E shtunë, 4 Maj, 2024

Një pjesë e prindërve të vetëm – pa përkrahje financiare

Vetëm deri tek organizata “Edna mozhe” kanë arritur mbi 50 kërkesa nga prind të vetëm mbi këtë bazë, që ankohen se janë refuzuar për ndihmën e njëhershme të dedikuar për familje me një prind, edhe pse i kanë plotësuar kushtet. Nga Qeveria pretendojnë se pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë marrë ndihmë nuk kanë dorëzuar kërkesë me dokumentacion deri te Qendrat për punë sociale, që paraqet bazën mbi të cilën bëhet lista sipas së cilës ata paguhen, ndërsa është detyrim ligjor.

 

Autorë: Vanja Micevska dhe Kristijan Trajçov

 

Deri më tani, 1,175 prindër të vetëm kanë marrë mbështetje financiare prej 6,000 denarësh, që është pjesë e ndihmës së njëhershme në kuadër të masave të qeverisë nga paketa ekonomike e ndihmës për kategoritë e lëndueshme të qytetarëve gjatë KOVID 19. Sipas informacionit nga Qeveria, gjithsej 3,196 prindër të vetëm janë refuzuar për këtë lloj ndihme pasi kishin dorëzuar ankesë.

“Shumica e të refuzuarve përkojnë me mbështetjen financiare veç më të shfrytëzuar nga paketa e tretë e masave si punëkërkues aktivë ose si punonjës me të ardhura deri në 15,000 denarë”, thonë nga atje. Sipas tyre, pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë marrë ndihmë, nuk kanë dorëzuar kërkesë me dokumentacion deri te Qendrat për punë sociale, që paraqet bazën mbi të cilën bëhet lista sipas së cilës ata paguhen, ndërsa është detyrim ligjor.

Kryetarja e organizatës “Edna mozhe”, Doroti Paçkova për PINA thotë se ata kanë mbledhur nënshkrime nga prindërit dhe kanë dërguar ankesë deri te Qeveria për këto raste, por nga Qeveria mohojnë se kanë pranuar një dokument të tillë.
“Deri te Qeveria kemi dërguar ankesë, përkatësisht kërkesë nga mbi pesëdhjetë prindër të vetëm, të cilët u futën në një grup të vogël të plotë të prindërve të vetëm që duhet ta realizonin masën. Fatkeqësisht, u refuzuan pa ndonjë arsyetim, andaj kërkuam të na sqarohet se mbi çfarë baze u refuzuan, por nuk morëm asnjë përgjigje. Pra, kemi prindër që i plotësojnë kushtet, por janë refuzuar dhe ata e paraqitën këtë te ne, e nënshkruan ankesën me qëllim që t’u pranohet kërkesa, e cila në praktikë duhet të zbatohet ashtu siç është vendosur teorikisht”, shpjegon
Paçkova.

Por, nga Qeveria thonë se nuk kanë pranuar një letër të tillë nga sektori i OJQ-ve.
“Pavarësisht kësaj, Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, si organi përgjegjës për zbatimin e masave anti-krizë, shqyrton çdo rast në plotësi”, thonë ata.

Ndihma e njëhershme – e pamjaftueshme

Paçkova nga organizata “Edna mozhe”, thotë se ndihma e njëhershme nuk është e mjaftueshme për prindërit që kujdesen vetë për fëmijët e tyre. Sipas saj, masa është e njëhershme dhe e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për vetëm një muaj, ndërsa pandemia po zgjat një vit të tërë.

“Ndihma ishte afatshkurtër dhe minimale, ndërsa kryesorja ishte që aplikimi për masën zgjati një kohë mjaft të shkurtër, gjegjësisht vetëm pesë ditë. Për këtë kohë duhej të dorëzoheshin certifikata nga prindi dhe fëmija, si dhe dëshmi se janë prindër të vetëm, certifikata të lindjes nga libri amë, dhe këto dokumente kishin afat dorëzimi prej dhjetë ditësh. Vetë kjo e pamundësoi që një numër shumë i madh i atyre prindërve që aplikuan të mos ishin në gjendje ta realizojnë masën”, shton ajo.

Sipas saj, gjithashtu është i nevojshëm përkufizimi i statusit “prind i vetëm”. Pikërisht kjo, thotë ajo, është edhe arsyeja se pse disa nga prindërit nuk kishin qasje deri te masa për mbështetje financiare.

“Ndryshimet ligjore janë absolutisht të nevojshme, andaj dhe që nga fillimi i ekzistencës sonë si shoqatë, ndërsa paraprakisht si lëvizje për realizimin e të drejtave të prindërve të vetëm, ne bëjmë përpjekje për përkufizimin e statusit të prindërve të vetëm, për shkak se nuk ka përkufizim zyrtar – përfundon Paçkova.

Sipas saj, prindërit e shkurorëzuar nuk kanë qasje te kjo masë, njëjtë sikur që nuk kanë të drejtë të aplikojnë familjet me një prind që kanë një prind të humbur/zhdukur, me prind që vuan dënim me burg, prind që është në një institucion psikiatrik ose çfarëdo institucion shtetëror, prind që është larguar nga vendi dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për fëmijët e tij, prind i cili kurrë nuk ka paguar alimentacion për shembull.

Nga Qeveria thonë se vlera e të drejtës së ndihmës minimale të garantuar përllogaritet si bazë për një anëtar të amvisërisë, e rritur me koeficient nga shkalla ekuivalente për anëtarët tjerë të amvisërisë, e më së shumti deri në pesë anëtarë të amvisërisë.

“Baza e së drejtës së ndihmës minimale të garantuar është 4.000 denarë në muaj dhe përcaktohet në pajtueshmëri me rritjen e shpenzimeve për jetesë për vitin paraprak, të publikuar në Entin shtetëror për statistikë në janar të vitit aktual”.

Vlera e së drejtës rritet në pajtueshmëri me shkallën ekuivalente për koeficient prej 0,5 për një grua të vetme gjatë shtatzënisë, një muaj para lindjes, dhe një prind të vetëm deri në fillimin e arsimit fillor të fëmijës, por më së voni deri në moshën shtatë vjeçare e fëmijës, dhe përfundimisht deri te fëmija i tretë.

“Personat/amvisëritë në rrezik për shkak të pasigurisë materiale që shfrytëzojnë ndihmën minimale të garantuar, gjithashtu marrin edhe një kompensim prej 1.000 denarësh në muaj gjatë gjashtë muajve të dimrit, për të mbuluar shpenzimet për ngrohje”, thonë nga atje.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

 

Të fundit