të fundit