E shtunë, 4 Maj, 2024

Lufta me krizën Kovid-19– përmes syrit të punonjësve mediatikë

Gjendja me pandeminë e virusit korona, e cila praktikisht e ndryshoi botën si dhe vendin tonë, për një vit është ndjekur nga syri i mprehtë i publikut, falë gazetarëve, fotoreporterëve dhe punonjësve tjerë mediatikë, të cilët në vazhdimësi raportojnë nga konferencat për shtyp, spitalet, spitalet modulare, korridoret, ngjarjet publike dhe vende të ndryshme nëpër vend. Në bisedë për PINA-n, disa gazetarë dhe punonjës mediatikë flasin për sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë raportimit në kohë pandemie.

 

Autorë: Martin Kolloski dhe Besmira Ibraimi

“Tingulli nga aparati i mushkërive do të jetojë me mua shumë gjatë kohë. Publiku i sheh vetëm ato fotografi, por unë edhe i dëgjoj”, ky është vetëm një nga momentet që do të mbeten të gdhendur në kujtesën e fotoreporteres së re Arbnora Memeti, e cila gjatë gjithë kohës së pandemisë është pjesë e grupit të gazetarëve që janë sytë dhe veshët e publikut.

Ajo tregon se ka momente nga kjo periudhë raportimi që nuk do t’i harrojë kurrë. “Mund të them se kam përjetuar shumë momente emocionale. Nga klinika deri te varrimet. Vështirë, por edhe e sikletshme”, thotë Memeti. Shpesh, thotë ajo, në situata të këtilla ekzistojnë dilema profesionale dhe etike.

“Ka pasur situata kur është joetike të mos fotografosh dhe është joetike të fotografosh. Një moment i tillë më ndodhi në klinikë, kur një pacient me disa bombola po luftonte për jetën, pranoi t’i bëja foto, ndërsa unë duke harruar që isha veshur me skafandër, përpiqesha të buzëqeshi dhe ta përshëndes me dorë për ta falënderuar”, sqaron Memeti.

Edhe gazetarja Mirosllava Bërns nga gazeta “Sloboden Peçat” (Shtypi i lirë) dëshmon gjithashtu për më shumë situata që nuk e lanë indiferente gjatë kësaj periudhe. “Kur isha prezentë në varrimin e një politikanit tonë, i cili vdiq nga virusi korona, u përballa me skena emocionale që nuk lënë indiferent askënd. Kur flisja me pacientë, në familjet e të cilëve brenda pak muajsh kishin vdekur edhe deri në 12 anëtarë nga virusi korona, ndjeva humbjen, dhimbjen dhe pafuqinë e tyre. Bashkëndiej me tragjeditë e shkaktuara nga virusi”, sqaron Bërns.

Ajo që gjatë gjithë kësaj kohe e ka bërë gazetaren të ndihet e sigurt është, siç thotë ajo, “kombinimi i pajisjeve mbrojtëse, informimi për mënyrën e përhapjes së virusit dhe zvogëlimi i takimeve personale me burime”.

Gjithashtu, ajo shton se gjatë raportimit vazhdimisht ka ndjekur rekomandimet për mbrojtje nga redaksia e saj, për të cilën thotë se është kujdesur në veçanti për sigurinë, shëndetin dhe pajisjet mbrojtëse të gazetarëve. Faktin se gazetarët kanë qenë mjaft të mbrojtur e thekson edhe Memeti, e cila shton se ata ishin në duar të sigurta, veçanërisht kur duhej të raportonin nga klinikat. Dhe këtë e potencon si një moment të ri në jetën dhe karrierën e saj.

“Isha e emocionuar. Mund të them se edhe nuk fjeta mirë duke menduar se si do të fotografoj, çfarë do të vishja nga pajisjet brenda. Por, e gjithë kjo u harrua në momentin që hyra atje. Nuk kisha frikë në asnjë moment dhe nuk do të kem frikë prej asgjëje, përderisa punoj në këtë profesion. U përkushtova për të arritur qëllimin tim, dhe ky ishte që realiteti të arrijë tek të gjithë qytetarët. Dhe mund të them se deri diku
e arrita atë”, thotë Memeti.

