E diel, 16 Mars, 2025

Qentë endacakë rrezikojnë banorët e Kërçovës, qindra të kafshuar brenda një viti

Prania e madhe e qenëve endacakë nëpër rrugët e qytetit të Kërçovës paraqet një rrezik të përditshëm për banorët. Nuk ka cep të qytetit ku nuk mund të rastisish në turma qensh. Me këtë po shumëfishohen edhe paraqitjet në stacione policore për sulmet dhe kafshimet nga qentë endacakë.

“Në stacionin policorë të Kërçovës, që nga fillimi i këtij viti e deri tani janë regjistruar 56 sulme të qenëve endacakë ndaj njerëzve. Në vitin e kaluar 2020 ka pasur gjithsej 145 raste të regjistruara, ndërsa në vitin paraprak 2019 gjithsej 126 raste“ thotë Stefan Dimoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme, Ohër.

Qytetarët ndjehen vazhdimisht të kërcënuar dhe shpesh herë ata janë prehë e sulmeve nga qentë endacakë, sidomos në orët e para të mëngjesit kur shkojnë në punë.

E.P., banore e Kërçovës është sulmuar dhe kafshuar nga një qen endacak. Ajo tregon se sulmi ka ndodhur në shkurt të vitit të kaluar dhe fillimisht e ka paraqitur në polici. Më pas rasti ka shkuar në gjykatë edhe atë deri në Gjykatën e Apelit sepse Komuna ka bërë një ankesë lidhur me këtë. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe ajo ende nuk ka marrë dëmshpërblim.

E pyetur se si e ka përjetuar gjithë këtë dhe çfarë pret në vazhdim nga Komuna, E.P. përgjigjet: “Lëndimi nga kafshimi për fat nuk ishte aq i madh, pas javës së parë këmba nisi të më  rikuperohet dhe dhimbja disi u zvogëlua. Nuk kam pasur shumë probleme në ecje por psiqikisht ka ndikuar goxha shumë. Tani frigohem nga qentë shumë më shumë se sa para sulmit dhe që atëherë mundem të them se përpos në distanca shumë të shkurtëra, nuk kam dalur të ec në këmbë e vetme. Komuna duhet të gjejë zgjidhje, së pari të mos lejojë të sillen qentë prej qyteteve të tjera, të krijojë qendra për trajtimin e qenëve endacak ose më së paku t’i vaksionojë ato. Jo vetëm komuna por i tërë shteti duhet ta pranojë këtë problematikë që vë në rrezik jetën e qytetarëve gati në çdo qytet.”

Rikujtojmë gjithashtu rastin tragjik para 4 viteve më saktësisht në mars të vitit 2017 në fshatin e quajtur Baçishtë, Kërçovë u sulmua 4 vjeçari dhe si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, vdiq në spitalin e përgjithshëm.

Fatmir Dehari, Kryetar i Komunës së Kërçovës, kohë më parë për TV21 ka thënë që ka informacione se në Kërçovë sillen qenë endacakë 3 herë në muaj me kamion nga qytete të tjera. Sipas mendimit të tij, përderisa vazhdon kjo praktikë e bartjeve të qenëve endacakë nga një komunë në tjetrën, nuk bën punë as stacioni. Në dhjetor të vitit të kaluar, Dehari, tha që komuna ka fituar një grant prej mbi 300 mijë eurosh dhe veçse ka hartuar një projekt për strehimin dhe trajtimin e qenëve endacakë, njëashtu po shpreson që në fillim të vitit 2021, përafërsisht në muajin mars ose prill, maksimum deri në muajin maj të fillohet realizimi i këtij projekti. Se a do të mbahet ky premtim dhe a ka filluar realizimi, nuk kemi informatë të saktë. Komuna refuzoi të japë qëndrim.

Deri sa nuk ka një zgjidhje, personat e dëmtuar nga qentë endacakë në disa raste kërkojnë dëmshpërblim dhe për disa prej tyre, dëmshpërblimi miratohet.

Dëmshpërblimi i qytetarëve të dëmtuar i kushton shumë komunës

Nëpërmjet qasjes për informacione me karakter publik, nga ky institucion siguruam të dhëna për shumën e përgjishme të dëmshpërblimeve për dy vitet e kaluara. Komuna e Kërçovës për vitin 2019 ka paguar 4 milionë e 962 mijë e 18 denarë në llogaritë e qytetarëve të dëmtuar nga qentë endacakë (mbi 81 mijë euro). Për vitin 2020 komuna ka paguar 5 milionë e 92 mijë e 741 denarë për arsyen e njëjtë (mbi 83 mijë euro).

Për të arritur deri të dëmshpërblimi, rasti duhet fillimisht të paraqitet në polici nga qytetari i sulmuar gjegjësisht i kafshuar nga qeni endacak. Nëse rasti shkon në gjykatë qytetari për dhimbjet fizike merr dëmshpërblimin rreth 35.000 denarë për sulmin, 30.000 denarë për frikën, 20.000 denarë për dhimbjet shpirtërore dhe 5000 denarë për shëmtim. Pra, gjithsej mund të arrihet deri në vlerën 90,000 denarë.

Me fjalë të tjera, shuma e përgjithshme që paguan komuna për dëmshpërblimin e personave të dëmtuar është më e lartë se sa që supozohet të ishin shpenzimet e funksionimit të një qendre për trajtimin e këtyre qenëve.

Shoqatat kërkojnë qendër strehimi

“Grifon”, shoqata për mbrojtjen e qenëve endacakë në Kërçovë, hedh dyshime për asgjësim të organizuar të qenëve endacakë me qëllim të uljes së numrit të tyre. Nga “Grifon” thonë se, në mënyrë të jashtëligjshme qentë vriten me formën e eutanazisë ose dërgohen në qytete të tjera pasi u shkatërrohen çipat indektifikues. Ata madje akuzojnë se nuk është zbatuar as tenderi për sterilizimin e 170 qenëve për të cilin paratë tashmë janë ndarë nga komuna. Nëse sterilizimi do të shkonte sipas planit, ata thonë se nuk do të kishim numër kaq të lartë të këlyshëve.

“Vitin e kaluar në Kërçovë kishte 400. Këtë vit ka 300 qen të rritur. Ka edhe 150 të vegjël të cilët janë të mbrojtur nga shoqata jonë. Duhet të kishim 400 të rritur me 50 të vegjël. Nëpër fshatra ka 200. Edhe atje numri është ulur duke qenë se vitin e kaluar kishte më shumë”, thonë nga Shoqata “Grifon”.

Shoqata në fjalë propozon zgjidhje urgjente dhe humane.

“Komuna duhet urgjentisht të fillojë me ndërtimin e vendbanimit të përhershëm për kafshët e pastreha, të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi me “Grifon”, Kërçovë dhe të përfundojë horrori nëpër rrugët e Kërçovës. Atë që shoqata e ka vërejtur është se me vite është lënë anash problemi sikur problemi të ishin vetëm uria dhe sëmundja e këtyre kafshëve. Nuk dëshirojnë as të bëjnë diçka, të paktën të plotësohen nevojat bazë në secilën komunë në mënyrë njerëzore pa shkatërruar asgjë. Këtë qytetarët tanë e meritojnë por asnjë kryetar komune nuk e ka bërë”, thonë nga shoqata “Grigon”.

Mospasja e kushteve adekuate për menaxhimin e situatës me qentë endacakë ekziston edhe në komuna të tjera të vendit.

 

Albina Sefadini

Edlira Sadiku

Të fundit