E premte, 21 Mars, 2025

MAQEDONIA E V. ME “GREEN PASS”, BE-JA NUK I PRANON VAKSINIMET ME SPUTNIK V DHE SINOVAC

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka njoftuar se certifikata e vaksinimit anti-Covid do të jetë gati javën e ardhshme. Sipas tij, ajo do të përmbajë tri lloje të të dhënave; vaksinimin, testin PCR dhe posedimin e antitrupave si dëshmi se e kemi kaluar sëmundjen.

“”Green pass”-i ynë (certifikata e vaksinimit) do të jetë gati javën e ardhshme. Është pasaportë, e cila me CR kod dhe aplikacion që do të mund të zbritet në çdo celular, do të përmbajë hapësirë për tri të dhëna. Në CR kod do të ketë hapësirë për vaksinën, përkatësisht për rivaksinimin dhe për llojin e vaksinës. E dhëna e dytë do të jetë testimi PCR i cili mund të përditësohet pas çdo testimi PCR, në rast se ndonjë shtet kërkon test, dhe të dhëna për antitrupat, si dëshmi se e kemi kaluar sëmundjen”, ka sqaruar Filipçe, raporton TV21.

Por, pjesa më e madhe e qytetarëve të vaksinuar në Maqedoninë e Veriut kanë marrë doza të vaksinave kineze dhe ruse, të cilat nuk janë njohur ende nga EMA.

Këshilli i Bashkimit Evropian ka njoftuar sot vendimin e tij për të azhurnuar rekomandimin për kufizimet për udhëtime nga vendet e treta, i cili u prezantua për herë të parë nga Komisioni i BE më 3 maj.

Në një njoftim për shtyp, Këshilli shpjegon se Shtetet Anëtare kanë rënë dakord të lejojnë më shumë udhëtarë nga vendet e treta të hyjnë në bllok, në veçanti udhëtarët e vaksinuar, të cilët janë inokuluar me një vaksinë COVID-19 të miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) , raporton SchengenVisaInfo.com, përcjell KDP.

“Ky ndryshim i përgjigjet fushatave të vazhdueshme të vaksinimit duke futur disa heqje dore për personat e vaksinuar dhe duke lehtësuar kriteret për të hequr kufizimet për vendet e treta”, vë në dukje njoftimi për shtyp.

Ai gjithashtu shpjegon se rekomandimi është azhurnuar për të marrë parasysh rreziqet e mundshme që paraqesin mutacionet e reja COVID-19, duke bërë kështu të disponueshëm një mekanizëm të frenimit emergjent, përmes të cilit blloku dhe Shtetet Anëtare do të jenë në gjendje të reagojnë shpejt ndaj shfaqjes të një varianti shqetësimi në një vend të tretë.

Përmes rekomandimit të ndryshuar, Këshilli këshillon Shtetet Anëtare të heqin kufizimet për udhëtarët nga vendet e treta, të cilët kanë marrë dozën e plotë të një vaksine të aprovuar nga EMA të paktën dy javë para se të hyjnë në bllok.

Dje, një zyrtar i BE kishte konfirmuar për SchengenVisaInfo.com se udhëheqësit e vendeve të BE ranë dakord për rihapjen e kufijve për më shumë udhëtarë nga jashtë bllokut, si dhe për të hapur kufijtë për udhëtarët të cilët janë inokuluar plotësisht kundër COVID-19 .

Sipas rregullave të reja, Shteteve Anëtare u kërkohet të rrisin pragun e përdorur për të përcaktuar listën e vendeve të treta të sigurta epidemiologjikisht, udhëtarëve nga të cilët lejohet të hyjnë në BE për qëllime jo thelbësore nga 25 në 75 raste të reja COVID-19 për 100 000 banorë gjatë dy javëve të fundit.

“Kritere të tjera ekzistuese vazhdojnë të zbatohen, duke përfshirë një trend të qëndrueshëm ose në rënie të rasteve të reja, numrin e testeve të kryera, një normë pozitiviteti prej katër përqind midis të gjitha testeve të kryera, përgjigjen e përgjithshme ndaj COVID-19 në vend dhe besueshmërinë e informacionin në dispozicion”, shpjegon Këshilli.

Ai gjithashtu vëren se reciprociteti duhet të vazhdojë të merret në konsideratë rast pas rasti, ashtu si tani është marrë parasysh për Kinën, Hong Kongun dhe Makao. BE e ka vendosur këtë të fundit në listën e vendit të tretë të sigurt epidemiologjikisht, megjithatë, pasi ata u kanë mbyllur dyert shtetasve evropianë, BE gjithashtu mban të ndaluar hyrjen në vend, duke aplikuar kështu reciprocitet.

Dhe së fundmi, Këshilli zbulon planet e tij për të trajtuar certifikatat e vaksinimit të shtetasve të vendeve të treta si ekuivalente me certifikatën e tij dixhitale të gjelbër sapo të nisë e njëjta.

Të fundit