Në këtë shtet vonesat janë të zakonshme dhe ato gjithnjë orkestrohen dhe mbështillen me një lloj teatri politik, i cili luhet në kurriz të qytetarëve. Kështu ndodhi edhe me pakon e pestë të ndihmës ekonomike, e cila me vonesë dhe me shumë mëlmesa politike më në fund është rrugës për t’u realizuar. Kjo ndodh, sepse këtu, edhe në kohë pandemie, politika e zë bashin vendit, sepse tejqyrja politike vështron pushtetin, këtë meduzë fatale që i grishë me “hiret” e veta të lehtësisë së padurueshme
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Keqmenaxhimi me pandeminë tashmë rezulton me një gjendje skajshmërisht të përkeqësuar të qytetarëve. Në të gjitha drejtimet tashmë po shfaqen shenjat e një rrënimi qytetar. Brenda kohës ka pasur rritje çmimesh, ndërkohë që qytetarët nuk kanë mundësi as për së afërmi të përmbushin nevojat e tyre elementare për jetesë.
Në këtë shtet vonesat janë të zakonshme dhe ato gjithnjë orkestrohen dhe mbështillen me një lloj teatri politik, i cili luhet në kurriz të qytetarëve. Kështu ndodhi edhe me pakon e pestë të ndihmës ekonomike, e cila me vonesë dhe me shumë mëlmesa politike më në fund është rrugës për t’u realizuar. Kjo ndodh, sepse këtu, edhe në kohë pandemie, politika e zë bashin vendit, sepse tejqyrja politike vështron pushtetin, këtë meduzë fatale që i grishë me “hiret” e veta të lehtësisë së padurueshme.
Ndërkohë njerëzit ankohen për faturat enorme të energjisë elektrike, për “paushallët” zhvatjes fatale që rëndë pranohen dhe po kaq rëndë denoncohen. Ndërkohë njerëzit po përballen me çmime të rritura të artikujve ushqimorë dhe gjërave tjera të domosdoshme. Njeriu po zvogëlohet në pafuqinë e vetë, po shndërrohet në “material” për makinerinë e qeverisjes pa kompas, për lojërat politike që luhen vazhdimisht dhe vazhdimisht.
Si gjithnjë dëgjohet vetëm refreni i ankimeve, i atyre britmave pa zë që nuk prekin në hapësirën publike, që nuk e trazojnë qeverinë dhe përgjithësisht politikën, përveçse në raste kur duan që të përfitojnë rreshtim, përkrahje që përsëri e nënkupton pushtetin, atë pushtet që këto 30 vite mori kaq shumë fytyra, por asnjëherë një fytyrë njerëzore në të mirë të qytetarëve.
Dhe njerëzit çirren në vetminë e tyre, në mjerimin e tyre, duke pritur ndryshime nga politikat aksidentale që asnjëherë nuk arritën që të shndërrohen në politika të qëndrueshme për zhvillim, mirëqenie dhe progress drejt një bote më të mirë. Gjithandej mund të dëgjosh zëra që prajnë në dëshpërim dhe në revoltë që nuk dihet se ku mund të drejtohet.
Kjo tashmë është pamja e kohës së pandemisë, pamja e vonesave qeveritare që po krijon një dekompozim social të mnershëm. Përballë zërave të mekur të dorëzimit qytetar qëndron arroganca e politikës, fytyra e akullt e saj që dalldiset akoma në improvizime tashmë të provuara.
Duket se përfundimisht është koha për kjellim, është koha për të reflektuar përgjegjësi, për të reflektuar seriozitet në menaxhimin dhe daljen nga kjo krizë që dita-ditës po bëhet më e thellë. Është koha për t’iu dhënë fund improvizimeve, inateve fëmijërore politike, përplasjeve boshe sidomos në këtë kohë kur kërkohet veprim i shpejtë dhe projektim më afatgjatë.
Kjo mund të bëhet duke vendosur bashkërendimin në vend të ndarjeve politike, efikasititetin në vend të improvizimit, përkushtimin dhe vullnetin për t’u ballfaquar me realitetin në vend të vonesave që përsëriten në secilën stinë të cirkut politik.