E martë, 29 Prill, 2025

VIRUSI KORONA I MERR JETËN EDHE CIMËS

Ka vdekur sot në moshën 70-vjeçare aktori i njohur, Rasim Thaçi – Cima. Lajmi e kanë bërë të ditur nga Klinika e Mjekimit Intensiv për Gazetën Express, përcjell KDP.

Ai ka disa ditë që ishte duke u trajtuar nga COVID-19 dhe ishte i shtrirë në Mjekimin Intensiv. Madje familjarët, rreth 10 ditë më parë kanë kërkuar gjak për të, për të cilin edhe ishte siguruar.

Rasim Thaçi – Cima ishte një aktor i njohur i humorit kosovar që kishte lindur më 12 korrik të vitit 1949. Ka përfunduar shkollën e mesme në Prishtinë – dega ndërtimtari. Ka qenë edhe futbollist derisa ka kryer edhe Fakultetin e Kulturës Fizike. Në vitet 1980-1998 ai ka qenë mësimdhënës derisa njëkohësisht zhvillonte karrierë prej futbollisti. Njëkohësisht ai nisi edhe karrierën prej humoristi në Radiotelevizonin e Prishtinës [RTP].

I lindur në Llapushnik të Drenasit, Cima para një viti ka rrëfyer se qysh i vogël është zhvendosur në Prishtinë. Ai ka treguar se një kohë ka jetuar në Shtërpcë sepse babai i tij ka qenë komandant i policisë së asaj kohe, për çka Cima thotë se nuk e ka problem të tregoj asnjëherë.

“Duke iu falënderuar babait kemi bërë jetë të mirë. Të tregoj drejtë, kush ka qenë në Lidhjen Komuniste janë jetuar shumë mirë”.

Humoristi ka kujtuar me nostalgji të kaluarën në fshat, por ka thënë se në atë kohë jeta në Llapushnik ka qenë e vështirë, pasi sipas tij sistemi komunist e ka dëmtuar shumë fshatin.

“Sot do të isha kthyer me dëshirë të jetoj në fshat, pasi qytetet janë degraduar… Tash po e dimë të gjithë, Prishtina për disa muaj po e zë vendin e parë në botë për ndotje”.

Rasim Thaçi i cili është edhe prindi i këngëtares së njohur Adelina Thaçi ka thënë se e bija i ka trashëguar talentin e humorit, por sipas tij ajo “aksidentalisht ka përfunduar në muzikë”.

Cima ka thënëp se ka qenë një futbollist mjaft i mirë i cili edhe ka shënuar mjaft gola. Ka pasur oferta edhe nga Dinamo e Zagrebit, por sipas tij humori në shpirt që ka pasur nuk e ka lejuar të zhvillojë karrierë në futboll.

“Kam bërë gabime në fushë. I dhuroja topin portierit në momentin kur mundesha të shënoja. Mos serioziteti im në fushë më pengoi. Njëherë i dhashë vetes gol, vetëm për të bërë sensacion për publikun”, ka rrëfyer humoristi i njohur Rasim Thaçi – Cima.

Telegrame ngushëllimi në adresë të familjes së tij kanë arritur nga gati të gjitha autoritetet politike, kulturore dhe shoqërore. /KDP

Të fundit