E mërkurë, 26 Mars, 2025

Integrimet-nën “hijen” e ngatërresave historike

Nën hijen e dendur të këtyre ngatërresave historike po venitet ideja dhe aspirata e integrimeve europiane. Një proces i vështirë dhe me shumë ngërçe historike, identitare dhe politike. Vizioni i një Ballkani të integruar po zbythet keqas pikërisht nga këto “trazime” historike, që nuk dihet se si do të menaxhohen në një kontekst kur impenjmi i BE-së duket kaq serioz, sidomos në kohën kur rajoni mund të rrëshqasë në ndikime tjera të padëshiruara. Një zgjidhje e shpejtë duket e domosdoshme për ta fuqizuar orientimin europian të rajonit si një perspektivë e mirëqenë për të dalë më në fund nga humnera e pritjeve të pafundme dhe deprimuese.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Ballkani mbetet metaforë e trishtë e ngatërresave historike. Jorastësisht, autorja bullgare, Maria Todorova, në librin e saj “Ballkani imagjinar”, përveç trajtimit të stereotipizimeve të ndryshme brenda rajonit dhe mbi rajonin, e definon mrekullisht këtë metaforë të ngatërresave historike nëpërmjet nocionit “atje poshtë në Ballkan”. Në Ballkan historia është rishfaqur vazhdimisht me tërë kompleksitetin e saj, me tërë ato interpretime madhështish, që në të shumtën e rasteve janë bërë pengesë për një mirëkuptim mes popujve, por edhe për mbarështrimin e një rrugëtimi të mirëqenë drejt familjes së madhe europiane. I tillë është Ballkani, një rajon gjithnjë i trazuar dhe gjithnjë i gatshëm të manifestojë ngatërresa historike, të cilat edhe në kontekstin aktual marrin trajta pengesash gati të pakalueshme.

Në fakt, rajoni edhe aktualisht po jeton dy gjendje të kundërta, dy gjendje që në esencë shpërfaqen si kundërvënëse dhe me plot paqartësi. Duket se momente të së kaluarës tashmë po shfaqen brenda aktualitetit, brenda këtij konteksti kohor, që shënon një dyzim, një mjegull, por edhe padurime për të arritur në zgjidhje të qëndrueshme, që e nënkuptojnë një horizont tjetër zhvillimesh politike, ekonomike dhe kulturore. Përderisa rajoni me shumë ngërçe po e vazhdon rrugëtimin drejt integrimeve europiane, një prapakthim gjithmonë mbetet i pranishëm, një prapakthim që krijon situata të komplikuara për të ardhmen.

Pikërisht në këtë sens duhet të shihet edhe kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mbi çështjet historike, të cilat tashmë realisht po shfaqen si problematike në vizionin për të qenë pjesë e procesit të integrimeve europiane. Siç dihet, tashmë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në vitin 2017 kanë nënshkruar Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, ndërkohë që pikërisht interpretimet e kësaj marrëveshje tash po shfaqen si kundërvënese për sa u përket temave të ndjeshme identitare. Ajo që dukej si më e lehtë për t’u realizuar si marrëveshje në krahasim me marrëveshjen për ndryshimin e emrit, që vinte nga konteksti me Greqinë, tash po shfaqet tepër e komplikuar dhe me prononcime politike, që nuk japin shumë shpresë se kontesti me Bullgarinë do të zgjidhet shumë shpejt.

Vetoja bullgare e ka ngrirë aspiratën për të filluar me mbledhjen e parë ndërqeveritare, e cila realisht nënkupton edhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkim Europian. Siç dihet tashmë, Bullgaria ka kërkuar, ndërkohë, që të respektohet Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, e cila – sipas vlerësimeve të përfaqësuesve të Bullgarisë – ka ngecur në zbatim, ndërkohë që edhe vetë përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, konkretisht i dërguari i posaçëm i qeverisë, Vllado Buçkovski, në një takim të realizuar në Bullgari me krerët e lartë të vendit fqinj ka theksuar se ka ngecje në zbatimin e marrëveshjes.

Sidoqoftë, tashmë kemi një kronologji antagonizmash në interpretimin historik dhe politik të kësaj marrëveshjeje, që e ka determinuar veton bullgare për mosmiratimin e kornizës negociuese për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE. Kjo veto tashmë ka krijuar edhe tensionim të brendshëm politik, që është manifestuar nëpërmjet përplasjeve partiake në skenën e brendshme. Opozita maqedonase e ka akuzuar qeverinë si të paaftë për të menaxhuar me këtë kontest, ndërkohë që partitë shqiptare, në gjithë debatin mbi kontestin me Bullgarinë kanë qenë të matura dhe kanë mbajtur një pozicion relativisht neutral, gjithnjë duke përkrahur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi i integrimeve.

