Vendimi i fortë i shpalljes non grata të Sali Berishës dhe më pas një episod periferik, ai i takimit të kandidatit për kryetar të PD, deputetit Agron Shehaj me ambasadoren Yri Kim, kanë futur PD-në në një qëndrim ambig ndaj SHBA-së, që ajo e kishte hedhur pas krahëve që në vitin e largët 1997.
Etiketimi i liderit historik si një njeri që ka minuar demokracinë dhe ka përfituar për t’u pasuruar nga fondet publike, i ka trullosur demokratët. Këtë shushatje e ka shtuar edhe me shumë qëndrimi pa shtyllë kurrizore i drejtuesve të PD-së, që duan të mbajnë bashkë dy gjëra të pamundura, faktin se ka të drejtë edhe Berisha edhe sekretari i shtetit Blinken.
Po t’i shtosh kësaj edhe një lloj ndjesie se ambasadorët e rrugës së Elbasanit kanë dalë hapur në qëndrimet pro Ramës dhe janë shndërruar në mbështetës të tij, qoftë për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, qoftë për kapjen e reformës në drejtësi dhe gjykatës Kushtetuese, qoftë edhe për blerjen flagrante të votës, ndjesia se administrata amerikane që ka lidhje me Shqipërinë është kundër opozitës, po shtohet.
Dhe u desh një pikë që të derdhte vazon. Rivali i Bashës, Agron Shehaj, pasi anashkaloi me një “non koment” ndëshkimin e Berishës nga Departamenti i Shtetit, guxoi të publikojë në Facebookun e tij se kishte takuar ambasadoren amerikane.
Si rrallë herë në faqen e këtij politikani manjak për të pasur në kontroll imazhin e tij në rrjetet sociale, shpërthyen kritika, ofendime, sharje, poshtë postimit për Yuri Kim.
Shehaj nuk e përballoi dot këtë sulm, përmasat e tij jashtë normales vetëm se u takua me kryediplomaten amerikane, dhe ai vuri gishtin mbi struktura brenda PD-së që ishin prekur nga virusi i anti amerikanizmit.
“Ka pasur sulme në rrjete sociale, nëpërmjet disa mekanizmave që janë përdorur gjatë fushatës elektorale dhe tani po përdoren kundër meje. Janë individë të caktuar që punojnë… Ka pasur sulme që kanë shfrytëzuar këtë zemërim nga individë të caktuar që punojmë për PD, që kanë filluar të punojmë kohët e fundit me qasje qartësisht antiamerikane”, tha ai në një intervistë në Euronews.
Një tjetër deputet, Ervin Salianji, që është kundër Shehajt në garën e brendëshme të partisë, e barazoi qëndrimin e kolegut të tij me ato të kundërshtarit, Edi Rama. “Në partinë më proamerikane, të kërkosh për anti- amerikanë dhe të aludosh se ata janë pjesë e partisë ku bën pjesë, është ofendim i ulët dhe një dëm që tentojnë t’i bëjnë PD”, shkruajti ai.
Ndërsa një analist pranë PD, Vehap Kola, e goditi edhe ai Shehajn: “Sa i përket akuzës për anti- amerikanizëm, Shehaj i hodhi PD-së dhe mbështetësve të saj baltën që nuk ia ka hedhur askush nga brenda gardhit të saj. Nevojitet shumë urtësi për të rakorduar pikëpamje e interesa kundërthënëse në Partinë Demokratike, por nuk mund të pajtosh PD-në me anti-amerikanizmin. Jo sepse kjo është një servilosje ndaj të fortit për të marrë simpatinë dhe fituar pushtetin, por sepse PD është krijuar si parti e interesit kombëtar. Brenda saj nuk gjen njerëz që duan partinë më shumë se Shqipërinë. Edhe në pastë, nuk kanë kurajë të thonë se do të zhdukeshin politikisht brenda ditës”, shkruajti Kola.
Por, në fakt, si Agron Shehaj që u ndje i befasuar nga sulmet masive të atyre që e godisnin se kishte takuar Yuri Kim, si ata që nuk i pranojnë akuzat e tij për antiamerikanizëm, janë viktima të një keqkuptimi të madh.
E para, se anti- amerikanizmi si koncept është një gjë krejt e ndryshme nga qëndrimet që mund të mbahen ndaj një ambasadoreje të caktuar, apo qoftë edhe ndaj një administrate të caktuar. Psh, të ishe kundër politikave të Trump kundër ngrohjes globale, kundër Palestinës apo qoftë edhe kundër Kosovës, nuk do të thotë se je automatikisht kundër SHBA-së.
Por, përtej këtij debati teorik, ka edhe një më të thjeshtë dhe praktik, që po e fut opozitën në kaos duke e ndarë në masën e dashurisë që duhet të tregojnë ndaj SHBA-së. Ai ka të bëjë me paqartësinë e qëndrimeve të lidershipit të saj. Sot PD nuk ka një qëndrim nëse gaboi sekretari i shtetit që e konsideroi Berishën hajdut dhe shkatërrues të demokracisë. Sot ajo nuk guxon të thotë nëse Donal Lu dhe Yuri Kim kanë pasur apo jo një mision për të ndihuar pushtetin e Edi Ramës.
Duke u sjellë si eunukë, figurat kryesore të PD-së i kanë lënë militantë e tyre pa busull. Ndaj disa kryqëzojnë Agron Shehajn se takon ambasadoren dhe të tjerët lodhin krahët duke tundur, edhe në mënyrë të panevojshme, flamurin e pro amerikanizmit.
Analizë e Lapsi.al