E mërkurë, 19 Mars, 2025

BOZHINOVSKA NUK DO TË JETË NË KËSHILLIN E OSMANIT

Valentina Bozhinovska nuk do të jetë në Këshillin strategjik për politikë të jashtëm. Ajo ka thënë se për shkaqe shëndetësore nuk do të mund të japë kontribut në Këshillin e formuar nga MPJ, njofton KDP.

Në një deklaratë për A1on.mk, Bozhinovska thotë: “I ndeuar Ministër, Ju faleminderit për ftesën dhe idenë tuaj e cila është briliante, dhe me këtë rast e përshëndes, por për shkak të aktiviteteve të kufizuara për shkaqe shëndetësore nuk mund të kontribuoj në këto momente, por shpresoj në një bashkëpunim të ardhshëm sepse jam e bindur se të gjithë së bashku mund ta shtrijmë dorën për projektin për shtet evropian”.

Ajo thotë se e ka pranuar ftesën e ministrit Osmani që të jetë pjesë e ekipit që do të përpilojë strategji 10-vjeçare në politikën e jashtme shtetërore.

“Inkluzioni i politikës së jashtme është kyçe në këto momente, kurse të ardhmen e shoh në pajtimin si faktor përbashkues të të gjithë aktorëve politik në vend. Na duhet një shtet evropian me të ardhme evropiane”, ka thënë mes tjerash Bozhinovska.

Këshilli strategjik ka për synim kontributin në platformën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të a.q. Reflektime 2030, qëllimi i së cilës është krijimi i strategjisë 10 vjeçare për politikë të jashtme të Maqedonisë së Veriut.

“Jam i gatshëm që të krijojmë qëndrim të përbashkët. Anëtarët do të punojnë pa pagesë për angazhimin e tyre”, ka thënë Osmani. “Unë nuk kam gjetur në Ministrinë e Jashtme dokument, strategji qoftë për një periudhë 3 vjeçare, 5 vjeçare apo 10 vjeçare”.

Anëtarë të trupit këshilldhënës janë: Marjan Gjurovski, Nano Ruzhin, Denko Maleski, Marko Troshanovski, Ivana Tufegxhiq, Gordan Gorgiev, Lazar Elenovski, Zhivko Mukaetov, Viktor Gaber dhe Ajdovan Ademovski.

Në mesin tyre janë edhe Sërgjan Kerim, Arben Ratkoceri, Luan Starova, Llazar Elenovski, Ivana Tufekxhiq, Rizvan Sulejmani dhe të tjerë.

Angazhimi i ish Drejtores së Komisionit për marrëdhënie me komunitetet fetare, Valentina Bozhinovska ka shkaktuar reagime të shumta.

Opinioni e mban mend fjalimin e saj kërcënues “nata e thikave” gjatë një tubimi para KSHZ-së në vitin 2016 dhe është skeptik se ajo mund ta përmirësojë pozicionin e vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

I pyetur për angazhimin e Bozhinovskës, Osmani në “Rruga Drejt” tha se ajo do t’i ndihmojë debatit të larmishëm brenda Këshillit strategjik.”Kam qenë i vetëdijshëm për pikëpamjet kundërthënëse, të cilat mund të ngrisin zhurma..”.

Opozita shqiptare ka reaguar nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. “Zgjedhja e Valentina Bozhinovskës në Këshillin e ekspertëve për përpilimin e strategjisë për politikë të jashtme të cilën sot e konfirmoi Bujar Osmani është gjithëçka që ne kemi alarmuar me kohë. Me bashkëpunëtorët e Nikolla Gruevskit, si Bozhinovska e cila njihet si anti shqiptare dhe antinperëndimore, Osmani dhe kjo Qeveri zyrtarizuan strategjinë e tyre drejt Rusisë dhe drejt izolimit të vendit. Nga një ministër që do të këshillohet nga organizatorja e “natës së thikave”, tanimë është e qartë se nuk mund të pritet e ardhme e ndritshme. Osmani dhe BDI e dëshmuan që nuk mund të ndahen nga Gruevizmi, por tanimë edhe e gjithë Qeveria na tregoi se janë bërë “bashkë drejtë Rusisë, izolimit dhe krimit”. Tanimë nuk ka vend për përrallat me veto bullgare, por është vetë Qeveria LSDM-BDI që i vendos veto ardhmërisë evropiane të vendit, qytetarëve në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti.”

 

 

Të fundit