E shtunë, 15 Mars, 2025

SHTETËSIA NË QORRSOKAK

Partia Levica e Dimitar Apasiev sërish bllokon Ligjin e shtetësisë. Miratimi i këtij ligji u dakordua muaj më parë midis kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të ASH-së, Ziadin Sela. Kjo ujdi u arrit për zhbllokuar punën e Parlamentit, por si duket ky qëllim do të jetë rëndë të arrihet.

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare, të ftuar në emisionin “Rruga drejt” në Alsat, deklaruan se mes subjekteve shqiptare të përfaqësuara në Kuvend ka konsensus për miratimin e ligjit dhe se ka mënyra për zhbllokimin e tij. Syrija Rashidi nga ASH-ja thotë se do të presin reflektimin e partive politike maqedonase për të heq dorë nga bllokada, ndërsa Arbër Ademi i BDI-së deklaroi se bashkërisht me opozitën shqiptare do të bëhet çmos për zhbllokimin e procedurës.

Por, opozita shqiptare dyshon në sinqeritetin e kryeministrit Zaev. Thotë se është në koordinim me VMRO-DPMNE dhe LEVICA që të pamundësojnë miratimin e ligjit, i cili besohet se do t’u mundësojë qindra shqiptarëve etnikë të pajisen me shtetësi maqedonase.

“Subjektet e mëdha politike duke mos dashur ta marrin mbi vete përgjegjësinë e bllokimit të ligjit, ata përdorin metoda që përmes një subjekti të vogël i cili me metoda fashizoide mundohet ta bllokon një ligj i cili kryekëput është në shërbim të qytetarëve. Do të konsultohemi si grup parlamentar dhe përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që bllokojnë por edhe e shkaktarit të bllokadës. Ata duhet ta thonë të vërtetën, çfarë u pengon nga ky propozim-ligj”.

Kryeministri Zaev, ndërkaq, garanton se do të gjenden mënyra për ta miratuar ligjin.

“Me të vërtetë nuk e kuptoj logjikën e partisë “E Majta” e cila po tregon se është e djathtë dhe ka humbur konceptin. Nëse vazhdojnë të shtyhen me VMRO-DPMNE-në se cila më shumë bllokon ligje në Kuvend, rezultatin e kësaj qasje do ta marrin në zgjedhjet lokale. Ligji për shtetësi sillet për të gjithë qytetarët dhe nevoja e tij është mese e dukshme. I plotëson të gjitha standardet dhe gjetëm zgjidhjen e duhur. Tani të bllokohet? Nuk e shoh asnjë arsye”.

LEVICA ka arsyetuar bllokadën me deklaratën se “propozimi nuk ka logjikë juridike” dhe se “miratimi i tij dëmton lidhjen shtet-qytetar”.

Propozim-Ligji për shtetësi ka ngelur në fazën e shqyrtimit të amendamenteve. Për plotësimin e tekstit të ligjit janë propozuar 10 amendamente. Opozita shqiptare, sipas televizionit Alsat, nuk mohon mundësinë që në rast të mos miratimit të ligjit, t’i kthehet bllokadës së Kuvendit përmes mijëra amendamenteve. /KDP

Të fundit