E diel, 23 Mars, 2025

VOTËBESIMI, “BETONOHET” BRISHTËSIA E QEVERISË!

Qeveria e kryeministrit Zaev me 62 vota pro i ka mbijetuar votëbesimit. Partitë opozitare e kanë kritikuar shmangien e debatit për votëbesimin, ndërkohë që lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski ka theksuar se Zaev e ka shfrytëzuar rastin që ai është në izolim për shkak të koronës. Brenda kohës po zhvillohet edhe një betejë tjetër brenda kampit opozitar për mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm dhe për ndërrmin e Mickovski. Zaev ka paralajmëruar zgjerim të shumicë parlamentare, ndërkohë që koalcioni ASH-AAA ka theksuar se deputetët e tyre “nuk janë në shitje dhe nuk janë në dispozicion për asnjë lloj matematike”

 

Analizë e KDP

 

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka marrë votëbesimin në kuvend, me 62 vota pro dhe asnjë kundër pasi opozita kishte braktisur sallën duke mos marrë pjesë në votim. Zaev, më herët kishte kërkuar në kuvend votëbesimin për shkak të pretendimeve të VMRO-DPMNE-së se posedon një shumicë të re në kuvend. Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në mënyrë të përsëritur kishte deklaruar se shumica parlamentare e ka humbur mbështetjen dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ky është momenti kur duhet të shohim se kush sa numra ka në Kuvend, ne apo opozita, e cila vazhdimisht pretendon se do ta rrëzojë Qeverinë dhe do të formojë një shumicë të re. Lajmet e rreme dhe bllokadat krijojnë pasiguri politike. Unë nuk do ta lejoj këtë, andaj edhe kërkoj votëbesim për Qeverinë”, kishte theksuar më herët para deputetëve kryeministri Zoran Zaev. Ndërkohë, votëbesimi ishte bërë pa debat, pasi Zaev e kishte paraqitur kërkesën në bazë të nenit të rregullores mbi punën e Kuvendit, që nuk parashikon debat, por vetëm votim për punën e Qeverisë. Opozita e ka kritikuar këtë propozim, duke theksuar se Zaev ka frikë të përballet me fjalimet e opozitës për dështimin e punës së Qeverisë.

Në një paraqitje në opinionin, Mickoski ka theksuar se kryeministri përdori izolimin e tij për shkak të infektimit me koronavirus, me çka bleu edhe një ditë jetë më shumë për qeverinë.

Por, siç dihet tashmë kjo nuk është beteja e vetme që ndodh në skenën politike, për shkak se lideri i VMRO-DPMNE-së po përballët edhe me një presion brenda partisë së tij për ta lënë “timonin” e partisë.

Këshilli nismëtar për thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së, ndërkohë ka kërkuar që kreu aktual i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski të japë dorëheqje. Sipas tyre, çdo anëtar i siqertë dhe i ndershëm i VMRO-DPMNE-së priste triumf dhe i besonte Hristijan Mickoskit për shumicën e re parlamentare në Kuvend.

“Në vend të festës, anëtarëve të partisë iu dha dush i ftohtë. LSDM-ja tregoi se shumica e tyre është e pandryshuar, kurse në koloaret politike po qarkullon informacioni se qeveria siguroi mbështetje shtesë nga deputetët e opozitës të cilët nuk votuan, pasi nuk kishte nevojë. Partia dje u turpërua”, kanë theksuar nga Këshilli Nismëtar.

Ideja që votëbesimi të bëhet pa debat është kritikuar nga opozita, e cila e ka komentuar si një lloj frike për dështimin e qeverisë. “Ju keni frikë të përballeni me argumentet tona që dëshmojnë dështimet e kësaj Qeverie në të gjitha sferat. Ju keni dështuar ta menaxhoni vendin në krizën me pandeminë, ju keni dështuar në luftën kundër korrupsionit, madje jeni zhytur vetë në korrupsion dhe keqpërdorime të tjera të shumta. Dështimet janë evidente, andaj edhe duhet të përballeni me argumentet tona dhe jo të ikni nga përballja me to”, ka theksuar kryetari i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Edhe opozita shqiptare ka drejtuar kritika ndaj Zaevit për propozimin që votëbesimi i Qeverisë të bëhet pa debat.

“Qeveria tenton t’i fshehë dështimit në çdo lëmi të jetës: dështimet në arsim, shëndetësi, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, përfshirë edhe të drejtën për protestë. Për këtë them se opozita duhet të dëgjohet për punën e Qeverisë. Kjo është kopje e asaj që ka ndodhur në regjimin e kaluar”, ka theksuar Skënder Rexhepi nga koalicioni opozitar shqiptar.

Pas votëbesimit duket se kryeminsitri Zaev është “trimëruar” për të rritur akoma më tepër shumicën parlamentare. Ai ka deklaruar se besimi që ka marrë ndërkohë nga deputetët e obligon të punojë në drejtim të zhbllokimit të ligjeve që kanë ngecur në Kuvend. Ai përsëri ka theksuar se synon rritjen e numrit të deputetëve të shumicës.

“Më mirë është shumica të jetë më e madhe se 62, është më lehtë. Por edhe kështu mbahet, besoj se do të mbijetojë katër vite. Them se sa është i keq bllokimi që ndodh në Kuvend. Unë si kryetar i Qeverisë nuk do ta toleroj këtë. Normalisht, me nderin që mora sa i takon besimit, mora edhe përgjegjësinë plotësuese për zhbllokimin e Kuvendit. Sigurisht, me bazë ligjore, nëpërmjet Rregullores, nëpërmjet debatit… Këto ditë do të prezantoj edhe politika të reja. LSDM-ja në mënyrë afatgjate mendon për politika të reja për të cilat do të flas në ditët dhe muajt e ardhshëm me qëllimin e vetëm; përparim më të madh, efikasitet më të madh, inkluzivitet, kolegialitet dhe bashkëpunim në nivel të arritjes së konsensusit për sa më shumë çështje që është e mundur”, ka theksuar Zaev.

Kanë reaguar ndërkohë nga opozita shqiptare në lidhje me votëbesimin e qeverisë. Sipas tyre, deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës nuk janë në shitje. “Dje Qeveria dëshmoi se nuk i beson shumicës dhe shmangu debatin e opozitës për punën e tyre. Për gjashtë muaj është ulur çdo standard jetësor. Qeveria nuk kishte guxim të përballet me argumentet e opozitës për të gjitha dështimet gjashtëmujore. Gjashtë muaj dëgjojmë vetëm se deputetë të opozitës do të kalojnë në shumicë. Kjo lojë duhet të përfundojë. Deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës nuk janë në shitje dhe nuk janë në dispozicion për asnjë lloj matematike”, ka theksuar, Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA.

Të fundit