E shtunë, 27 Korrik, 2024

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë më 24 shkurt tha se sanksionet përfshijnë banka ruse të cilat do të hiqen nga sistemi financiar amerikan.

“Kjo nënkupton që çdo aset që ato kanë në SHBA, do të ngrihen”, tha ai.

Biden po ashtu tha se sanksionet e reja përfshijnë edhe eksportet, oligarkët dhe sektorin e teknologjisë.

Megjithatë Biden nuk ka vendosur që të përfshijë në sanksione edhe largimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, SWIFT. Ky sistem lejon transferimin e parave nga banka në bankë, në mbarë botën. Po ashtu, SHBA-ja nuk ka vendosur sanksione shtesë ndaj sektorit rus të energjisë.

Biden tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin zgjodhi luftën në vend të diplomacisë dhe shtoi se nuk ka plane që të bisedojë me të.

Ky rund sanksionesh amerikane vjen dy ditë pasi SHBA-ja vendosi sanksionet e para ndaj Rusisë.

Më 24 shkurt, Rusia nisi një aksion ushtarak ndaj Ukrainës. Agresioni rus u dënua nga shtete në mbarë botën, ndërkaq, Bashkimi Evropian po ashtu ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Përmbledhja

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën – gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial – dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.

Të fundit