Momente të mundimshme edhe nga spitalet rajonale

Korrespondentja e “Sakam da kazham” nga Ohri, Suzana Vrencovska, gjithashtu dëshmon për momentet që i kanë lënë gjurmë në kujtesën e saj. Vrencovska, nga dhomat e spitalit në qendrën Kovid të Ohrit, tregon për pacientët të cilët po luftonin të merrnin frymë, ndërsa është përballur edhe me pacientë që kanë pasur frikë se do të humbnin betejën me virusin korona.

“Një person më i moshuar nga Ohri, i cili ishte në shtrat spitali për dy javë, tregoi me emocione për ditët e vështira dhe të dhimbshme në luftën me virusin. Dëshironte vetëm të largohej gjallë dhe shëndoshë. Pashë një grua të rraskapitur me dhimbje gjoksi, e cila mezi fliste për të treguar se po kalonte nëpër ferr. Frymëmarrja e rënduar ishte më e zëshme se fjalët e saj, por mendimet e saj ishin te burri i saj, i cili
ishte dërguar në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup”, tregon Vrencovska.

Është e natyrshme të ndiejmë frikë kur bëhet fjalë për një virus vdekjeprurës, thotë Vrencovska, lidhur me atë se si ndihej gjatë aktiviteteve të punës.

“Por, kur jeni në terren, kur përballeni me imazhe dhe fate të tmerrshme, as nuk mendoni për rreziqet që mund të rrezikojnë shëndetin tuaj, edhe përkundër të gjitha masave që duhet të respektohen”, thekson ajo.

Vështirësitë gjatë raportimit, siç shton ajo, i ka pasur në lëvizje dhe mbrojtje, gjegjësisht, bartja e pajisjeve të domosdoshme për në teren, duke shtuar se protokollet e mbrojtjes duhet të respektohen për të mbetur të shëndoshë.

“Konkretisht, kur po raportoja nga qendra Kovid në Ohër, para se të hyja në Repartin e sëmundjeve infektive në Spitalin e Ohrit, në pjesën ku janë vendosur pacientët me sëmundje të rëndë, së pari kam marrë udhëzime se si duhet të sillem sipas rregullave të rrepta, e vesha edhe pajisjen mbrojtës që punëtorët shëndetësore e mbajnë edhe nga 12 orë. Besoni, të mbani veshur skafandër, syze mbrojtëse, tre palë doreza, vizir, dy maska ​​dhe dy palë galloshe nuk është e lehtë ”, shpjegon Vrencovska.

Qasja në spitale u shtyj disa muaj pas shpërthimit të pandemisë

Deri tani Vrencovska nuk është penguar të raportojë gjatë pandemisë, duke theksuar se institucionet shëndetësore në Ohër dhe Strugë, përkundrazi, janë në dispozicion dhe të hapura për bashkëpunim, por edhe për informata në kohë dhe të sakta mbi këtë temë.

Gazetarja e “Sloboden Peçat”, Bërns, ndan mendim të ngjashëm dhe thotë se ajo kurrë nuk është penguar të arrijë deri te informacioni dhe të mos ketë qasje te një spital ose mjek. Nga ana tjetër, thotë se burimet janë përgjithësisht transparente.

Gjithsesi, mendim të këtillë nuk ndan edhe fotoreporterja Memeti, e cila thotë se vështirësia më e madhe me të cilën janë përballur punonjësit e medias është kufizimi gjatë raportimit për pandeminë.

“Në Maqedoni, për muaj me radhë artikujt mbi krizën korona u mbuluan me inserte nga bota, ndërsa e vetmja gjë që na u lejua të ndiqnim ishin konferencat për shtyp të Ministrit të Shëndetësisë. Është për të ardhur keq që vonë është kuptuar fuqia që ne punonjësit e medias e kemi”, potencon Memeti.

Sipas informacionit nga sindikata e gazetarëve, që nga fillimi i pandemisë, janë regjistruar tri shkelje lidhur me pengimin e punës së gazetarëve gjatë raportimit për pandeminë.

