E diel, 19 Maj, 2024

“BETEJAT” PARTIAKE MBI PAGËN MINIMALE

Përfaqësues të qeverisë kanë theksuar se rritja e pages minimale është një zgjidhje sistemetike që do të sigurojë rritjen e produktivitetit si dhe konkurrencën e ekonomisë. Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar që do të kërkojë harmonizimin e pagave tjera me pagën minimale.

KDP

Rritja e pages minimale ka përshkuar opinionin publik gjatë këtyre ditëve. Ndërkohë që pritet të miratohet nga parlemanti opozita dhe pozita kanë shkëmbyer polemika mes veti.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se presin që deputetët njëzëri të mbështesin rritjen e pagës minimale. Marrëveshja për rritjen e pagës minimale është arritur të hënën, pas bisedimeve disaditore mes LSM-së, Qeverisë dhe Organizatës së Punëdhënësve. Sipas marrëveshjes, punëdhënësit do të rrisin pagën minimale, ndërsa shteti do të ndihmojë duke subvencionuar mbulimin e shpenzimeve për kontributet e punëtorëve.

Ministri i Financave Fatmir Besimi ka theksuar se rritja e pagës minimale nuk nënkupton vetëm rritje të njëhershme të pagës minimale, por se përmes metodologjisë së re për harmonizimin e pagës minimale propozohet një zgjidhje sistematike dhe e qëndrueshme.

“Rritja e pagës minimale nga 15.200 denarë në 18.000 denarë është rritje e njëhershme e pagës minimale me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së pagës minimale në pagën mesatare. Por ajo që është thelbësore është se është një zgjidhje sistematike përmes një metodologjie të re për harmonizimin e pagës minimale me 50 për qind të rritjes së pagës mesatare dhe 50 për qind e përqindje së indeksit të jetesës”, ka theksuar Besimi.

Sipas tij kjo do të ndikojë në rritjen e produktivitetit, si dhe në konkurrencën e ekonomisë.

Ndërkohë, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar në Kuvend amendament, përmes të cilit kërkojnë harmonizimin e të gjitha pagave me pagën minimale, që nënkupton se me rritjen e pagës minimale është e domosdoshme që të rriten edhe pagat e tjera.

“Sot grupi i VMRO DPMNE-së do të propozoj amendament përmes të cilit do të kërkohet harmonizim i pagave me pagën minimale. Për këtë kërkesë kërkojmë mbështetjen punëtorëve, sindikatave dhe opinionit publik. Presim që ky amendament të pranohet, sepse gjithsecili ka të drejtë të jetojë”, ka theksuar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Nëpërmjet një njoftimi, LSDM ka theksuar se paga minimale është rritur dyfish në krahasim me periudhën kur ka qenë në qeveri VMRO-DPMNE.

“Paga minimale rritet nga 15 200 në 18 000 denarë, që nënkupton se 80 000 punëtorë do të marrin nga 45 euro më shumë. Kjo është pagë minimale dyfish më e lartë, krahasuar me pagën minimale në kohën e VMRO-DPMNE-së, kur ishte vetëm 8 800 denarë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LSDM-ja.

Sipas kësaj partie në vitin 2014 vlera e shportës sindikale ka kushtuar 32.133 denarë, ndërsa në dhjetor të vitit 2021 shporta sindikale ka kushtuar 35.042 denraë.

“Kjo nënkupton se për 7 vjet, 9 për qind është rritur vlera e shportës sindikale, për shkak të çmimeve më të larta, ndërkohë që paga minimale për periudhën e njëjtë është rritur për 100 %”, thuhet në njoftimin e LSDM-së, nga ku shtojnë se kjo parti është në anën e punëtorëve dhe po përmirëson standardin jetësor të qytetarëve.

Me gjasë në parlament debate do të zhvillohet në drejtim të harmonizimit edhe të pagave tjera me pagën minimale.

 

 

Të fundit