E martë, 29 Prill, 2025

ZIGZAG: ‘GRIPI’ ELEKTORAL’ – TË (PA) NJOHURAT E KRUSHQIVE LOKALE

Mbajtja e zgjedhjeve lokale, këtë vjeshtë, qysh tash ka bërë që partitë politike të nisin përzgjedhjen e kandidaturave të mundshme në mënyrë që të dalin sa më të përgatitura në zgjedhjet lokale të cilat me gjasë, si dhe ato parlamentaret e vitit të kaluar, kanë për të qenë në shenjë të pasojave të pandemisë. Ende nuk dihen koalicionet mundshme ndërpartiake, por gjasët janë që forcat që përbëjnë shumicën parlamentare të demonstrojnë bashkëpunimin edhe në rrafshin lokal, ndërkohë që po e njëjta mund të thuhet edhe për partitë e opozitës. Kjo për shkak se gara për Kryeqytetin, Kumanovën, Tetovën, Gostivarin, Strugën apo edhe Manastirin e Prilepin nuk mund të fitohet pa bashkim të forcave.

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

 

Rënia dakord e partive politike që zgjedhjet lokale në vend se në dhjetor të mbahen në tetor ka shënuar praktikisht edhe fillimin e përgatitjeve për daljen në to. TV Klan Maqedoni mëson për kontakte intensive ndërpartiake si midis atyre që përbëjnë koalicionin qeverisë, ashtu dhe në mes të forcave opozitare, qofshin ato maqedonase apo shqiptare. Bëhet e ditur se krerët e partive qeverisëse këto ditë do të kenë një takim pikërisht për të sheshuar qëndrimet e tyre për bashkëpunim apo pse jo dhe koalicionim eventual, por përtej kësaj të gjitha partitë janë vënë në kërkim të përzgjedhjes së kandidaturave të cilat do të rrisin gjasët e tyre për fitore, apo në instancë të fundit edhe për marrëveshje.

Garat më interesante në kampin politik shqiptar do të jenë për Tetovën, Gostivarin e Strugën, ndërsa për ato maqedonase – gjithësesi për Shkupin, Manastirin, Prilepin e Kumanovën. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, natyrisht se do të bëjnë çmos që Kryeqyteti të jetë i tyre, njësoj si dhe BDI-ja që mëton të ruajë pozicionet aktuale apo edhe të rikthejë Gostivarin të cilin Aleanca për Shqiptarët pretendon se ka për të qenë – i saj, po pse jo edhe marrja e Strugës që do të rehabilitonte kryeopozitarin Sela pas humbjes në lokalet e fundit. Kur është fjala për kandidaturat për komunat e sipërpërmendura, hëpërhë nuk ka asgjë konkrete, të gjithë ruajnë me xhelozi ‘atutë’ kryesore.

Ajo që mësohet nga burime partiake është se Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit rikthen në garë për Tetovën profesorin Sadi Bexheti. Integristët ndërkaq vazhdojnë të mos i hapin kartat nëse do të matin forcat me kryetaren aktuale Teuta Arifin apo me ndonjë tjetër, ndërkohë që pranohet se ka gjasë që Nevzat Bejta, në Gostivar, të sfidojë Arben Taravarin.

Njohësit e rrethanave, por edhe burime partiake të forcave të ndyrshme thonë se duhet kuptuar aspiratat aktuale të cilat do të shuhen apo marrin flakë- varësisht se si kanë për të kaluar në raundin e parë të zgjedhjeve për kryekomunarët. Shkuarja në balotazh, ndërkaq ka për të provuar bashkëpunimin ndërpartiak si ndërmjet forcave maqedonase, ashtu dhe atyre shqiptare. Ende nuk ka sinjale se në zgjedhjet vendore të vjeshtës mund të ndiqet shembulli i LSDM-së dhe Besës në parlamentaret e fundit kur bënë koalicion parazgjedhor dhe dolën me listë të përbashkët.

Të fundit