Përgjithësisht, shqiptarët kanë shfaqur një neutralitet në gjithë këtë debat identitar, ndërkohë duke afishuar idenë e zgjidhjes politike në sinkron me angazhimet europiane mbi këtë kontest, që shfaqet i komplikuar dhe me interpretime diametralisht të kundërta historike dhe politike. Në esencë përfaqësuesit shqiptarë, por edhe aktorë tjerë të jetës publike, kanë shfaqur maturi në gjithë kronologjinë e shfaqjes së këtij konteksti, duke afishuar zgjidhjen si të vetmen rrugë për zhbllokuar procesin e integrimeve.

Dhe, në fakt, faktori politik shqiptar do të duhej që të dallojë dy linja në këtë proces, që e bëjnë pozicionimin të qartë dhe të qëndrueshëm, në raport me debatin historik-identitar, që nuk i tangon ata, dhe në dimensionin politik të brendshëm që ruan angazhimin politik për shtet të barabartë në gjithë tërësinë institucionale, ashtu siç është afishuar politikisht nga subjektet politike shqiptare dhe nga aktorë të tjerë të jetës shoqërore vite me radhë.

Pikërisht këto dy linja angazhimesh politike duhet të shihen në një korrelacion të gjerë, në përputhje të plotë me suazën e angazhimeve të BE-së për ta zhbllokuar procesin e integrimeve nëpërmjet një dialogu korrekt në kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Siç dihet tashmë, pas paralajmërimeve për të bllokuar përkohësisht miratimin e kornizës negocuese për Maqedoninë e Veriu, Departamenti i Shtetit Amerikan kishte kërkuar që debati historik të ndahet nga procesi i integrimeve. Sidoqoftë, Bullgaria tashmë e ka përdorur veton si anëtare e BE-së, ndërkohë që janë hapur shumë dilema mbi procesin e integrimit. Me gjasë, ky kontest do të vazhdojë, ndërkohë që nuk dihet se kur dhe çfarë zgjidhje mund të marrë.

Por, duket, se tashmë nga një pozicion jo edhe aq impenjues, BE-ja po kalon në një faze tjetër të vlerësimit të situatës, duke e zgjeruar optikën edhe në elemente të tjera të sigurisë, të cilat në Ballkan mund të shfaqen sa hap e mbyll sytë. Përkundër thirrjeve racionale nga BE-ja, Bullgaria nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saj në raport me Maqedoninë e Veriut. Dhe, duket se problemi nuk do të jetë vetëm heqja nga agjenda e debatit të zgjerimit, por edhe ajo që mund të pasojë si ngërç politik mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë edhe në të ardhmen, që realisht hap shumë dilema në gjithë kuadrin e integrimeve të Ballkanit Perëndimor të ravijëzuar përmes suazës angazhuese të BE-së për integrim të plotë të rajonit të pagëzuar si Procesi i Berlinit.

Pikërisht këtë premisë më herët e kishte theksuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila kishte bërë thirrje që të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të miratohet korniza negociuese, e cila e hap rrugën e fillimit të bisedimeve dhe të integrimit të plotë në BE.

Ndërkohë, edhe ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, e ka quajtur si “gabim serioz politik” dështimin e miratimit të kornizës negociuese për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe, me disa kushte, edhe me Shqipërinë.

Por, këto thirrje janë tashmë prapa nesh, ndërsa vetoja bullgare ka pamundësuar hapjen e bisedimeve. Ngatërresat historike, të definuara me nocionin “atje poshtë në Ballkan”, shfaqen në çdo kohë më tërë kompleksitetin e tyre. Nën hijen e dendur të këtyre ngatërresave historike po venitet ideja dhe aspirata e integrimeve europiane. Një proces i vështirë dhe me shumë ngërçe historike, identitare dhe politike. Vizioni i një Ballkani të integruar po zbythet keqas pikërisht nga këto “trazime” historike, që nuk dihet se si do të menaxhohen në një kontekst kur impenjmi i BE-së duket kaq serioz, sidomos në kohën kur rajoni mund të rrëshqasë në ndikime tjera të padëshiruara. Një zgjidhje e shpejtë duket e domosdoshme për ta fuqizuar orientimin europian të rajonit si një perspektivë e mirëqenë për të dalë më në fund nga humnera e pritjeve të pafundme dhe deprimuese.

Shkrim i botuar në revistën ” Shenja “

Të fundit