E premte, 3 Maj, 2024

FUTBOLLISTËT E HUAJ, ZHGËNJIM PËR TALENTËT VENDAS

Shkruajnë: Liridona Kuçi & Meriton Mani

 

Angazhimi i futbollistëve të huaj në skuadrat vendase zbeh shpresën e talentëve të rinj vendas për t’u afirmuar. Këtë shqetësim e njeh Federata e Futbollit të Maqedonisë. Sipas tyre, statuti ka paraparë disa dispozita që janë në favor të talentëve të rinj dhe ngarkojnë financiarisht skuadrat që vendosin të angazhojnë më shumë lojtarë të huaj.

“Çdo vendim që merret, merret me kërkesat e ekipeve dhe natyrisht që prania e futbollistëve të huaj e dëmton edhe atë koxha shumë ardhmërinë e futbollit. Por kur është ndryshuar statuti, bëri që të ndryshohen edhe gjërat e tjera siç është pjesëmarrja e obligueshme e një futbollisti U21 (nën moshën 21 vjeçare) në formacion e një në pankinë, sepse po u lëndua i pari duhet ta zëvendësosh me një tjetër. Edhe kategoria e dytë ka pothuajse të njëjtat rregulla, ku ekipi duhet të ketë në përbërjen e parë një futbollist U21 dhe një U19 (nën moshën 19 vjeçare). Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka përfituar nga ky rregull, pasi kemi prekur evropianin me të rinjtë, ndërsa tani jemi në evropian me seniorët” – thonë nga federata.

FFM-ja thotë se këto nuk janë masat e vetme që ka marrë për të siguruar angazhimin e lojëtarëve të rinj nëpër ekipe.

“Katër lojtarë të huaj ke të drejtë t’i kesh në ekip pa pagesë, ndërsa gjithsej lejohet të jenë tetë. Sa i përket pjesëmarrjes së të huajve në një ndeshje nuk ka ndonjë ndalesë, që do të thotë se mund që të tetë futbollistët e huaj mund të jenë njëkohësisht në formacionin bazë.” – shtojnë nga FFM-ja.

Kampionati i kategorisë së parë të Maqedonisë së Veriut në sezonin 2020/21 numëron 46 futbollistë të huaj, ndërsa klubi që ka më shumë të huaj është “Shkëndija” e Tetovës me tetë futbollistë të huaj, pason “FC Shkupi” me gjashtë, ndërsa nga pesë lojtarë të huaj kanë “Sileksi”, “Struga Trim&Lum” dhe “Pelisteri”, “Renova” dhe “Bellasica” janë me nga katër, tre ka “Makedonija Gj.P”, nga dy kanë “Akademija Pandev”, “Rabotniçki” dhe “Boreci”, ndërsa “Vardari” nuk ka asnjë lojtar të huaj.

“Shkëndija” thotë se gjithsesi qëllimi i tyre është suksesi dhe se qëllimi arsyeton mjetin. “Afirmimi i të rinjëve nga shkolla vetanake gjithmonë është cak i Shkëndijës. Por duhet kuptuar se të zhvillosh strategji të caktuara në një klub paralel me përcaktimin për të realizuar ambicie të mëdha si titulli kampion dhe ecuria e mirë në Evropë nuk është edhe aq e lehtë, sepse gjithçka do të ishte ndryshe të lëshosh më shumë të rinjë në formacion në kushte kur nuk ke presionin e rezultatit apo titullit. Është edhe kjo një temë komplekse, pasi si në çdo sferë edhe këtu ndodhin gabime dhe çdo afrim i një lojtari të huaj që nuk plotëson pritjet, përveç transferimit të dështuar nënkupton edhe ‘vjedhja’ e hapsirës që ka mundur t’i jepet një të riu.” – deklarojnë nga kjo skuadër.

Megjithatë, sipas kësaj skuadre, të rinjtë nuk janë lënë totalisht pas dore.

“Ka raste kur afrimi i një të huaji me përvojë të caktuar, vërtet ndihmon të rinjtë për të mësuar nga karriera e tij… Gjithsesi edhe në kushte të këtilla faktet flasin se Shkëndija gjithmonë ka nxjerrë të rinj nga shkolla dhe të njejtët janë afirmuar. Po t’i hedhësh një sy formacionit tonë, aty gjen lojtarë të akademisë qoftë tani në moshë të re, apo të tjerë që janë standard dhe kanë dalë pikërisht nga shkolla e Shkëndijës.” – shtojnë nga “Shkëndija”.

“Vardari”, nga ana tjetër, përballet me krizë financiare dhe nuk posedon buxhet të mjaftueshëm për të përballuar angazhimin e futbollistëve të huaj. Kjo është edhe arsyeja që nuk ka asnjë të tillë.

FUTBOLLISTËT E RINJ E NDJEJNË KONKURRENCËN

Ata që me shumë e ndjejnë konkurrencën kur inkuadrohen nëpër klube futbollistët e huaj janë talentët e akademive vendase. Festim Ebibi, një sulmues krahu, një djalë 19 vjeçar nga Tetova, goxha ambicioz që gjithë formimin e tij si futbollist e ka patur tek akademia e Renovës, së fundmi është kyçur në ekipin e parë të Renovës. Ai thotë se angazhimi i lojtarëve të huaj len pas dore talentët vendas.

“Ana negative e konkurrënces është se mbase nuk arrin të marrësh minutazhin e duhur, por ka edhe ndikim pozitv tek unë, më motivon që sa më shumë të punoj dhe përmirësohem dita-ditës. Qasja e futbollistëvë të huaj ndikon negativisht pasiqë për shkak të tyre shumica e të rinjëve lihen pas dore dhe nuk arrijnë që t’i shfaqin cilësitë dhe talentin e tyre, gjë që i penalizon për hapat e mëtejshëm në karrierë.” – deklaron Festim Ebibi.

Festimi thotë se personalisht ka punuar shumë për të arritur qëllimin e tij.

Agjencia për rini dhe sport beson se bën mjaftueshëm për të ndihmuar futbollistët e rinj në vend, kryesisht nëpërmjet vauçerëve dhe mjeteve për federatat e sportit.

“Agjencia për rini dhe sport realizon gjithashtu ndarjen e vauçerëve dedikuar për sportin në vend, ku vlera e përgjithshme e vauçerëve të shpërndarë është 10.000.000 euro. Federatat Nacionale, klubet e sportit dhe të sportistët aktiv në sportet individuale dhe kolektive, Agjencia për rini dhe sport i përkrah edhe me dy programe shtesë, edhe atë; Programin për zhvillim të sportit dhe të rinjë për vitin 2021 dhe Programa e ndarjes të mjeteve financiare nga lojrat e fatit dhe lojrave argëtuese për vitin 2021, për financimin e federatave nacionale të sportit dhe projekteve të Agjencisë për rini dhe sport për zhvillimin e sportit në Republikën e Maqedonisë së Veriut” – thuhet në përgjigjen e Agjencisë për rini dhe sport.

Për katër nga gjithsej tetë të lejuarit lojtarë të huaj për skuadër, ekipi nuk ka detyrime financiare ndaj FFM-së. Për lojtarin e pestë klubi paguan 5 mijë euro, për të gjashtin 7.5 mijë euro, për të shtatin 10 mijë euro dhe për të tetin 12 mijë euro ndaj FFM-së.

 

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Të fundit