“Me siguri gazetarët dhe punonjësit e medias shumë herë janë përballur me probleme të ngjashme, por shumë shpesh ato zgjidhen aty për aty” thanë prej atje.

Natyra e punës sjell me vete ekspozim ndaj rreziqeve

Sipas Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, gazetarët dhe punonjësit mediatikë janë relativisht të mbrojtur nga rreziku, bazuar në informacionin që ata kanë nga anëtarët e tyre.

“Megjithatë, natyra e punës së gazetarisë i ekspozon ata ndaj një rreziku të madh. Në një pjesë të madhe të mediave, për të mbrojtur nga infektimi, punonjësit e medias punojnë nga shtëpia ose punojnë me ndërrime, ndërsa në disa prej tyre u sigurohet edhe pajisje mbrojtëse. Gjithsesi, mbrojtja nga virusi, fatkeqësisht, është kryesisht barrë e vetë gazetarëve, ndërgjegjes dhe aftësisë së tyre për të mbrojtur veten”,
thanë nga SPGPM.

Siç theksojnë, ata që nga fillimi i pandemisë kanë ndërmarrë aktivitete të tilla si apelet për sigurimin e kushteve të përshtatshme për punë, që do të mundësojnë mbrojtjen e punonjësve mediatikë nga infeksioni, gjegjësisht respektimin e masave të MSH.

“Disa herë gjithashtu kemi publikuar këshilla dhe përvoja nga më të ndryshmet nga partnerët tanë, të tillë si Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, lidhur me atë se për çfarë duhet pasur kujdes kur kryejmë detyra të gazetarisë, me qëllim që të mbrojmë gazetarët dhe punonjësit mediatikë. Gjithashtu, kemi reaguar shumë herë dhe u kemi kërkuar institucioneve ose organizatave që organizojnë ngjarje për media që sa
më seriozisht t’u përmbahen protokolleve për organizimin e ngjarjeve të tilla. Së bashku me SHGM, në bashkëpunim me Qeverinë kemi harmonizuar një rregullore për organizime me një seri masash dhe protokollesh, të cilat institucionet shtetërore duhet t’i respektojnë kur organizojnë ngjarje për gazetarët. Fatkeqësisht, në disa raste kishte shkelje të këtyre protokolleve, për të cilat reaguam ashpër”, shtojnë nga
SPGPM.

Pandemia seriozisht ka ndikuar gazetarët dhe punën e tyre, janë të bindur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), të cilët thonë se punonjësit mediatikë janë në vijën e frontit dhe janë të ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të rreziqeve, duke shtuar se, siç mund të shihet edhe ndaj rrezikut të infektohen.

“Presioni ndaj gazetarëve nga publiku është i madh, sepse ata ndajnë dhe raportojnë lajme të pakëndshme dhe të frikshme. Njëkohësisht, ata janë edhe heronjtë e kësaj kohe, pasi që kur gjithçka ndaloi dhe kur ndodhnin karantinat, kur qytete të tëra ishin nën kontrollin e policisë, burimi kryesor i informacionit ishin pikërisht ato. Mbajtja e konferencave për shtyp në hapësira të vogla dhe të mbyllura,
me praninë e më shumë njerëzve është e palejueshme në kohë pandemie”,  janë të vendosur SHGM.

Mbrojtja e gazetarëve, thonë se duhet të jetë nga shtëpitë mediatike që ata përfaqësojnë, por gjithashtu, siç thonë ata, nga ofruesit e informacionit si Qeveria, institucionet dhe të ngjashme.

Nga Shoqata thonë se në disa raste kanë dalë me apele publike për mënyrën e komunikimit me gazetarë dhe punonjësit mediatikë. Ata gjithashtu theksojnë se me kërkesën e tyre, MSH organizoi edhe skrining falas për punonjësit e medias.

“Me këtë skrining u përfshinë pothuajse 1000 gazetarë dhe punonjës mediatikë me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve të medias, si një nga profesionet më të ekspozuara ndaj mundësisë së infektimit me Covid-19”, thonë nga SHGM.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

 

Të fundit